Albspirit

Media/News/Publishing

Si mbroheshin nga vapa kinezët e lashtë?

Në ditët e nxehta të verës njerëzit e sotëm freskohen me kondicioner apo freskore, konsumojnë pije freskuese, shkojnë në pishina, det apo mal. Po si vepronin kinezët e lashtë ndaj temperaturave të larta, kur mungonte teknologjia dhe mundësitë e sotme?

Shtëpitë prej akulli

Në epokën para dinastisë Qin në Kinë njerëzit freskoheshin me akull natyral, të cilin e përdornin dhe në pijet e freskëta për të shuar vapën. Sipas veprës klasike të Konfucit “Ritet Zhou”, në oborrin mbretëror Zhou kishte një zyrë të veçantë me 80 punonjës që njihej si ” Administrata e Akullit”. Punonjësit e saj çdo dhjetor mblidhnin blloqe të mëdha akulli dhe i transportonin në një shtëpi ku ruhej akulli. Madje zyrtarëve të lartë të oborrit mbretëror Zhou u jepeshin kube të mëdha akulli dhe kjo konsiderohej si një nder i madh.

Sistemi i shpërndarjes së akullit në shtëpitë e zyrtarëve të lartë ka ekzistuar edhe gjatë dinastive Ming (1368-1644) dhe Qing (1644-1911), ku për shpërndarjen e akullit përdoreshin “bileta akulli”.

“Jian” frigoriferi i lashtë

Sigurisht që në Kinën e lashtë nuk njiheshin frigoriferët e sotëm, por përdorej një pajisje ngrirjeje e quajtur “Jian” që ishte një kontenier i madh, i mbushur me akull. Në historinë e lashtë të Kinës kjo pajisje ishte prej qeramike, por më vonë ajo prodhohej prej bakri.

“Jian” pa frikë mund të konsiderohej si frigoriferi i lashtësisë, i cili përdorej për përgatitjen e pijeve freskuese. Brenda kësaj pajisjeje kinezët e lashtë ruanin nga të nxehtit ushqimet dhe pijet.

Ruajtja e ushqimeve në pus

Kjo metodë në të nxehtin e verës përdorej dikur, ndoshta edhe sot në shtëpitë fshatare që kanë pus. Thellësia e pusit krijon freski dhe kështu mund të ruhen ushqimet nga prishja e shkaktuar prej vapës. Kurse në Kinë e lashtë gjatë dinastive Qin (221-207 p.e.s) dhe Han (202 p.e.s-220 e.s) për njerëzit e thjeshtë mënyra më e mirë për ruajtjen e ushqimeve ishte futja e tyre në thellësi të pusit, nëpërmjet kovës që përdorej për nxjerrjen e ujit.

Pijet bimore

Gjatë dinastisë Qing mjekësia tradicionale e barnave ishte mjaft e përhapur në Pekin. Sipas të dhënave historike, gjatë ditëve të nxehta të verës disa njerëz preferonin të pinin ujë me akull, ndërsa të tjerë konsumonin çajra bimorë apo supëra. Kinezët e lashtë gjatë verës konsumonin supë me farëra lotusi, duke besuar se freskonte dhe forconte organizmin.

Shtrati i freskët bimor

Kinezët e lashtë gjatë verës vendosnin mbi dyshek një shtresë me gjethe bambuje ose gjethesh rrushit, të cilat i jepnin freski trupit.

Jastëku prej porcelani

Sipërfaqja e porcelanit është gjithmonë e freskët dhe thuhet se perandori Qianlong i dinastisë Qing përdorte një jastëk me shtresë të hollë porcelani, që i jepte freski.

Perde me lesh dragoi

Ndonëse dragojtë nuk ekzistojnë dhe janë qënie mitologjike në lashtësi kinezët i quanin perdet me lesh dragoi si mjaft të mira për të ndaluar valën e të nxehtit të hynte në brendësi të banesës.Në fakt, studimet thonë se bëhet fjalë për perde prej lëkure gjarpri boa, që i japin mjedisit të brendshëm freski, sikur të jetë hapur ajri i kondicionuar. Meqënëse gjetja e lëkurës së gjarpërit boa ishte e vështirë dhe përdorimi i saj shumë i kushtueshëm, presupozohet se kjo metodë freskuese ishte një luks i perandorëve.

Erashkat

E fundit por jo më pak e rëndësishme erashka është një mjet efikas për tu freskuar. Kjo shpikje kineze përdoret edhe sot me sukses kudo në vend, por dhe në mbarë botën.

Please follow and like us: