Korrupsioni nuk mund të luftohet nga të korruptuarit
Krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë përfshirë gati të gjitha institucionet e nivelit lokal dhe qendror të Kosovës, dhe për më keq, edhe sistemin e drejtësisë, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Këto dukuri të cilësuara si dy pengesat më të mëdha në drejtim të zhvillimit të Kosovës, nuk po arrihet as të luftohen.
Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovës ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtar. Ata kishin kërkuar nga institucionet që t’i luftojnë këto dukuri.
Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë në Kosovë, sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë, ishte vlerësuar si rruga e vetme për të sjellë mirëqenie për qytetarët e këtij vendi.
Arton Demëhasaj, drejtor në Organizatën për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se derisa në Kosovë ka prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, si dhe politikanë me afera korruptive, nuk mund të pritet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të “Transparency International”, që matin perceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.
Por, thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe posaçërisht dëshmitë konkrete për dënime të, siç thuhet, “niveleve të larta të përfshira në korrupsion”, janë bërë pjesë të kushtit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Mos marrja e hapave të fuqishëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përveç tjerash, sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës “Fol”, Petrit Zogaj, po rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve.
Përderisa kemi këtë situatë, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk arrihet të luftohet, sipas Zogajt, niveli i këtyre dy dukurive do të rritet në përmasa shkatërruese për shtetin e Kosovës.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar largimin nga postet publike të të gjithë zyrtarëve që janë përfolur për përfshirje në afera korruptive. Ata shprehen se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet më e “ashpër” dhe angazhimi në këtë drejtim, është marrë seriozisht.
Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e ka paralajmëruar edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, por ai kërkon përkrahje edhe nga institucionet tjera. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, Lumezi tha se i vetëm nuk mundet ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. /REL/