Në pritje të Rrugës së Arbrit
Fushata në Dibër riktheu edhe një herë vëmendjen tek Rruga e Arbrit, aq sa premtimi kryesor për 11 shtatorin është pikërisht përfundimi i saj. “Unë nuk do të largohem nga zyra e kryeministrit pa bërë Rrugën e Arbrit”, thonte Rama në 23 gusht.
“Punët i bitis ai që i nis. Ne që e nisëm, ne do ta përfundojmë Rrugën e Arbrit”, deklaronte Basha 3 ditë më vonë.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga fillimi i punimeve, ajo ka po të njëjtën pamje të shkretë. E vetmja alternativë është rruga e vjetër, që nga Tirana deri në Peshkopi zgjat minimalisht 4 orë.
Natyra këtu ofron bukuri të rralla dhe rrugëtimi përmes saj duhet të ishte çlodhës. Por, cilësia e rrugës të bën ta harrosh atë që shikon. Deri në Burrel rruga është e kalueshme, por nevojitet shumë vëmendje. Kthesat, gropat, mungesa e sinjalistikës dhe parmakëve anësorë, e bëjnë qarkullimin të rrezikshëm për drejtuesit dhe udhëtarët.
Aksi nacional Klos-Bulqizë është një nga rrugët më të vështira për t’u përshkuar. Në këtë rrugë nuk është ndërhyrë prej së paku 2 dekadash. Për drejtuesit e mjeteve, rruga e vjetër nuk është më e kalueshme. Për ta, zgjidhja e vetme është Rruga e Arbrit.
“Kjo është katastrofë. Boll më, na u shkatërruan makinat”, thonë drejtuesit e makinave.
E njëjta situatë përsëritet rrugës për ne Bulqizë dhe Maqellarë, ku shpeshherë duhet të kujdesesh për të shmangur edhe rrëshqitjet e dherave në rrugë. Pas 4 orë e gjysmë apo 5 orë për më të kujdesshmit, mbërrin në Peshkopi. Vetë dibranët janë skeptikë për përfundimin e Rrugës së Arbrit, që do i lidhte ata për vetëm 45 minuta me kryeqytetin.
“Rruga e Arbrit është kryesore. Gënjeshtrat janë pafund ama. Do të ishte e leverdishme shumë. Nuk besojmë se do të bëhet ndonjëherë. Dibra ka punë të tjera për të rregulluar përpara Rrugës së Arbrit”, thonë qytetarët.
Ndërsa rruga e re nuk po ndërtohet dhe rruga e vjetër vazhdon të shkatërrohet, dibranëve nuk u mbetet veçse të presin dhe të vendosin se ku do ta çojnë votën, në një proces zgjedhor që i ka kaluar caqet e zgjedhjeve lokale.