Albspirit

Media/News/Publishing

POLEMIKA/Kur Fan Noli dhe Faik Konica debatonin për Ahmet Zogun

 

Nga Fan Noli

Gazetës “Dielli”, Boston. “Lirisë Kombëtare”, Genevë.

Zoti Drejtor, mësova me hidhërim të thellë që Kuvendi i Vatrës ka vëndosur të mbanjë një qëndrim të paanshëm kundrejt Mydyrit të Pasiçit, që quhet-faqe mender- President i Republikës Arnaute. Këtë Atitudë e proponoj Komisioni i vjetër dhe e pëlqeu Kuvendi për dy shkake: 1) se qeveria e kaluar qe aq’ e keqe sa e sotmja, 2) se po të kundërshtohet qeveria e sotme, munt të prishet Shqipëria. As njëra prej këtyre të dy arsyeve nukë qëndron më këmbë përpara një kritike të paanëshme dhe gjakftohtë. Qeveria e Qershorit 1924 nukë qe ideale, vërtet. Mungesat e saj, s’munt t’ja dij askush më mirë se i nënëshkruari që e ka parë maqinën e saj të punojë përs’afërmi. Po, pasi t’i ngarkojmë mi kurris kritika mi kritika, duhet të nëmërojmë në favor të saj ca të mira për faqe të bardhë:

1) Njerzit e saj qenë patriotë të kulluar: Hipnë në fuqi me dëshirën e popullit dhe pa asnjë ndihmë të jashtëme. S’kanë dhënë shteteve fqinjë asnjë copë të tokës shqiptare për të qëndruar në fuqi. Përkundër fituan përfundërisht për Shqipërinë të katërmbëdhjetë fshatrat e Korçës.

2) Qenë mprojtës të pasurive, të shtetit: Nuku u dhanë kapitalistëve të huaj pasuritë e Shqipërisë për të fituar simpathinë dhe përkrahjen e tyre.

3) Qenë të nderçëm: bënë kursime të çudiçme, lajtën borxhe prej miliunash të guvernave të kaluara dhe ballancuan buxhetin pa kleçka me një tepricë prej një miliuni franga ar, vepra këto të gjitha të Gurakuqit që vdiq me 450 lireta në xhep, të cilat ia kishte dhënë hua një mik ca ditë më parë.

4) Qenë liberal: Kishte liri të plotë shtypi, ndonëse në kohë të tyre nuk dolli as një numër gazete i cili të mos përmbante kritika të ashpëra kundër tyre. “Dielli” s’ua kurseu kritikat kurrë, po asnjë herë dhe as një numër nuku u ndalua. 6) Qenë njerëz të kanunit: Kishin një ushtri dhe një xhandarmëri, në mos ideale dhe moderne, po të paktën Kombëtare dhe të regullueshme, e cila mpronte kanunin dhe s’i binte në qafë popullit. Ja tani pasqyra e qeverisë së sotme, në qoftë se munt të quhet qeveri një çetë e hurit dhe e litarit: 1) Janë tradhëtorë: Hipnë në fuqi me ndihmën e Pasiçit dhe, për të qëndruar në fuqi, i falën Serbisë, copra të tokës shqiptare, të fituara me një mijë mundime.

2) Janë kusarë të pasurive të shtetit: U shesin kapitalistëve të huaj pasurit’ e shtetit me ryshfete e me kondita skandalloze për të fituar simpathin e tyre.

3) Janë çkatëronjës: Çkallmojnë buxhetin duke ballancuar me kleçka për sy e faqe, e duke krijuar në realitet një deficit prej tre miliuansh të paktën, i cili do të rritet me kredite të pazakonshme.

4) Janë kriminelë: Me anën e veglave të tyre kanë asasinuar prapa kurrizit katër patriotë antiserbë si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Elez Isufi dhe Zija Dibra dhe duzuina të tjerë, emrat e të cilëve ca i dimë dhe ca do t’i mësojmë më vonë.

5) Janë tiranë: Të gjitha lirit’ e popullit janë marrë nëpër këmbë. Liria e shtypit nuk ekziston. “Dielli” që mban një paanësi mirëdasëshme është ndaluar.

6) Janë armiq të kanunit: Çkatërruan ushtrinë dhe xhandarmërinë kombëtare dhe lëshuan bashipozukët për të shtypur, për të plaçkitur e për të terrorizuar popullin e mjerë. Cili do të jetë përfundimi po të vazhdonjë ky regim tradhëtorësh, kusarësh, kriminalësh, tiranësh e bazipozukësh? Një katastrofë tragjike si ajo e 1914-ës, të cilën munt ta refuzojnë t’a shohin vetëm ata patriotë që janë verbuar krejt, ata që u lodhë nga lufta dhe i hodhë armët, dhe shtrihen në gjumë, duke pritur shpëtimin nga Fati, dhe nga Zagolli sy-gjarpër, zëmër-vrer, gjak-kalbur e shpirt-shitur, nga Esadi i dytë, i cili çier, copton e thëthin kufomën e Shqipërisë me egërsinë e një monstri të pronjve të Afrikës. Ne jemi të mëndjes që coptimi i Shqipërisë do të jetë një pun’ e mbaruar, po të mos e çlirojmë nga coptonjsi i saj: Vatra është e mëndjes që coptonjsi s’duhet ngarë dhe rri e paanëshme. Atituda e Vatrës s’ësht as e mënçur, as e hieshme, as e nderçme: S’ësht e mënçur, se Zogu u çporvua në dritën e fakteve, e hodhi vetë maskën, dhe na del përpara siç ka gënë gjithnjë. Më 1914, aliat i Arif Hikmetit dhe partizan i harfeve arabishte, merret vesh me Easdistët e Shqipërisë Mesme dhe në një mbledhje solemne të popullit të Matit, zbret flamurin e Shqipërisë dhe ngre flamurin e Turqisë për hesap të Pasiçit: vegël e serbëve gjithnjë, ka mundur t’i gënjejë të gjithë patriotët, veç katër gegëve me mënt si Bajram Curri, Gurakuqi, Mustafa Kmja dhe Elez Jusufi, rëmben fuqinë. Lidhet me Esadistët dhe u jep shkelmin të gjithë elementëve të mira: i mundur dhe i dëbuar prej këtyre, kthehet prapë me fuqi serbe si Esadi dhe nis coptimin e Shqipërisë sistematikrisht e tamam sipas planit të tij me ata shokë të brendshëm e me ata përkrahës e mirdashës të jashtëm. Pra ësht e pamundur të jenë me mënt në kokë ata që presin shpëtimin pikërisht andej nga vjen coptimi. Atituda e Vatrës nuk është e hieshme: Vatra militante, që ka luftuar për idealet e larta patriotike me aqë lavdi, s’munt e s’ duhet kurrë t’i hedhë armët dhe të kapitullonjë me Pasiçin e me Esadin e dytë, dhe të lozë tangon groteske të paanësisë, kur idealet e saj merren nëpër këmbë dhe Shqipëria po greminoset në varr e në vdekje të turpëshme.

Atituda e Vatrës nuk është e nderçme: Vatra lë në baltë Vatranët e Shqipërisë dhe vë në gjumë jo vetëm antarët e saj, po dhe të gjithë atdhetarët toskë e të padjallzuar, të cilët do të zgjohen kur do të jetë nofta tepër vonë, kur t’i dogjen pësëri shtëpitë e kur të marrin prapë arratinë. Prita mjaft me shpresën që faktet e ashpra t’jua mbushin kokën që e keni humbur toruan fare. Po tani s’munt të heshtë më. Ndonëse pak vonë, Thashë e fola, s’ju kam faj. F.S. Noli.

***

Fan NoliNë Shqipëri, veç mjerimeve të tjera, ka rënë edhe zia kronike në malësitë dhe në tërë vendin. Për herë të parë, është dhënë leje prej qeverisë për hyrjen e drithëve pa doganë. Vetëm ky fakt mjafton, për të treguar sa keq vuan i tërë populli. Dhe kur populli po vdes urie, sulltan Ahmeti po bën qejfe dhe ziafete, duke harxhuar afro tri miliunë franga ar për veten, për valide sulltankën, për princët dhe princeshat, për pallatin, për gardën e më-the-të-thashë. Që sulltani do të na kushtonte më shtrenjtë se xhumhurietreizi e dinin, se e deklaroi vetë Ahmet begu në një intervistë ku i thoshte një korrespondenti inglis që do të rronte si mbret me harxhet që merrte si president. Është zakoni i Salembozës të përgështronjë sot atë gjë që ka vendosur të bënjë nesër. Dhe ay e kishte vendosur t’i shtonjë harxhet, dhe vjedhjet, dhe ashtu bëri.

Ahmeti me bejlerë vjedhin nga një anë, italianët nga ana tjatër, natyrisht, në marrëveshje të plotë. Nga një gazetë e Tiranës mësojmë se qysh paskan marrë pjesë arnautët në blerjen e aksioneve 49% që u përkasin nga kapitali i “Bankës Kombëtare”. Afati i parë paska shkuar pa blerë arnautët asnjë aksion. Ahere, “Banka Kombëtare” me shumë lutje e rixha, paska dhënë një afat të dytë jo më për 49% të aksioneve por vetëm për 30%. Qeveria ftoi arnautët ti dorëzojnë paratë për të blerë këto aksione. Arnautët ia dorëzuan, dhe presin akoma aksionet, të cilat s’duken. Pastaj, u muarr vesh që “Banka Kombëtare” nuk u njeh arnautëve të blejnë 30% të aksioneve. Ahere arnautët hoqnë dorë nga aksionet dhe kërkojnë paratë prapë, por qeveria s’u jep as aksionet as paratë. Gërvishtini e të gjithë skandaleve financiare të të gjithë botës dhe nuk do të gjeni asgjëkunt një batakkcillëk kaq të poshtë të kombinuar me një tradhësi kaq të paturpshme prej një qeverie mi kurris të popullit.

Po për këtë regjim tradhëtor e trufator, hain e dollanderxhi janë aq të enthuziasur bejlerët sa mungesën enthuziazmës e quajnë si krimën më të zezë. Prandaj e ndaluan “Telegrafin” e Çekrezit dhe Çekrezin vetë e hodhnë në burk, se nuk e përkrahu shpalljen e sulltanatit me enthuziazmë të mjaftë, aq sa ishte dekretuar prej hyqmetit. Ka kështu të paktën thotë vendimi relativ i këshillës ministeriale.

Dhe përse të mos jenë enthusiasur bejlerët? Po e rrjepin popullin pa mëshirë dhe për këtë shërbim marrin edhe rrogë, dishparasi. Hidhni, për shemëbëll, një sy në emrat e përfaqësonjësve diplomatikë të Salembozës dhe do të shikoni pothua kudo bejlerë. Dhe këta të gjithë marrin para papunë se politikën e jashtme të Shqipërisë nuk e bën Tirana, por Roma. Ja ca nga emrat: Xhemil bej Dino në Romë, Maliq bej Libohova në Paris, Ekrem bej Vlora në Londër, Xhafer bej Vila në Angora, Faik bej Konica në Uashington e cosy via.

 

A propos, se mos harrojmë, Faik bej Konica paska bërë një vizitë në Tiranë dhe paska mbetur i enthuziasur nga të gjitha, veçanërisht nga Salemboza. Të gjitha i ka gjetur të bukura përveç gjuhës zyrtare, se natyrisht nuk kanë rëndësi veprat e memurëve, po fjalët që përdorin nër evrakët. Po edhe ky kusur do të ndreqet kur të na botonjë Faik beu “Themelet e gjuhës shqipe” një vepër që e pret “Vatra” nga penda e artë e tij këtu e 5 vjet. Beu u përpoq të shpëtonjë nga kjo bela, dyke ia kthyer Federatës prapë paratë që i ka marrë të gjitha si paradhënie, po kuvendet e “Vatrës” kërkojnë “Themelet” e jo paratë. Të shohim si do të marrë funt kjo punë, se Faik beu s’ka nge tani, se është i zënë me punë faqe me nder me diplomatira të thella, me ato diplomatira që kanë shkallmuar themelet e shtetit shqiptar.

Sa pa ardhur në Tiranë e sa pa lëpirë baltën e zezë të çizmeve të bardha selembozore Faik beu që në Amerikë, çpalli enthuziazmëm e tij dhe debordonjëse për sulltanin e ri në një intervistë të botuar prej “Diellit”. Niste dyke bërë disa shpifje kundër bendenezit se për të provuar që e zeza është e bardhë arrin të nxish atë maskara që shkel këmbë për të kundërtën. Me ca marifete të këtija, beu provoji që historia s’ka parë një mbret aq të math sa Salemboza i kurorëzuar me hudhra e sa Napoleoni i gjirizeve. Pra të gjithë janë të shtrëguar ti falen statujës së tij prej halleve.

Për çudi, pallavrat e Faik beut nuk vajtën më kot. E paskan bërë efektin e tyre në Bari në zemrën e zhubravitur të Sotir Peçit. Ky na qenka falur prej hallve, paska shiguruar një pension veteran dhe qenka nisur me një pasaportë arnaut salembozor për Athinë. Po përse për Athinë? Përse jo për Tiranë, ku bejlerët do ta presin me triumf e me enthuziazmë të pakufishme si aliatin e tyre më besnik, që ua mbrojti të drejtat trimërisht pas Kryengritjes së Qershorit, që sabotoi e ndaloi me çdo mënyrë çdo reformë agrare e çdo reformë në çdo fushë që i përçau e i armiqësoi ca më tepër fraksionet e kryengritësve dhe që gatiti më mirë së Ahmet begu e Pashiçin, “Triumfin e Legalitetit”! Sido që të jetë për Athinë a për Tiranë, udhën e mbarë. Njolla më reaksionare u çduk nga mesi e emigrantëve. S;’kemi pse të hidhërohemi për këtë dezertim, e prisnim. Ishte fatale.

 

Botuar në “Liria Kombëtare” (Gjenevë), më 1 janar 1929

***

Faik Konica i përgjigjet Fan Nolit

 

Faik Konica ngjyraShtylla e Faik Konitzës “Ca njerëz të lodhur, ca të tjerë të trashë”

 

N’artikull kundrë Vatrës të botuar te “Liria Kombëtare” (N.8) Fan Noli thotë se ca njerëz, që kishin lëftuar gjeri die, sot janë të lodhur dhe i hothnë armët. Mundet. Po ka edhe ca të tjerë truri i të cilëve është ntrashur dhe s’janë të zotë të kuptojnë kur një lodrë merr funt: Më kujtojnë fjalën e filosofit gjerman Schopenahuer për atë që vazhdojnë së lojturi pasi ka rënë perdia. Unë i lodhur s’jam aspakë, dhe do t’isha gati të vazhdoja luftën me forcë të papakësuar- po të kish lufta nonjë qëllim. Po qëllim lufta s’ka dhe s’munt të ketë. Fan Noli dhe unë kemi lëftuar disa vjet që t’i japim Shqipërisë një guvernë të një tipi të përparuar. Ahmed Zogu ka lëftuar për një guvernë të një tipi më konservativ. Ahmed Zogu na mundi dhe na mundi me themel.

Ndryshimi në mes të Fan Nolit dhe meje, është se unë e di se jemi të mundur dhe të mundur paq, kurse ish shoku im s’ka haber që hëngrëm dru. Ahmed Zogu na ka mundur në shesh. Ahmed Zogu dhe ne duallmë përpara popullit për votë. Ahmed Zogu mori kurdoherë shumicën dhe kurdoherë na mundi. Ahmed Zogu me ca bashipozukë dhe 104 rusë (Njëqint e katër, fakt na burim diplomatik i huaj) na mundi në shesh të luftës, ndonëse ne kishim një “ushtri”dhe përmi 20.000 vullnetarë gati. Ikmë duke britur se ordit e Serbisë shkelnë Shqipërinë, kur dijim shumë mirë se ishin vetëm një grusht rusësh. Deshmë të tregojmë se të paktën në sheshin e dipllomatisë kemë më tepër zotësi se Ahmed Zogu. Po dhe në këtë shesh, maloku genial na mundi. Ne çfaqmë zotësinë që kemi duke mos e bërë dot “guvernën” t’onë të pranohet dhe të njihet nga bota e qytetëruar, duke çkënaqur me talljet tona në Genevë, ata nga të cilat ka nevojë Shteti ynë, dhe duke vënë në dyshim Fuqitë e perëndimit me intrigat t’ona me Bolshevikët. Ahmed Zogu, nga ana tjatër, qe i zoti të fitojë besimin e Evropës dhe t’Amerikës në pakë kohë, e bëri guvernën e tij të pranohet zyrtarisht, ngreu kreditin e Shtetit jashtë dhe fitoj në sytë e Botës emrin e një udhëheqësi të vërtetë. Ne me frazat tona bombastike, kallmë anarqinë anë mb’anë të Shqipërisë kurse stërvitja jonë intellektuale duhej të na kishte bërë të zotët, të paktën në theori, t’i jipnim popullit një frymë regulle. Ahmed Zogu nga ana tjatër, me instiktin genialtë tij, e vuri turmën nën një disiplinë e cila, sado e mërzitshme, është më e dobishme se anarqia jonë. Edhe në këtë shesh na mundi Ahmed Zogu. I mir’ ai lik. Ahmed Zogu është mundës. Ne më të mirë se ay jemi të mundur. I mirë’ a i lik, Ahmed Zogu ka fituar besimin e popullit shqiptar dhe jashtë besimin e Fuqive të mbëdha. Ne më të mirë se ay, s’kemi ditur të fitojmë besimin e kërkujt.

Munt ta urrejmë Ahmed Zogun, po duhet ta njohim se është më i zoti, shumë më i zoti, se ne. N’Amerikë, kanë një zakon që i munduri i shtërngon dorën mundësit. Po ne s’jemi amerikanë. “Battuts et pas contenst” si thotë Frengu me ironi-të rrahur dhe jo të kënaqur-neve s’na pëlqen të heshtim po duam të dalim në marketë dhe të zëmë vajtimet. Po të kishim prova se populli është i helmuar nga ndodhja e sotëme dhe pret shpëtimin prej nesh, vazhdimi i kundërshtimit do të kish një kuptim. Por populli është i kënaqur, dhe pozita e Ahmed Zogut është e patundshme. E vetma mënyrë që të përmbyset Ahmed Zogu, është një kompllot kundër jetës së tij, dhe e di që këtë mendim e ushqejnë shumë. Po unë në kompllote s’bëhem shok i kurkujt: se, përveç principeve që m’a ndalojnë, e di që fundi do të jetë çkatërrimi i Shtetit. Unë, me budallallëkun t’im, thom se kemi arrijtur në një fazë kritike të jetës së Shqipërisë: dhe besoj se e vetma mënyrë për të shpëtuar Shtetin, është një pajtim i ndershëm i të mundurve dhe mundësin. Por ne që diç e dimë veten, është një çap i hidhur. Ata që s’duan ta bëjnë, le të vazhdojnë së gdhënduri, pishë e së gëlltituri teneqe vajguri, dhe le t’i vënë zjarrin Shqipërisë.

Gazeta (me editor të fshehtë) që del në Genevë nën emrin “Liria Kombëtare” boton në Nr. 8 një artikull të Fan Nolit kundër Vatrës. Nuk do të humbasim kohë t’i bisedojmë ato që thotë, se i kemi biseduar disa herë dhe nuk është nevoja t’i përsëritim: Cili është ay që munt të mbajë të qeshurit kur Fan Noli thotë se “Guverna” e Qershorit ka qenë një guvernë popullore? Një guvernë popullore nuk e mbyll Parlamentin, dhe në e mbylltë, nukë ri pa bërë menjëherë zgjedhje të ra. “Guverna” e Qershorit nuk ish tjatër gjë, veçse një tirani militariste.

Lista duhet plotësuar

N’artikull të përmëndur më sipër, Fan Noli numëron fajet e vërteta ose imaginare t’Ahmed Zogut dhe mirësitë imaginare ose të vërteta të të Fan Nolit. Që të plotësohet lista, shtojmë dhe ne ca items. Ndër të ligat e Ahmed Zogut duhen nëmëruar dhe këto dy: më 1920, kur Fan Noli vajti në Shqipëri, Sulejman Delvina i dha urdhër policisë të mos e qasë: policia e përzuri Fan Nolin, i cili u kthye në Bari me vaporin që kish vajtur. Ahmed Zogu ndodhej asi kohe në Mat dhe s’dinte gjësendi. Kur u kthye në Tiranë dhe mësoj, i qortoj ministrët pët masën që kishin marrë kundrë Fan Nolit, të cilin pak kohë pastaj e thirri të kthehet në Shqipëri. Dy vjet më vonë, miqt e Nolit dëshirojn që ky të bëhej mitropolit, po gjejnë kundërshtime shumë të mbëdha. Ç’të bëjnë? Ven e i luten Zogut t’i përkrahë. Zogu ndonëse e kishte Nolin kundërshtar, nguli këmbë që Noli medoemos të dorzohej mitropolit, dhe u dorzua. Nër të mirat e fan Nolit duhen nëmëruar këto: vajti në Genëvë si “Kryeministër” i Shqipërisë: dhe në një fjalë zyrtare që mbajti, shau Lidhjen e Kombeve, shau Shtetet e Bashkuara t’Amerikës , shau tërthori Inglinë, dhe na bëri qesharakë në sy të botës së qytetëruar. U kthye në Shqipëri, dhe ca javë më vonë hapi mardhënie zyrtare me Sovjetin, ndonëse din, ose duhet të dinte se Rusia Boleshevike është në luftë me Fuqitë e perëndimit që kanë bërë dhe njohur Shqipërinë si Shtet më vete. Me këtë çap, Noli e shpuri Shqipërinë mu-në buzë të varrit dhe një qime afër vdekjes.

Dako II

Që Fan Noli të mendojë ndryshe nga ne, që të përpiqet të na japë të kuptojmë lajthimin t’onë në qoftë se lajthitemi, është një e drejtë që nuk ja mohojmë. Atje ku na çudit të gjithëve është se gjer tani më Gusht 1925 ka heshtur. I bëmë të njohur me kabllo që në funt të Shën Ëndreut 1924 se organizata jonë është e mëndjes që e hupmë luftën por një guvernë më të mirë dhe që e quajmë për detyrë paskëtaj të hapim mardhënie pajtimi me mundësin. Shëtita kollonitë që t’a parashtroj atë politikë dhe t’u jipja rrastin shqiptarëve që të çfaqnin pëlqimin a mospëlqimin e tyre. Hapmë shtyllat e “Diellit” për çdo bisedim, duke botuar dhe korespodencat me t’ë ashpërat kundrë Guvernës së Zogut. Më në funt erdhi kuvendi i XIV, dhe u shtrua dhe atje çështja e qëndrimit që duhet të mbajë Vatra. Në të gjitha këto shtatë muaj, dera ishte e hapur dhe asnjeri s’kish më tepër se Fan Noli të drejtën të dhe lirinë që të hynte, të na çfaqte mendimin e tij dhe të na fitonte me vete. Po Fan Noli s’bëri zë. Tani që u mbarua Kuvendi dhe që u mbyll dera për këtë çështje gjer më Korrik 1926, vetëm tani Fan Noli na del me kundërshtime jashtë kohës, posi një njeri që kërkon të hyj nga penxheria, dhe përpiqet të prishë disiplinën e Vatrës. Me methudha të padrejta, me methudha që s’janë as për “Fair” as prej “sport”i. Ç’faj tjetër kish bërë Dakua?

***

Fan Noli i kundërpërgjigjet Faik Konicës

Përgjigje “Diellit”

Përse heshtmë?

Faik Konica çuditet që Koculi dhe unë heshtmë kaq kohë për atitudën që mbajti nga janari i kaluar, dhe iu përgjigjshmë vetëm pas tetë muajsh. Zotëria e tij duhet të çuditej qysh duruam kaq përpara provokatave dhe çpojtjeve të tij të përsëritura/

Një arësye delikate

Sa për heshtjen time veçanërisht kishte një arësye delikate të cilën duhej ta kuptonte Faik Konica. S’desha të hap luftën kundër një shoku dhe miku prej kaq vjeç dhe durova gjersa thika arriu në koskë.

Faiku dhe unë

Kemi bashkëpunuar me Faik Konicën aq vjete dhe aq ngushtë sa emrat tonë ishin të lidhura dhe të paçkëputura. Çdo gjë që thosh Faiku ma ngarkonin mua, çdo gjë që thosha unë ia ngarkonin Faikut. Kur Faiku në një artikull ngriti gjer në qiell Ahmet Zogun, dhe kur ky artikull o botua prej gjithë gazetave të Shqipërisë, se shqiptarët e Shqipërisë kishin përshtypjen që dhe unë isha në atë mëndje. S’muntnja pra të heshtja më.

Paanësia

Paanësia e Faik Konicës dhe e “Vatrës” nuk na pëlqeu. Megjithë këto do të kishim heshtur, si unë dhe shokët, sikur të ish një paanësi e vërtetë. Po s’qe kështu, se, pas Kuvendit të funtmë Faiku nisi një fushatë të hapur në favor të Ahmet Zogut.

Si çifutët e Selanikut

Faik Konica kur na akuzon që e atakuam unfairly pas mënyrës së Dakos, na kujton ca çifutë të Selanikut të cilët, ndonëse janë atakonjës, bërtasin e qahen sikur të ishin të atakuar.

Fairness

Faiku mban gjithnjë në gojë fjalën anglishte fairness. Po a ka qenë fair ay vetë në goditjen që u bën kundërshtarëve të Ahmet Zogut? A ka qenë fair për Gurakuqin e vdekur, i cili kish qenë shoku dhe bashkëpunëtori i tij vjete me radhë që kur nis të botonjë “Albanien”? A ka qenë fair kur refuzoi të thotë gjysmë fjalë të mirë për një martir të çështjes që ka qenë në vijën e parë të luftës pothua tridhjetë vjet me radhë (…)

Mehmet Konica

A është fair Faiku për të vëllanë e tij, Mehmet Konicën, kur i rrëmben këtij të stolisë Ahmet Zogun? Faiku e di fare bukur që Ahmet Zogu, s’bëri asnjë çap për të ndrequr padrejtësinë që m;u bë kur u ndalua hyrja ime në Shqipëri më 1920. Ay që e ndreqi këtë punë është Mehmet Konica i cili e çpuri çështjen gjer në demicie dhe në krizë ministeriale. Mehmet Konicës i detyronj dhe shumë të tjera përkrahje, të cilat padrejtësisht i ngarkohen Zogut, po këtu s’është vendi t’i nëmëronj.

Klika

A është fair Faik Konica kur i ngarkon Zogut veprat e lavdërueshme të cilat dihen që u përkasin ish-shokëve nacionalë të tij të njohur nën emrin e përgjithshëm “Klika” të cilët e kontrollonin dhe i imponoheshin gjer në funt të motit 1923? Arrin të studiohet me kujdes historia e Shqipërisë që nga Kongresi i Lushnjës gjer më 1923 për të gjetur shembëlla me dyzina. Me këtë nuk dua të thom që kam mbyllur sytë për lajthimet që kanë bërë shokë nacionalë të ish-“Klikës”. Po për këto ka një lehtësim, se duhet gjithnjë kërkuar dhe gjetur gishti i Ahmet Zogut, i cili ka qenë i zoti t’i ngarkojë vetes së tij të gjitha të mirat që kanë bërë këta patriotë, dhe t’u ngarkonjë këtyrë të gjitha poshtërsitë e tij. Një shembëll e vogël, të cilën e përmendim, se Faiku vetë e ka hapur atë çështje: kur u emërova mitropolit, Ahmet Zogu s’kish më asnjë fuqi në dorë, se e kishte zënë prej gryke major Shefqet Korça, i cili me shokët e “Klikës” kontrollonin ahere plotësisht situatën në Shqipëri. Nuk e di gjer në ç’pikë shokët e “Klikës” shkelë këmbë të emërohem mitropolit, di vetëm që po të kundërshtonin këta nuk do të isha emëruar.

A është “fair”?

A është fair Faiku kur përqas pajtimin e dy patriotëve si Pashiçi dhe Radiçi me pajtimin midis nacionalëve dhe një tradhëtori? A është fair kur e quan Ahmet Zogun më të zotin, se na mundi me tradhti? A është fair kur e quan Ahmet Zogun më diplomat, se fitoi simpathinë e fqinjve dhe të fuqive të tjera, duke falur copëra të Shqipërisë dhe duke shitur pasuritë e saj? A është fair kur thotë se ka refugjatë që bëjnë qejf në Evropë, dyke ditur fare bukur që këta pa përjashtim kanë vojtur moralisht në syrgjyn dhe që tragjedia e tyre që do të kthehen në Shqipëri do të jetë më tmerruar? A është fair kur refuzon të botonjë te “Dielli” artikuj të ish-zyrtari të “Vatrës” për të mbrojtur veten e tij nga akuzat që i bëhen në kollonat e kësaj gazete? A është fair kur boton lajme nga letra personale dhe raportë konfedencialë, dyke çfaqur emrat për të provuar tezën e tij? A është fair kur beson që “yryshet” e një intelektuali janë yryshe për gjakderdhje kur e di fare bukur, që arma e këtij s’ka qenë kurrë koburja? A është fair kur lë të nënkuptohet që jam i zoti të prishë Shqipërinë për qejf, për ambicie apo për hesapin e të huajve? A është fair kur fut zjarrin vatranëve për Ahmet Zogun, të cilin këta e kanë mbrojtur disa vjet ma radhë? A është fair kur u vë në gojë dhe në mendje ish-miqve të tij dhe kundërshtarëve të tij gjëra që këta as i kanë thënë as i kanë në mëndje? A ështëfair kur u ngarkon nacionalëvë të syrgjynosur fajin për shitjen e Shën Naumit? A ështëfair  kur thotë se Shqipëria s’paska njerëz më të mirë se Ahmet Zogu, dhe ai i bën shërbim Atdheut me predikimet e këtija të shtrembra të cilat janë në kundërshtim me predikimet e tërë jetës së tij? Fundi i fundit, a është fair kur beson që nacionalëve nuk u dhëmbet Shqipëria aq sa i dhëmbet atij dhe Ahmet Zogut?

Sportsmanship

Është shumë e vërtetë që lodra e politikës është një sport. Është shumë e vërtetë që aq politikani sa dhe sportsmani i mundur përgëzon mundësin dhe ia shtrëngon dorën. Po Faiku tallet me sportin dhe me politikën kur na fton të përgëzojmë Ahmet Zogun, se ay e di fare bukur që aq sporti dhe politika kanë ca rregulla, dhe mundës është vetëm ay i cili fiton pas këtyre rregullave të akseptuara nga bota sportsmane dhe nga bota e qytetëruar. Atë mundës i cili fiton dyke shkelur rregullat e akseptuara të sportit e të politikës, jo vetëm kanë turp ta përgëzojnë njerëzit e qytetëruar, e t’i shtrëngojnë dorën, po e nxjerrin me dru e me shkelmë jashtë fushës së sportit e të politikës. Tradhësia e Ahmet Zogut është një shkelje e rregullave të akspetuara të politikës së qytetëruar në fushën patriotike. Faiku është i mëndjes që duhet ta përgëzojmë, neve jemi të mëndjes që duhet ta zëmë me dru e me shklemë. Cili ka frymën e sportsmanit, Faiku apo ne?

Atdheu në Rrezik

Që Atdheu me Ahmet Zogun në krye është në rrezik nuk e thonë vetëm ata që Faiku i cilëson si aventurierë edhe gjakderdhës. E thotë në një proklamatë të nënshkruar dhe një patriot si zoti Sotir Peçi, të cilin Faik Konica e cilëson të ndershëm, të urtë, të kthjelltë, të matur dhe last but not least, armik të aventurave. E thotë dhe “Dielli” vetë kur na lajmëron se në Lokarno u bisedua copëtimi i Shqipërisë, po natyrisht dyke shtuar shakanë e zakonshme që rreziku i copëtimit vjen nga nacionalët e jo nga tradhëtorët. Nga ana jonëbesojmë që nga ky rrezik mund të dalim vetëm me eleminatën e mydirit të Pashiçit, i cili na dha prova të gjalla që është një Esat e dytë. Një zgjidhje në këtë bazë i këshilloi Mehmet Konica Ahmet Zogut vetë, kur dha demicien nga zyra e Londrës. Sikur të ish bërë një zgjidhje e tillë, ahere do të shikonte Faik Konica që do të mos mbetej asnjë atdhetar shqiptar i pajtimit kombëtar. Po një zgjidhje me këtë mënyrë s’e ka dashur as Ahmet Zogu as Faik Konica i cili beson që s’kemi njerëz më të mirë se Zogu. Posa është kështu puna, çdo bisedim për pajtim kombëtar të vërtetë e të sinqertë është më kot. Të “amnistijuarit” munt të shtrëngohen kthehen në Shqipëri nga e keqja, mund të akseptojmë një pajtim për sy e për faqe, po nuk do të pajtohen kurrë me zemër, edhe sikur të eliminohet çfarëdo posibilitet kryengritjeje kundër Ahmet Zogut. Kurrë nuk do t’u ikë frika patriotëve që Ahmet Zogu nuk do të përdorë prapë tradhësinë si një mjet që të përjetësohet në fuqi, a kurdoherë që të shikonjë rrezikun e rrëzimit nga fuqia.

Please follow and like us: