Albspirit

Media/News/Publishing

Suzanna Shkreli dhe demokratët në Michigan, kundër paktit tregtar të Presidentit Obama

 

Ruben Avxhiu

Pak gjëra i bashkojnë kandidatët presidencialë, Hillary Clinton dhe Donald Trump, por një prej tyre është kundërshtimi ndaj TPP-së, një marrëveshje madhore të tregëtisë jashtme amerikane.
Këtë javë, protestës ndaj këtij projekti të Presidentit Barack Obama i janë bashkuar edhe një numër demokratësh, në Michigan, përfshi edhe kandidaten për Kongres, Suzanna Shkreli.
Nëse fiton, ndihmës-prokurorja e re do të bëhet shqiptaro-amerikanja e parë që zgjidhet në Kongresin Amerikan, nëse përjashton Joseph DioGuardin e rrënjëve arbëreshe.
Shkeli, ashtu si demokratët e tjerë në Michigan, janë në një situatë jo të lehtë. Nga në anë, mbështesin shumë prej politikave të Presidentit Obama, nga ana tjetër thellimi i tregëtisë së lirë dhe globalizmit kanë rrënuar industri tradicionale e ka humbur miliona vende pune për këtë shtet.
Një miting i mbajtur në Ann Arbor, bashkoi disa udhëheqës demokratë me përfaqësues të sindikatave punëtore për të folur kundër Partnershipit Trans-Pacifik.

Suzanna Shkreli, kandidate për Kongresin Amerikan, në Disktriktin e 8.

Ata këmbëngulën së pasojat e kësaj marrëveshjeje tregëtare do të nxisin largimin e mëtjeshëm të vendeve të punës jashtë Amerikës.
Kongresistja Debbie Dingell është një nga ato që e kanë kundërshtuar Presidentin Obama në këtë drejtim dhe Suzanna Shkreli u vendos këtë javë, në krah të saj.
Për ironi, projektin e Presidentit Obama e mbështesin dy republikanët kundër të cilëve konkurrojnë Dingell dhe Shkreli.
Shqiptaro-amerikanja e ka kritikuar, që në ditën e parë të fushatës së saj kongresistin Mike Bishop për votën e tij që TPP-ja të miratohet me procedurë të përshpejtuar.
Ky qendrim i saj nuk do t’i prishë punë me Partinë Demokrate. Së pari, Shkreli u ka bërë një nder duke pranuar të hyjë në garë kaq vonë. Së dyti, partia vetë e di që plani i presidentit të saj nuk ka mbështetje në disa pjesë të vendit dhe distancimi nga ai është strategji e arsyeshme. Së treti, vetë Hillary Clinton ka folur kundër TPP-së, duke legjitimuar të drejtën e kandidatëve më të vegjël demokratë për të mos iu bindur Presidentit Obama në këtë pikë.
Kongresisti Bishop, i cili gjatë garës republikane mbështeti Guvernatorin John Kasich, nuk është çudi që ka mbështetur TPP-në, në Kongres. Ai këmbëngul se “fenomeni Trump” nuk do ta dëmtojë garën e tij lokale po kjo është një Parti Republikane ndryshe nga ajo, e dy vjetëve më parë, kur Bishop u zgjodh për herë të parë në Kongres.
Shkreli e ka nisur fushatën shumë vonë, po era e ndryshimit politik fryn në favor të saj. Demokratët duhej t’u kishte vajtur mendja te ajo, që në fillim dhe jo kur mbetën pa kandidaten që kishin zgjedhur. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: