MIGRANTËT SHQIPTARË NË AUSTRALI
Nga Dr. Sabri Kiçmari
Ish kryeministri australian John Hovard kishte bërë të ditur më 6 prill 1999 se Qeveria e Australisë ka vendosur që të japë një përgjigjie të qartë kundër tragjedisë njerëzore në Evropë përkatësisht kundër shpërnguljes me dhunë të qindra mijëra shqiptarëve nga Millosheviqi: “Ne kemi vendosur të pranojmë për një kohë të caktuar 4 000 njerëz të përzënë nga Kosova.“[1] Një muaj më vonë, më 8 maj 1999, gazeta australiane The Daily Telegraf titullonte artikullion e saj: “Të sigurtë në krahët tanë: Sydney i përshëndet refugjatët”. Refugjatëve kosovarë ju kishte dëshiruar mirëseardhje krahëhapur Kryeministri Hovard. Ky vendim ishte mbështetur edhe nga Lideri i Opozitës Kim Beazley. Tre muaj më vonë, pas Luftës së Kosovës, shumica e këtyre refugjatëve ishin rikthyer në Kosovë.
Fenomenologjia e të huajit
Këndvështrimi im mbi migrimin si fenomen dhe të huajin si subjekt fenomenologjik mbështet në mësimet e fenomenologjisë. Edmund Husserl përcaktoi devizën e tij të njohur „të shkojmë te vetë sendet (ose objektet)!”Husserli dallon në mes të “botës vendore dhe botës së huaj.“ Sipas filozofit gjerman (dhe profesorit tim të nderuar) Bernhard Waldenfels “qenia prej të huaji fillon në shtëpinë tënde” dhe “përfundon jo më pak se te interkulturaliteti.” Kështu i përshkruan ai paragjykimet përballë të huajit: “I huaji përceptohet si i panjohur, që nuk mund shpejt ti besohet dhe, përderisa është i huaj, i pakuptueshëm.” Ai i definon “tëhuajsi strukturore” diferencat në mes të rendeve dhe kulturave të ndryshme shoqërore. Jean-Paul Sartre e pasqyron në këtë mënyrë tiparin themelor të një paragjykimi përballë të huajit si “një objekt”: “Kështu, papritmas, u shfaq një objekt, i cili më vodhi botën. Çdo gjë është në vendin e vet, çdo gjë është ende aty për mua, por çdo gjë është e përshkuar nga një arratisje e fuqishme dhe e padukshme në një objekt të ri të jashtëm. Shfaqja e tjerit në botën time paraqet kështu një rrëshqitje të fortë të të gjithë universit tim, një decentrim të botës sime, që e minon qendërzimin, që unë, në të njëjtën kohë, e krijoj.“
Migranti kuptohet si një person i huaj, subjekt i huaj dhe një unë i huaj. Ai karakterizohet nga tri identietet: trupore, sociale dhe mendore. Fizikisht ai jeton në një ambient të huaj. Në rrafshin shoqëror ai e identifikon veten me bashkësitë në atdheun e tij (familjen, fshatin, lagjen, komunën dhe kombin e tij) dhe rrethin e tij social në vendin e imigrimit (shoqatën, komunitetin, rrethin social). Në rrafshin mendor ai e demonstron un –in e tij si individ, i ndarë nga secili individ tjetër.
Bazuar në konceptet e interakcionizmit simbolik (Mead) migranti përgjithësisht, dhe mërgimtari shqiptar veqanërisht, mund të emërtohet një “i huaj”, i cili, duke u vendosur në një shoqëri dhe shtet tjetër, e ka marrë këtë emërtim. Mendimtari austriak Alfred Schütz e definon të huajin si “një të rritur të kohës dhe civilizimit tonë, i cili dëshiron që nga grupi, të cilit i
afrohet, vazhdimisht të akceptohet ose, së paku, të tolerohet.” [1] Për sociologun Georg Simmel i huaji duhet kuptuar “jo në kuptimin e shumanshëm të deritanishëm si një shtegtar, i cili sot vjen dhe nesër shkon, por si një person, që sot vjen dhe nesër mbetet.”[2]
Qenja i huaj është në fakt një konstruksion. Në proceset kommunikative të bashkësive përcaktohen rregullat dhe kufijtë e komunikimit të brendshëm si dhe kufijtë në raport me individët a bashkësitë e jashtme. Përmes këtyre rregullave dhe kufijve konstruktohet statusit i të qenit i huaj. I huaji përceptohet si një person ndryshe për vendësit. Jo rrallë kjo tëhuajësi është e përceptueshme edhe për nga pamja fizike, ngjyra e lëkurës dhe gjuha. Fillimisht i huaji nuk shihet si individ më vete, por si pjesëtar i grupit të të huajve. Meqë kriteret e diferencimit nuk janë individuale, individët rreshtohen nga vendësit thjeshtë në një grup të caktuar etnik ose kulturor. Hamendjet e mënyrës së sjelljes me të, të menduarit rreth botës së tij jetësore, zakoneve e traditave të tij, e bëjnë vendësin të jetë tejet i kujdesshëm në raport me të huajin (imigrantin, refugjatin, të ardhurin). Por me kohë për një pjesë të vendësve i huaji bëhet edhe tërheqës, meqë ai sjell diçka të re në jetën e vendësve, diçka alternative, diçka kualitative.
Momenti i parë i humbjes pjesërisht të karakterit të të qenit i huaj në një shoqëri tjetër është të mësuarit e gjuhës së vendësve. Përmes gjuhës i huaji përcjell botën e tij të të menduarit tek vendësit. Kështu shmanget pikëpamja se po bashkëveprohet në mes të dy të huajve, duke u forcuar përcepetimi se bashkëveprimi po ndodh në mes të një individi me individin tjetër. Këtu fillon edhe kompleksiteti i krijimit të marrëdhënjeve ndërnjerëzore në mes të të huajit dhe vendësit, besimit reciprok dhe akceptancës së ndërsjellë dhe me këtë mënjanohen paragjykimet dhe krizat.
Migrantët shqiptarë në Australi
Edhe migranti shqiptar në Australi është në fillim një i huaj për vendësit. Por, me kalimin e kohës migranti në Australi, përfshirë edhe migrantin shqiptar, nuk e ndjen veten më aq të huaj dhe nuk e demonstron më ndjenjën e qenies i huaj.
Shpërngulja nga Shqipëria në Australi është një proces, i cili ka rrjedhur pandalshëm që nga shekulli 19-të. Supozohet se shqiptari i parë, i cili është vendosur në Australi, ka qene Naum Konxha, i ardhur në Australi në vitin 1885. Ai është shpërngulur së bashku me gruan e tij angleze në Bisbane dhe vendosi që të kalojë jetën aty përgjithmonë. Imigranti i dytë shqiptar ka qenë Spiro Jani nga Himara, i cili ishte vendosur për të jetuar në Queensland në vitin 1908. Ata janë pasuar nga Kristo Zafiri nga Labëria dhe Dhimitër Ikonomi nga Dropulli, të cilët kanë ardhur me anije në vitin 1913 në Tovnsville.[1] Më 29 Tetor 1924 zbritën në Frementle (Australinë Perëndimore) Bektash Muharremi, Behxhet Emini, Rexhep Mustafa, Musa Ibrahimi dhe Riza Aliu.[2]
Deri në vitin 1933 nuk ka pasur regjistrim zyrtar të shqiptarëve në Australi. Në këtë vit numri i shqiptarëve të regjistruar ishte 770; shumica prej tyre në Queensland.[3] Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947, dyfishohet numri i shqiptarëve në Australi. Në vitet 60 dhe 70 të shekullit të kaluar shpërngulet edhe një numër i shqiptarëve nga Kosova. Shumica e tyre ishin refugjatë ekonomikë, por edhe të përndjekur nga regjimi jugosllav dhe të rinjë që refuzonin të shërbejnë në Armatën Jugosllave.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 sot jetojnë në Australi 13 142 shqiptarë, prej të cilëve rreth 9 000 e flasin gjuhën shqipe në shtëpi.[1] (Por, kjo shifër zyrtare mundet të mos e paraqesë gjendjen reale. Është edhe një numër i banorëve që kanë prejardhje shqiptare, të cilët për arsye të ndryshme nuk e deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare.) Në dy qytete shqiptarët kanë një prezencë signifikante: në Sheparton dhe në Dandenong.
Në Sheparton shqiptarët përbëjnë 1,1 % të popullsisë.[2] Shqiptarët e parë kanë ardhur këtu në vitin 1920; shumica prej tyre nga Korça. Ata jetonin kryesisht nga bujqësia dhe në mënyrë të veçantë nga pemëtaria. Kjo traditë është ruajtur deri më sot. Çdo vit, në muajin mars, nga Komuniteti Shqiptar organizohet “Festivali Shqiptar i të Vjelave” në Sheparton, në të cilin pemëtarët shqiptarë prezentojnë pemët dhe produktet ushqimore shqiptare. Shkalla e integrimit të shqiptarëve në Sheparton dëshmohet me faktin se në nëntor të vitit 2015 shqiptari Dinny Adem është zgjedhur Kryetar i Qytetit.[3]
Në Dandenong 1,2 % e banorëve janë shqiptarë.[4] Shumica prej tyre kanë prejardhje nga viset shqiptare në Maqedoni (Manastiri, Prespa, Struga etj.). Ata e banojnë një pjesë relativisht të madhe të qytetit. Shkalla e integrimit të tyre në këtë qytet është shumë e lartë në krahasim me qytetet tjera. Përmes lidhjeve të shumta që kanë krijuar me vendësit, kanë arritur që shqiptari Jim Memeti të zgjidhet në Këshillin e Qytetit dhe për dy mandate të zgjidhej edhe Kryetar i Qytetit. Memeti ka ardhur në Australi si fëmijë trevjeçar me familjen e tij nga Manastiri, është treguar si ndërmarrës i suksesshmë dhe shumë i suksesshmë edhe në politikë.
Shqiptarët në Australi kanë shoqata të shumta në qytete të ndryshme. Shoqatat më të mëdha janë Komunitetet Shqiptaro-Australiane me seli në Melbourne, Sudney dhe Sheparton. Edhe në Queensland, Australinë Jugore dhe Australinë Perëndimore shqiptarët janë të organizuar në formë të Komuniteteve Shqiptaro-Australiane dhe e festojnë 28 nëntorin si Ditë Kombëtare dhe Ditë të Flamurit të Shqiptarëve dhe 17 Shkurtin si Ditë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në tri vitete fundit ngritet solemnisht të valojë flamuri kombëtar shqiptar në Sheshin e Federatës në Melbourne në çdo 28 Nëntor dhe çdo 17 Shkurt flamuri i Republikës së Kosovës.
Shumë aktive janë edhe Shoqata Shqiptaro-Australiane e Gruas dhe Shoqata e të rinjëve “Albanian Connect”. Shoqata e Gruas ka organizuar me sukses ekspozita mbi historinë e shqiptarëve në Australi, përderisa “Albanian Connect” mirëmban një faqe me zhvillimet më të reja nga Shqipëria, Kosova dhe viset tjera shqiptare.
Në Dandenong funksionon që nga viti 1970 Klubi i Futbollit “Dandenong Thunder Soccer Club“, i cili fillimisht quhej „FC Prishtina“. „Dandenong Thunder Succer Club“ luan në Ligën e Parë Nacionale të Viktorisë dhe ka qenë në vitin 2012 kampion i Ligës.
Në një lagje të Melbournit me emrin simbolik për shqiptarët St. Albans funksionon me sukses edhe Klubi Futbollistik “Shqiponja” me emrin zyrtar „North Sunshine Eagles FC“, i cili është krijuar në vitin 1975 nga migrantët shqiptarë. Ky klub bënë pjesë në Ligën e Parë të Shtetit Federal të Viktorisë. Përpos këtyre dy klubeve të futbollit egziston në shtetin e Viktorisë edhe klubi tjetër „Heidelberg Eagles SC“, i cili bënë gara në Ligën e Katërt të shtetit të Viktorisë.
Në Australi janë aktive edhe shoqatat religjioze shqiptare: Shoqata Islamike Shqiptaro-Australiane me seli në Melbourne, Komuniteti Katolik Shqiptar në St. Albans, Shoqata Islamike Shqiptare në Sheparton, Shoqata Islamike Shqiptare në Dandenong etj.
Ambienti i gjërë integrativ në Australi ka krijuar për shqiptarët mundësi të shumta për të qenë të suksesshëm në profesionet e tyre si në rrafshin social ashtu edhe në atë sportiv. Në mesin e personaliteteve të suksesshme shqiptare bëjnë pjesë shkrimtari Alex Buzo, ish Kryetari i Qytetit të Dandenongut Jim Memeti, Kryetari i Qytetit të Shepartonit Dinny Adem, gjykatësi Rauf Soulio, bokserja profesioniste Susie Ramadan, futbollisti Besart Berisha etj.
Tipet dhe alternativat statusore të migrantëve shqiptarë në Australi
Ka dallime kohore, hapësinore dhe motivesh të lëvizjes së migrantëve shqiptarë në Australi. Varësisht nga këto kategori, sot mund të identifikohen pesë tipe migrantësh:
- Migranti ekonomik – i ardhur si punëtor, për të shfrytëzuar mundësitë më të mira për jetesë dhe punë: minator, bujk, blegtor, pemëtar etj.;
- Migranti politik – i përndjekur për shkak të veprimtarisë politike, si kundërshtar i regjimit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë ose regjimit komunist në Shqipëri; pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë u rrit numri i migrantëve politik;
- Refugjati i luftës – rreth 4 000 shqiptarë nga Kosova, të cilët patën ardhur gjatë Luftës në Kosovë (1999) në Australi, shumica prej të cilëve janë kthyer sërish në Kosovë;
- Refuzuesit e shërbimit ushtarak – një numër shqiptarësh nga Kosova, Maqedonia dhe viset tjera shqiptare të ish Jugosllavisë, të cilët nuk dëshironon t’i shërbenin armatës jugosllave;
- Migranti i lindur në Australi – personat, familjet e të cilëve kanë ardhur në Australi para se ata të lindnin.
- Migranti shqiptar në Australi gjendet para tri alternativave statusore themelore:
- asimilimit – pështatja e plotë, e gjithanshme dhe bashkangjitja në shoqërinë australiane, në të cilën jeton dhe punon, e cila mund të shkojë deri atje sa të heqë dorë nga një numër i pakufizuar traditash, sjelljesh, dokesh dhe të konceptuari tradicional;
- integrimit – pjesëmarrja aktive në shoqërinë australiane, ku jeton dhe punon, përcjellja e vlerave dhe kulturës së vet në këtë shoqëri, duke ruajtur identitetin e vet;
- segmentimit – ndarja, ikja nga kontakti social me vendasit, getoizimi në bashkësinë e tij etnike me bashkëmërgimtarët nga vendi i vet.
Pavarësisht planeve të ndryshme jetësore pjesa më e madhe e migrantëve shqiptarë, në mesin e tri alternativave, në rrafshin e tyre social, preferojnë opcionin e integrimit, duke përceptuar atë si mundësi veprimi dhe shpresë për të ardhmen.
Ambienti shtetëror dhe shoqëror për integrim në Australi është perfekt: migrantët e marrin nënshtetësinë australiane pas pesë viteve, integrohen në bashkësitë shoqërore dhe fillojnë ta ndjejnë veten “australianë”. Përmes integrimit shqiptarët në Australi nuk e demonstrojnë vetëm subjektivitetin e tyre si individë, por edhe lidhjen emocionale me atdheun e tyre. E gjithë kjo ndodh në një kornizë integrimi, e cila nuk e kërkon heqjen dorë nga atdheu, as formalisht dhe as joformalisht (psh. njihet dyshtetësia; nuk kërkohet heqja dorë nga shtetësia e mëparme).
Shumica absolute e shqiptarëve në Australi nuk heqë dorë nga shtetësia e dyfishtë. Në këtë mënyrë e mbajnë një lidhje simbolike, të pastër emocionale, madje ideale, me atdheun e tyre. Kjo duhet kuptuar si një shenjë e një nënkuptimi që të ruhet vazhdimisht mundësia e rikthimit në një moment të caktuar. Ky lloj motivi, i padeklaruar formalisht, i migrantëve shqiptarë karakterizohet me një shkallë të lartë mundësie për mobilitet.
- Lidhja emocionale me atdheun nuk është njësoj e fortë te të gjithë migrantët shqiptarë në Australi. Migranti ekonomik, i cili, në kuadrin e mundësive, e viziton atdheun rregullisht (mesatarisht çdo të katërtin deri të pestin vit), ka ndjenja të tjera me emocionet e migrantit politik, i cili për decenie të tëra nuk ka mundur të vizitojë atdheun për shkak veprimtarisë së tij politike; dhe krejt ndiesi të tjera janë ato të migrantit të lindur në Australi, i cili nuk i ka përjetuar ngjarjet traumatike të ikjes nga Atdheu në kurrizin e tij, por i njeh ato nga tregimet e të tjerëve.Jeta sociale e migrantit shqiptar në Australi është jetë mes dy shoqërive, dy kulturave dhe dy shteteve. Ai preferon variantin e integrimit, identifikohet me komunitetitin e tij shqiptar në Australi, por edhe me shoqërinë vendëse australiane. Në mënyrë të veçantë një gjë e tillë vërehet në manifestimet e shqiptarëve në Melbourne dhe Sydney: kur këndohet himni kombëtar shqiptar, mund të dëgjohen shumë zëra të pjesëmarrësve, të cilët e këndojnë himnin kombëtar; kur këndohet himni australian, dëgjohen edhe më shumë zëra.Migrantët shqiptarë në Australi nuk jetojnë pranë vendësve, por me vendësit. Nuk është një përjashtim, por një rregull pjesëmarrja e imigrantëve shqiptarë në jetën kulturore të vendësve. Rrethet kulturore shqiptare në Australi i tejkalojnë kufijtë përjashtues përballë kulturës lokale. Ato kanë krijuar një trekëndësh veprimi përmes interakscionit në mes të rretheve të tyre kulturore, kulturës në atdheun e tyre dhe kulturës vendore. Migrantët shqiptarë në Australi e kanë krijuar identitetin e tyre si grup social. Ata janë jo vetëm një bashkësi “në vete”, siç do të shkruante Jean-Paul Sartre, por edhe një bashkësi “për vete”.[1] Qenien e një bashkësie “për vete” shqiptarët në Australi e kanë dëshmuar me rastin e mbështetjes së tyre për lirinë e Kosovës./dritare.net