Një shkrim i pabotuar i Faik Konicës për marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase
Rubrika Faik Konica – histori e aktualitet
Duke vijuar rubrikën “Shkrime të Faik Konicës me tematikë aktuale”, të nxjerra nga revista e tij “Albania” dhe të pabotuara që nga ajo kohë, ramë edhe në dokumentin e mëposhtëm me vlerë të veçantë historiko-aktuale. Bëhet fjalë për “çështjen maqedone”, e cila po “zgjidhej” nga qarqet diplomatike të fillim shekullit XX në mënyrë arbitrare dhe në kurriz të çështjes shqiptare. Faik Konica, figurë e spikatur patriotike dhe personalitet i afirmuar politik në botën shqiptare e më gjerë, kërkohet në takim të drejtpërdrejtë, në fund të vitit 1901, nga Boris Sarafov (1872-1907), kryetar i komitetit maqedon për lëvizjen “revolucionare” e separatiste në Maqedoni, lëvizje kjo e nxitur dhe e përkrahur, ndër të tjera, nga qeveritë bullgare e serbe. Me nuhatje të fortë politike, patrioti shqiptar i kundërvihet intrigave të Sarafovit, demagogjisë që ky përdor për të mashtruar shqiptarët, si dhe veprimit që ndërmerr për të “çarë udhë të gjakshme në kurm të popujve të huaj”, siç shprehet Konica, tek ka parasysh në radhë të parë kombin shqiptar. Me gjuhë tepër të ashpër, ai godet edhe shqiptarët e gënjyer, që pandehën se Sarafovi do ndihmonte lëvizjen shqiptare, e më keq akoma, ata që i ranë pas atij thjesht për të fituar një kacidhe, duke i shërbyer si mish për top e duke vrarë vëllai-vëllain. Si largpamës i vërtetë, Konica kërkon t’u hapë sytë bashkëkombasve, t’i ndërgjegjësojë për veprimet e tyre të marra, tek përdor fshikull të ashpër dhe tek vë pikat mbi -i- se “e vetëthëna Maqedoni”, siç e cilëson ai (me emërtim thjesht gjeografik) po sajohej në kurriz të kombit shqiptar dhe të interesave të tij.
Konica i boton këto kujtime me rastin e vrasjes së Sarafovit në Sofie, më 1907, nga qarqe të brendshme kundërshtare, duke e vënë theksin në mësimet që duhet të nxjerrin shqiptarët nga historia për t’u përqendruar në interesat e tyre kombëtare. Dhe historia nuk është e largët, por daton nga fillimi i shekullit XX, kur u cenua rëndë dhe padrejtësisht tërësia gjeografike dhe etnike e kombit shqiptar në “Tre Vilajetet e Rumelisë”, Selanik, Manastir e Kosovë, ku shqiptarët, që përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë, e panë veten të dëbuar kafshërisht nga vatrat stërgjyshore dhe të njihnin nën kërbaçin e shqaut kushtin “sous-homme” (nën njeri).
Sot, kur shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë të fyen e të poshtërohen pa të keq dhe kur merren nëpër këmbë të drejtat e tyre të ligjshme, e kemi për detyrë të ngremë zërin tonë në përkrahje të fatit të vëllezërve tanë dhe të dëgjojmë këmbanat dhe buritë koniciane të alarmit: Se përherë fqinjët tanë kanë pasur dhe kanë zbatuar ndaj nesh “dy masa, dy pesha”, pra dy standarde, apo siç shprehet Konica dy programe: “një të shkruar a të folur, një tjetër të pashkruar e të pafolur”; një që hiqen si miq dhe tjetri që vepron si përherë nga pas kurrizit dhe në kurriz të interesave të kombit shqiptar.
