Albspirit

Media/News/Publishing

Turqi, bombardohet aeroporti i Dijarbakirit

Turqi, bombardohet aeroporti i Dijarbakirit

Raketat e lëshuara, sipas gjasave prej militantëve kurdë, drejt aeroportit të qytetit kryesor të juglindjes së Turqisë, Dijarbakir, kanë detyruar pasagjerë e pjesëtarë të stafit të vrapojnë për të shpëtuar kokën. Megjithatë, raporte për viktima nuk ka, ndërsa ngjarja nuk ka shkaktuar pezullim të fluturimeve.


Sulmi ndodhi pak përpara mesnatës. Katër raketa u lëshuan në drejtim të një pike kontrolli të policisë përpara zonës VIP, por nuk e goditën e ranë mbi një djerrinë aty pranë. Menjëherë, njerëzit në zonë u dërguan brenda terminalit e fatmirësisht incidenti u mbyll me kaq.

Militantët kurdë e kanë kthyer Dijarbakirin në qendër të rebelimit të tyre 3-dekadësh. Sulmi i fundit erdhi pak ditë pas nisjes së inkursionit ushtarak turk në Siri, qëllimi i të cilit është zmbrapsja e militantëve të Shtetit Islamik, por edhe bllokimi i përpjekjeve të kurdëve për të fituar territoret që mbeten pa kontroll pas tërheqjes së militantëve. Ofensiva përtej kufirit shënoi dhe viktimën e parë në anën e turqve, një ushtar i vrarë kur luftëtarët kurdë mësynë e shkatërruan, siç thonë, tre tanke të forcave të Ankarasë.

Përplasjet ndodhën në afërsi të Jarablusit, qyteti kufitar të cilin rebelët sirianë e shkulën nga duart e ISIS-it të mërkurën falë ndihmës së Turqisë.

Please follow and like us: