Paule Fercoq de Leslay, një grua mes burrave të Kullës së Oroshit
“Djalli po kalonte nëpër botë. Duke kaluar nga këto anë, thesi që mbante plot gurë u ça dhe rreth e rrotull vendi u mbush me shkëmbinj…”
…Këto fjalë të studiuesit francez të shekullit të 19-të, Delagrave, të nxjerra nga një legjendë shqiptare a malazeze, i kujtoheshin gazetares franceze Paule Fercoq de Leslay sa herë ngjitej e ulej për tetë muaj me radhë në malet shqiptare në vitet ‘30 të shekullit të kaluar.
Me një stil të këndshëm dhe të shtruar rrëfimtar, gazetarja e njohur, ashtu si dhe anglezja e famshme Mis Durham dhe amerikania Rose Wander Lane, përshkruan me një ndjenjë të thellë respekti dhe dashurie jetën shqiptare të atyre viteve.
E para që jep informacion për këtë gazetare, mike të shqiptarëve, është gazeta “Iliyria” e vitit 1935, e cila shkruan se Kontesha Paule Frecaq de Leslay, përfaqësuese e gazetës franceze “L’Intrasigent” ndodhej në Tiranë. Më pas, më 4 janar 1936, po kjo gazetë jepte njoftimin për kthimin e gazetës franceze nga udhëtimi i saj i 9-të i gjatë nëpër malësi. Ajo udhëtimin e filloi nga Shkodra, ku bleu dy kuaj dhe me qera pesë të tjerë. Zotërinjtë e kuajve si
dhe një xhandar e shoqëronte atë në udhëtimin e saj. Përshkroi rrugën drejt Vermoshit, e mahnitur jo vetëm nga natyra por edhe nga kodet e jetës shqiptare e këtij “qytetërimi tremijë vjeçar, që ka rënë në gjumë magjik,,.
Pasi la Vermoshin shkoi në Pejë e pastaj zbret drejt Drinit. Karvani shkon në Prizren, pastaj në Gjakovë, dhe karvani vazhdon udhëtimin përmes maleve, në grykat e lumenjve, në Pukë, Mirditë, Orosh. Kur zbret në Lurë, ishte një ditë dasme, “Nusja mbuluar me duvak të kuq. Ajo tundej nën krismat e pushkëve. Në çdo shtëpi që kaloje, me luteshin e më ftonin që të qëlloja me armë edhe unë. Ç’udhëtim i lumtur, kur armën time e përdor vetëm për të përshëndetur miqtë e mi,,.
Është muaj i shatë i udhëtimit, dhe ajo gjendesh në malin e “Korabit, në lartësinë 2600 metra. Pamja e parë e saj ishte e pabesueshme, kishte një gëzim fëmije. Larg shquhej maja e Tomorrit, nga lindja fusha pjellore e Metalisë, akoma më shumë më larg Ohri, i cili shkumon ajo “që nga koha e Aleksandrit të Madh, nuk i ka ndryshuar format e barkave të Liqenit,,
Për gazetaren Paule Fercaq de Leslay udhëtimi në jug ka të tjera ngjyra e imazhe. Në reportazhin e saj me titullin “Shqipëria e Jugut, tokë e rrënojave antike dhe pasurive të ardhshme,, ajo shkruan se ka qytete ku ’’ideja e unitetit kombëtar rri zgjuar,, etj.
Përshtypje të veçantë ka për Korçën, të cilën e quan “Krenaria e intelektualëve Shqiptarë, apo Beratin”, qytetin e dytë shqiptar për bukurinë, pas atij të Shkodrës.
Në Apolloni ajo takohet me arkeologun francez Leon Rey. Pas kësaj vizitoi Butrintin, Finiqin dhe shkruan se invazionet romane, normane, pushtimi i gjatë Osman, e kanë shkatërruar jetën e fisit në jug, në favor të jetës në një komunitet më të gjerë. Ajo përmend shqiptarin e shquar Mehmet Aliu, një nga figurat e historisë së Egjiptit të Vonë, flet për Ali Pashë Tepelenën, për regjimentin e shqiptarëve që luftoi përkrah ushtrisë së Napolonit Bonopartit e tjerë.
Për këtë udhëtim të gjatë edhe të rrallë, shumë pak fakte e ngjarje janë hedhur në reportazhet e botuara në të “Illustration”, në vitin 1939. Forcaq, nuk u martua, por kishte veshjen e saj aventuroze, gjersa në moshë të thyer, ishte tërhequr në një shtëpi të saj në Bell “Ile”, një ishull në bregun perëndimor të Francës, në Atlantik. Atje në banesat private, vrasësit, pasi i morën gjithë byzylykët dhe rubinët, e vrasin.
Një “Dianë” shpateve të maleve shqiptare
Por ai që ka gërmuar më tej lidhur me këtë personalitet të shquar, është njohësi më i mirë i yni i arkivave franceze, studiuesi dhe publicisti, Luan M. Rama. Ja ç’shkruan ai për Fercoq dhe sidomos për fundin e saj tragjik:
“Ishte rastësi t’i zbuloja këto dy shkrime të ruajtura me aq dashuri e kujdes nga një emigrant në Paris. Pasi i lexova, u përpoqa të gjeja gjurmët e kësaj udhëtareje, të dija nëse ishte ende gjallë dhe nëse kishte shkruar të tjera gjëra për Shqipërinë, apo jo. Pyeta në shumë familje me të njëjtin mbiemër në Paris, por Paule Fercoq de Leslay sikur kishte humbur njëherë e përgjithmonë nëpër mjegullën e kohës. U befasova kur në shtëpinë e ish diplomatit francez në ambasadën franceze në Tiranë gjatë viteve ‘30, René Lescuyer, u ndodha përballë një fotografie të rrallë të Fercoq: një grua mjaft e bukur që i përngjante një aktoreje hollivudiane. Për më tepër ajo kishte qenë e dashura e diplomatit simpatik gjatë qëndrimit të saj në Tiranë.
Im shoq, – më pohoi gruaja e tij,- më ka folur gjatë për të. Një flirt disa muajsh në mjediset e Tiranës, shëtitje me kuaj, ballo, shëtitje në breg të Adriatikut”… Pastaj ajo nisi të më tregojë jetën e mëpasme të Fercoq, e cila nuk ishte martuar, por kishte vazhduar jetën e saj aventuroze, gjersa në moshë të thyer ishte tërhequr në një shtëpi të saj në Bell’Ile, një ishull në bregun perëndimor të Francës, në Atlantik. Por një ditë fqinjët e saj e gjetën të vrarë. Vrasësit ia kishin marrë gjithë byzylykët dhe rubinët që i kishin mbetur nga e kaluara dhe ishin zhdukur në mënyrë misterioze.
Shpesh mendoja se po të kishte qenë gjallë dhe ta takoja, ajo mund të më zbulonte plot histori që nuk i kishte shkruar në një revistë si “Illustration”, por që i kishte ruajtur si kujtime të pashlyeshme. Por ja që vdekja ia kishte mbyllur sytë dhe gojën, dhe asnjë kujtim i bukur nuk mund të pohohej më. Për më tepër, fondi i saj fotografik duhej të kishte qenë i jashtëzakonshëm, pasi të bridhje maleve shqiptare me një aparat fotografik në dorë gjatë tetë muajve, ajo çka duhej të ruante ajo do të kishte qenë një arkiv i tërë i maleve shqiptare në vitet ‘30.
***
Imagjinoni një çast këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të saj, ndjekur nga vështrimi i malësorit, që pas pesë vjetëve po linte kullën e ngujimit, errësirën, muret e nxira dhe të errëta, një copëz qiell të gjymtuar për gjithnjë dhe që tashmë udhëtonte në liri, dehej me natyrë, gëzonte bregoret e ujëvarat dhe natën, pranë zjarrit, kjo e huaj i ngjante padyshim me një shtojzovalle apo zanë, si ato të kreshnikëve. S’dihej kush zot e kish hedhur atë në këto anë për ta lumturuar atë…Kështu, kjo grua, si dikur Durham, e dashuruar aq shumë pas shqiptarëve, udhëtonte në zbulim të traditave, të mikpritjes dhe vitalitetit të këtij kombi, që “tashmë prehej në heshtje, i lodhur nga luftërat shekullore”, siç do të shkruante ajo. “Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të pellazgëve të vjetër, e nis reportazhin ajo, – raca e tyre para së gjithash është e fisme. Një tip shtatlartë, krenar, dinjitoz, dhe më i bukuri që mund të shohësh pas gjeorgjianëve, me të cilët ngjasojnë”. Pothuaj të njëjtën gjë kishte shkruar më parë edhe gjeografi e etnografi francez Jacques Bourcart, i cili kishte ndjekur rrjedhën e Shkumbinit për 3 vjet radhazi në vitet ‘30 të këtij shekulli. “Shqiptarët, shkroi ai, kanë një frymë perëndimore, ata janë të gjallë e kuriozë, të gëzueshëm dhe të hapët në miqësi. Për antropologët, ata duhet të jenë specia më e bukur njerëzore në Europë. Veçanërisht nëpër male të bije menjëherë në sy bukuria fisnike e burrave”.
Kështu filloi aventura shqiptare e gazetares Fercoq de Leslay. Pak gjëra dihen rreth këtij personazhi enigmatik, pasi emrin e saj nuk i gjendet emri në botimet franceze, apo në revistën “Illustration” më vonë. Ç’ishte ky udhëtim i saj në një vend të panjohur?! Një pasion i thjeshtë apo e mërzitur nga bota mondane që e rrethonte kërkonte botë të tjera, të pashkelura, vende ku shpirti i takonte tokës, mikut dhe qiellit, e jo parasë.
***
Kur ajo zbret në Lurë, është një ditë dasme. Ç’spektakël për të. Rite të lashta që vetëm këtu në zemër të Ballkanit mund t’i gjente: motra e Ago Ymerit që kthehej në qyqe, histori virgjëreshash të maleve, vdekje spektakolare me thirrjet e “gjamës”, rroba të përgjakura të vrarësh që prisnin me vite ditën që më së fundi të laheshin..”Nga të gjitha anët mbërrinin të fejuar mbi kuaj, mbuluar me duvak të kuq. Ajri tundej nën krismat e pushkëve. Në çdo shtëpi që kaloja më luteshin e më ftonin që të qëlloja dhe unë. Ç’udhëtim i lumtur, ku armën time e përdora për të përshëndetur vetëm miqtë e mi”. Nuset që qëndronin disa ditë të palëvizura, me duart e fshehura nën një cohë të bardhë të qëndisur dhe me sytë përdhe për ta parë miqtë dhe krushqit, ajo i cilëson si “martire të pagoja”.
***
Duke lexuar shënimet e Fercoq, lexuesi duket se i tejkalon radhët e zakonshme të tekstit për të kaluar në një tjetër gjendje, atë të imazhit, vizionit, imagjinatës, filmit ose më mirë ëndrrës, me ata personazhe që fillojnë të gjallërohen, që ecin, ditë e natë, drejt të panjohurës, dehjes me natyrën, por dhe në mëshirën e rrufeve të qiellit dhe tërbimit të stuhive.
Në atë natyrë alpine, Dianës franceze i ngjante se miti dhe legjenda bashkëjetonin në mënyrë harmonike me realitetin e maleve shqiptare të viteve ‘30 të shekullit XX. Kulla që u hapin portat edhe vonë pas mesnate, rapsoditë e gjata dhe rapsodët shekullorë, rite e kambanore që kumbojnë majëmaleve, thirrjet majekrahi për të lajmëruar ardhjen e zonjës nga Evropa.
Mes malësorësh, kullave të ngujimit
Gjatë udhëtimit të gazetares franceze në kullën e Oroshit dhe takimi me bajraktarin e Oroshit, diku nëpër fshatrat e Mirditës, asaj i ishte shfaqur diku dhe një djalosh i pashëm, 32- vjeçar. “Ai, – shkruan ajo në reportazhin “E kaluara e gjallë në Shqipërinë e panjohur”, – më tregon se kurrë nuk kishte dalë nga kulla që prej pesë vitesh, sepse mund të vritej nga gjakësi. Por ai më tha se do të ishte i lumtur po të udhëtonte e të shoqërohej nga unë gjatë dy ditëve. E pranova, pasi prania ime ishte një mburojë për të. Kurrë një shqiptar nuk qëllon mbi hasmin, kur ai është i shoqëruar nga një mik apo një grua, nga frika se mos qëllon mbi të. Dhe kështu unë e çova atë në shtëpinë e një prej njerëzve të tij. Në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm më ndiqte vështrimi i malësorit, që pas pesë vjetëve po linte kullën e ngujimit, errësirën, muret e nxira dhe të errëta, një copëz qiell të gjymtuar për gjithnjë dhe që tashmë udhëtonte në liri, dehej me natyrë, gëzonte bregoret e ujëvarat dhe natën, pranë zjarrit, unë, një grua e huaj i ngjaja padyshim me një shtojzovalle apo zanë, si ato të kreshnikëve, që s’dihej kush zot e kish hedhur atë në këto anë për ta lumturuar atë qoftë edhe përkohësisht.
Shqipëria, ky cep i botës së panjohur
Më 1936, duke studiuar një hartë të vjetër austriake të Shqipërisë, Fercoq zbuloi se mbi konfiguracionin e saj, në Veriun shqiptar, ishte shkruar fjala “e pa eksploruar”. Kjo fjalë e çoi atë në Shkodër, ku bleu dy kuaj dhe mori me qira pesë të tjerë, siç tregon vetë ajo. Zotërit e kuajve si dhe një xhandar e shoqëruan atë në udhëtimin e saj. “Mora një revolver të madh dhe në xhep vura një busull, në brez një faqore raki. Shkodra është qyteti më i bukur i Shqipërisë. Natën, rrugës, ulur pranë zjarrit, burrat më mësojnë me padurim fjalë të gjuhës shqipe…Sa e sa herë kur udhëtoja në ato male mbi dy mijë metra mbyllja sytë se mos shihja kuajt të binin poshtë në humnerë…Një natë, pranë zjarrit tonë u afrua një malësor i panjohur, një kaçak që vinte nga larg. Kishte qenë tutje në Serbi dhe tani vinte të merrte djalin dhe gruan për të mërguar. Njerëzit e mi të karvanit i japin bukë misri dhe qumësht pluhuri që ta ketë për rrugës. Ai më kërkoi plumba… Ia dhashë, bashkë me një palë opinga”…
Jugu i Shqipërisë, jo fisnor si Veriu, por komunitar
Për gazetaren de Leslay, udhëtimi në jug ka të tjera ngjyra e imazhe. Në reportazhin e saj me titull “Shqipëria e Jugut, – tokë e rrënojave antike dhe e pasurive të ardhshme”, ajo përshkruan një vend me zakone më pak të ashpra se sa Veriu shqiptar, një jug ku “ka më pak vrasje për çështje nderi dhe më shumë zënka politike”, me qytete ku “ideja e unitetit kombëtar rri zgjuar”, etj. Përshtypje të veçante ajo ka për Korçën, të cilën e quan”krenari e intelektualëve shqiptare”, apo për Beratin “qytetin e dytë shqiptar për nga bukuria, pas atij të Shkodrës”. Në Apoloni ajo takohet me arkeologun francez Leon Rey. “Më shumë se njëmijë objekte janë mbledhur këtu, nga më të çmuarat, si një seri vazosh të shekullit të V-të para Jesu Krishtit. Veç disa statujave, të gjitha të tjerat, janë shkatërruar nga ushtritë italiane, që pasi bombarduan muzeun e Vlorës, e braktisën pastaj atë”. Ajo shkruan, gjithashtu, për gjetjet e Butrintit dhe ato të zbuluara në Finiq. Invazionet romane, normande, pushtimi i gjatë osman, e kanë shkatërruar jetën e fisit në jug, në favor të jetës në një komunitet më të gjerë. Njerëzit emigrojnë lirisht dhe kanë një shpirt aventure”. Ajo përmend shqiptarin Mehmet Ali, një nga figurat e shquara të historisë së Egjiptit të vonë; flet për Ali Pashë Tepelenën, për regjimentin e shqiptarëve që luftoi përkrah ushtrisë së Napoleon Bonapartit, etj. Padyshim, nga ky udhëtim i gjatë e i rrallë për atë kohë, shumë pak fakte e ngjarje janë hedhur në reportazhet e botuara në “Illustration”, më 1939.