Lëvizja e re e Facebook: A është një kurth për përdoruesit?
Lëvizja e re e Facebook ka shkaktuar shumë shqetësim te përdoruesit, dhe me të drejtë. Deri tani Facebook njeh shumë detaje nga jeta e çdo përdoruesi, por me lëvizjen e re duket sikur do të hyjë totalisht në jetët e tyre. Në fillim të muajit gusht Mark Zuckerberg solli “Preferences”, një aplikacion që u lejon përdoruesve të zgjedhin se çfarë lloji reklamash duan të shohin në rrjetet sociale. Asgjë e keqe deri këtu. Kjo përzgjedhje do të eleminonte reklamat e bezdisshme dhe të përsëritura. Por bosi i Facebook nuk ndalet këtu. Ai përveç reklamave përpiqet të profilizojë edhe përdoruesit e FB sipas bindjeve politike apo fetare, duke “kataloguar” gjithçka. Në “Listën e Interesave” ku ne shtojmë apo eleminojmë preferencat tona, FB merr gjithë informacionin e nevojshëm, madje duke hyrë në privatësinë tonë. Pra, atë që agjencitë e inteligjencës duan kohë ta bëjnë, Facebook po e bën me ndihmën tonë. Jemi vetë ne që po i servirim gjithë të dhënat që dëshiron. Pra, pyetja është: A duhet të përzgjedhim reklamat që dëshirojmë të shohim duke lejuar FB të hyjë totalisht në jetët tona, apo të lëmë gjithcka ashtu siç është por të kufizojmë shkeljen e asaj pak privatësie që ka ngelur? Si do që të shkojë, Facebook është gjithmonë i fituar./ BORDO