Vetëm një Europë e Bashkuar, me emancipim të shëndoshë politiko-shoqëror të Ballkanit duhet të vërë në vend padrejtësitë historike dhe të shmangë fuçinë e dikurshme të barutit të Turqisë europiane që e la peng perandoria osmane në rënie dhe loja e rrezikshme diplomatike e Fuqive të kohës. /Monet Maneshi
****
Boris Sarafov – Ca kujtime dhe ca mendime
Nga Faik Konica
Albania nr.2, 1907
Një ditë, gjashtë vjet më parë, në Bruksel, më erdhi në shtëpi një djalosh i gjatë, me një ballë e me faqe pak si të verdha, me sy të ngulët; fytyrë asketi, fytyrë njeriu që vuan e që mendon, apo njeriu të sëmurë? – nuk e di. Po s’kam dyshim se ishte një djalë i mençur dhe mënyrat e ëmbla të tij më çudisnin. Ky zot, si i tregova një ndenjëtore dhe iu luta të rrijë, më tha se ish “maqedonas”, edhe se “kryetari i tij Sarafovi”, i cili kish ardhur në Bruksel, dëshironte të njihej me mua. Në qoftë se kisha edhe unë atë dëshirë, ku mund të piqeshim? Dhe në pak fjalë, anëtari i Sarafovit më dha programin që kryetari i tij do më hapte [shtjellonte] më gjatë. U përgjigja se isha gati ta pres, të njihemi, të kuvendojmë kur dhe ku të donte. E bëmë të vinin që të dy pas dreke në shtëpi; dhe ashtu, më tre pas dreke, një trokëllimë në derë të rrugës më shënoi ardhjen e tyre.
Fytyrë të fryrë, dhe më e kuqe se e verdhë, sy të krisur jashtë si dy të mëdha gështenja tepër të pjekura, qafën të shkurtër dhe posi të prerë, jakën e gunës frënge të ngritur nga prapa, më i shkurtër se i gjatë, më i trashë se i hollë, duar të majme dhe të dërsira: kështu m’u duk Sarafovi.
Të dy gështenjat e plasura që kish nën ballë, të cilat i lëvizte në të mëngjër e në të djathtë posi një njeri i mësuar me gracka dhe i rritur në mes dyshimesh e pusirash, shfaqnin natyrën e ligë të tij dhe prapësinë. Po posa hapte gojën, përshtypja e ligë që bënte, harrohej menjëherë. Sarafovi dinte frëngjisht, por jo mjaft për të mos pasur nevojë për ndihmë: herë-herë qëndronte dhe ahere miku i tij e mbaronte frazën e tij. Zëri i tij ish i bukur, të ndenjurit si të një burri të rritur mirë dhe çudi! i mungonte ajo mani që kanë gjithë njerëzit e Ballkanit, për më tepër bullgarët, të flasin duke përcjellur fjalët me dorësime të egra. Nuk dua ta mohoj: ky njeri i mbytur në gjak, kish gjer në një pikë sjelljen e një ushtari dhe të një zotërie. Dhe në këtë, ndofta jo më pak se në energji të tij, gjejmë hapësin e punëve që mundi të mbarojë.
Sarafovi, kur u poqa me të, kish një mendje dhe një nderim të madh për shqiptarët. Të paktën ashtu e kuptova ahere, jo aq nga ato që më tha, se nga ato që nuk më tha; në ndërroi pastaj, dhe pata provën që ndërroi, kini për të parë më poshtë se kish arsye mjaft të shëndosha.
Qëllimi i pjekjes së Sarafovit me mua ish të më kërkonte ndihmën e shqiptarëve për të kallur armë në të vetëthënën Maqedoni nga bregu i detit tonë. Me fjalë të tjera, donte që shqiptarët e një ane të dërgonin armë për vrasjen e shqiptarëve të një ane tjetër. Po përveç këtij qëllimi të veçantë, Sarafovi kish një më të përgjithshëm e më të gjerë: dëshironte një marrëveshje e një lidhje të shëndoshë me shqiptarët. Më thosh: të dy kombet tona janë të vendosura në një të tillë mënyrë sa natyra u thërret të bashkojnë forcat e tyre. Njëri nuk mund të përparojë pa miqësinë e tjetrit. Që të dy kanë për armiq turkun dhe grekun. Pse të derdhim gjakun e njëri-tjetrit që t’u bëjmë zemrën armiqve të përbashkët? “Dhe, a doni, shtonte Sarafovi, t’ju jap një provë që jam zemërbardhë dhe s’dua të rris Bullgarinë, por të themeloj një Maqedoni të lirë, për të cilën Shqipëria nuk duhet të ketë përveçse miqësi? Mjaft të them një fjalë, mjaft ta siguroj Bullgarinë që do të punoj pas qëllimeve të saj, dhe udha e kësaj princërie më hapet menjëherë për të kallur armë në Maqedoni. Në qoftë se jua kërkoj juve këtë nder, shkaku është se qëllimet e mija u qasen më afër interesave të Shqipërisë se të Bullgaris”. Tre a katër muaj më pas, në një letër që më shkruante nga Zvicra, në bashkëpunim me një nga më të diturit përvendas të tij, më përsëriste po ato siguri.*
Këto, dhe të tjera që më thosh Sarafovi, s’ka një shqiptar që të mos i pëlqente. Programin që më shtroi, s’ka një atdhetar që të mos e shënonte (nënshkruante) me gjithë zemër. Por mjerisht, Sarafovi dhe shokët e tij, si dhe grekët, si dhe serbët, kanë dy programe: njërën të shkruar a të folur, tjetrën të pashkruar e të pafolur. Këta, nga një anë na ftojnë të bëhemi miq, nga ana tjetër sillen në një të tillë mënyrë që puna i nxjerr fjalët e tyre krejt të rrena. Si një njeri që ish i ftuar te mua, Sarafovit nuk mund t’i thosha në sy që nuk i zija besë. Po i dhashë të kuptojë se qëllimet e tij, të konceptuara liksht, kanë shtënë në mendje të shqiptarëve dyshime të vështira për t’i hequr. Shtova se mendimet e tij do t’i bëja të njohura ndër miqtë e mi. U gëzua shumë dhe, kur u ndamë, më përqafoi pas mënyrës së vjetër të viseve tona.
Fjalën që i kisha dhënë Sarafovit e mbajta. Ca shqiptarëve besnikë që i dija të zotët të reflektonin, u shkrova gjerë e gjatë dhe i pyeta. Të gjithë m’u përgjigjën se kisha të drejtë, edhe që programi i pafolur e i vërtetë i Sarafovit u dukej kundër interesave të kombit shqiptar: Si pra të vemi t’i ndihim një armiku, aq më tepër i rrezikshëm sa dhe i fshehur?
Për fat të zi, këto fjalë të larta, pak shqiptarë qenë të zotët t’i thonë. Nipa të çsojësuar burrash të fortë, ç’poshtërsi nuk janë gati të bëjnë për të fituar një kacidhe?… Kur u hap fjala se Sarafovi dëshironte të lidhej me shqiptarët, me zjarr e me vrap, me sulm e rrebesh, toskë e gegë, mëmëdhetarë pak a shumë të shenjtëruar, malësorë që hanë barutin me grusht a me torbë dhe janë gati të luftojnë me të shtatë rigatat, të gjithë u hodhën përpara dhe, turmë e dërsitur e pa frymë, vanë e ranë në këmbë të Sarafovit. “Aman Sarafov, urdhërona! Dëgjuam se nga argjendi që nxore nga shpërblimi i Miss Stone-s, qenke gati të falësh një pjesë për të ndihur lëvizjen shqiptare, që të fitosh miqësinë e kombit shqiptar, miqësinë tonë. Ja ku e ke kombin, ja ku na ke në këmbë! Aman Sarafov, fol! Aman një urdhër! Mos ki turp, duke kujtuar se jemi ç’ishin gjyshërit tanë. Vërtet jemi edhe ne kryelartë, por kur na del hesapi. A pamë atë më të voglin fitim të ulemi? Nuk po ulemi, por po biem në gjunjë. S’ka burra zemërlartë dhe mendjelirë në mes tonë; edhe në u ndodhshin ca të paktë, një instinkt poshtërsie na bën t’i nuhasim, t’i gjejmë, t’u biem dhe t’i sosim. Të ndarë në çdo gjë e në çdo punë, bashkohemi të gjithë me një disiplinë të çuditshme, që nga telakët e gjer te vezirët, për të urryer e për të shpifur ndaj shqiptarëve më të mirë se vetja jonë. S’vijmë të të shesim nderin, se nder s’kemi. Vijmë të të shesim pështymën. Urdhëro, dhe jemi gati të pështyjmë çdonjërin që s’të lë të shkelësh kombin tonë. Sikur të mos ish vendosur tepër lart që të arrinte pështyma, edhe Skëndebenë do ta pështynim po të na urdhëroje.**
Dhe, që të të dëftojmë se sa pështymë kemi, shikona si zihemi që të arrijmë të parët të të lëpijmë këpucët…”.
Kjo nuk është një fantazi letrare. Është e vërtetë pikë për pikë. Kur u mësua se Sarafovi donte një marrëveshje me kombin shqiptar – qindra mëmëdhetarë, atdhetarë, patriotë, matriotë, trima, vjershëtorë, aristokratë, demokratë dhe telakë të tjerë, u sulën që t’i falen dhe t’i përkushtohen me shërbimet e tyre; shumë kërkuan nderin që t’i flasin; të paktët që mundën t’i qasen, i folën me një poshtërsi aq të paturpshme, sa që atë ditë e pastaj, siç dëgjova, Sarafovi nisi t’i kontemnojë (poshtërojë) shqiptarët. Vërtitje e çuditshme e botës! Zbritësit [pasuesit] e një kombi, i cili u thye po s’u ul dot prej Cezarëve, bien në këmbë të një Sarafovi!…
Dhe çudi më e rrallë, i ditur në histori të themelimit të kombeve, nëqoftë se thua që një popull i vogël, i vobektë dhe i mbetur prapa, nuk mund të bëjë gjë pa ndihmën lendore e morale të ndonjë mbretërie të madhe – këta njerëz, me gjuhën akoma të zezë nga boja e këpucëve të Sarafovit, venë e të përgjigjen me të shara dhe me argumente telakësh…
Por poshtërsia e këtyre njerëzve nuk duhet të na bëjë të padrejtë për Sarafovin, i cili në këtë rast, s’pati as atë më të voglin faj.
Cili është pra, mendimi im i fundit përmbi Sarafovin?
Sarafovi ish, pikë për pikë, po njëmijë herë më i vogël, pasqyra e dy njerëzve të shkëlqyer të farës së tij, Xhinxhis Khanit dhe Timurlengut. Forcë e verbër e sulur përpara, shihte vetëm qëllimin dhe, pa parë, pa dëgjuar, shtypte dhe prishte çdo gjë që ndodhej në vijë të drejtë të tij. Sarafovi ish një njeri tmerr, se ish një njeri pa vetëdije. Djalë i një race të rreptë dhe luftëtare nga natyra, po e shtrënguar të ulë kokën dhe të heshtte nga mjerimi i kohëve, Sarafovi vetësoi tërë një komb, dhe pesëqind vjet zemërimesh, të fshehura në miliona krahërorë, krisën posi rrufeja nga goja e tij.
Një njeriu të tillë është lajthim t’i jepet emri hajduk. Që Sarafovi ka qenë vetëm një kryetar bandash është një goditje (aksident) historie: mendja, forca e karakterit, durimi i palodhur që shfaqi në një mënyrë të çuditshme, treguan mjaft se ç’do të ish bërë sikur të kish pasur rasën. Mbret, khan, hetman, gjeneral, secilido nga këta tituj mund t’i jepet, ndofta gabimisht sa për formën, por jo sa për vlerën e fjalëve.
Ne, që kemi tradita kalorësie, ne, që kemi për pasqyrë Skënderbenë, i cili ka qenë përqasur edhe me Shën Luisin e Francës, edhe me Bajardin, nuk prisnim të na jepte Sarafovi një mësim burrërie të rrallë: Ky njeri, i cili çante nëpër kurme të popujve të huaj, një udhë të gjakshme për popullin e vet, nuk gënjeu kurrë ndonjë nga anëtarët e tij; dora e rrufenjtë, me të cilën shkretoi aq vende, ishte e paqme nga gjaku i miqve.
*Gjenevë, 11 mars 1902: “… mirëkuptimi i dy popujve tanë që, falë fatit të tyre jetësor dhe aspiratave që ushqejnë, duhet të ndihmojnë shoqi-shoqin ndërsjelltas në veprën e tyre të çlirimit e të përparimit”: – “kam shpresë se ne mund të bashkojmë përpjekjet tona kundër tiranisë, e cila ka mbijetuar vetëm në sajë të mosbashkimit tonë”; – “…i kam dhënë përfundimisht lëvizjes revolucionare në Maqedoni karakterin e pavarësisë që ruan sot falë sakrificave të shumta” (shënim i Faik Konicës në origjinal, sikurse edhe shënimi që pason).
** Një punë e tillë ngjau, para tre a katër vjetësh në Itali. Një gegë, i paguar për të sharë guxoi të thotë se Skënderbeu kish qenë një hajdut”. Dhe çudi! Asnjë nga patriotët që hanë barut me grushte nuk ngriti shkopin që t’ia zbrazte mbi kokë me të dy duart dhe me gjithë forcën e krahëve.
Përgatiti me drejtshkrimin e sotëm: M. Maneshi