Albspirit

Media/News/Publishing

Piktorja Zake Prelvukaj ekspozon në Londër

 

Femra dhe kompleksiteti i saj.

Ndjeshmëria, butësia dhe “djalli” që gjendet brenda saj në perceptimin shoqëror.

Të gjitha këto të hedhura në letër përmes ngjyrave, vijnë nga dora e mjeshtrës së pikturës, Zake Prelvukaj, e cila feminizmin e saj në art, do ta shpalosë në kuadër të një ekspozite në kryeqytetin britanik.

Piktorja e mirënjohur kosovare Zake Prelvukaj, është ftuar për të marr pjesë në ekspozitën “Seeds + Soul” që do të mbahet nga mesi i muajit shtator në Londër.

NWGallery që organizon këtë aktivitet të artit pamor, në njoftimin për këtë ngjarje, e ka vlerësuar lart piktoren Zake Prelvukaj, duke e quajtur një artiste shumë të kompletuar nga Kosova, të përshkruar shpesh si një “veterane” dhe pioniere në artin feminist në Ballkan.

Në prezantim thuhet se qëndrimi i saj ndaj krijimeve artistike, teknika që ajo përdor, dhe subjektet e saj janë gjithmonë unike dhe të papërpunuara në substancë.

“Zake me punimet që do të prezantohet në këtë ekspozitë trajton magjepsjen sociale me gjininë femërore dhe personalitetin femër që në njërën anë është e ekspozuar dhe e perceptuar si djalli, e në anën tjetër si engjëll i kryqëzuar social. Përmes punës së saj, Zake me mjeshtëri përshkruan gruan, si një qenie njerëzore me aftësinë për të shkaktuar dhimbje, por edhe për të siguruar dhe për të marrë kënaqësi”, thuhet në njoftimin e NWGalery, shkruan KultPlus.

Krahas Zakes, në këtë aktivitet të artit pamor do të paraqitet edhe Lala-Meredith Vula që aktivitetin e saj e zhvillon mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës si dhe shtatë artiste tjera ndërkombëtare nga Lindja e Mesme, Ballkani, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të nëntë pjesëmarrësit janë: Inaya Fanis Hodeib (Liban), Marya Mohd AlQassimi (Sharjah), Zake Prelvukaj (Kosovë), Summer Yates (SHBA), Ayça Koseogullari (Turqi), Lala-Meredith Vula (UK / Kosovë), Fatima Mortada (Liban), Annie Kurkdjian (Liban), Jessa Leff (United Kingdom).

Ekspozita do të hapet më 19 shtator në Galerinë Menier të Londrës dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 24 shtator 2016. Ajo organizohet nga NWGallery me bazë në Kembrixh në bashkëpunim me ARTUM, një platformë ndërkombëtare e përqëndruar në Art dhe Trashëgimi Kulturore brenda Akademisë së Kembrixhit për Çështje Globale.

Please follow and like us: