Akademikë turq me varka në Greqi për të kërkuar azil politik
Tre persona nga Turqia janë arrestuar nga policia greke javën e shkuar e shkuar.
Dy prej tyre mësues dhe i treti inxhinier, hynë ilegalisht në tokën greke duke kërkuar azil politik.
Gjithsesi, ata janë ndaluar nga policia për hyrje të paligjshme në vend, ndërsa është pezulluar dëbimi i tyre. Tre burrat rreth të 40-ve shkuan me një varkë në ishullin grek Rodos, duke paguar trafikantin.
Ata thanë se po përndiqeshin në vendin e tyre, për shkak se akuzoheshin si të lidhur me lëvizjen Gylen, e akuzuar nga qeveria turke se qëndron prapa grushtit të dështuar të shtetit.
Më herët, katër turq të tjerë, dy akademikë dhe fëmijët e tyre kërkuan gjithashtu azil në Greqi. Ata u arrestuan javën e kaluar në Aleksandropolis, në afërsi të kufirit greko-turk.
Të gjithë mohojnë çdo lidhje me grushtin e shtetit, duke theksuar se autoritetet turke kanë nisur pastrimin në shkallë të gjerë ndaj të gjithë atyre që mendohen se simpatizojnë Lëvizjen Hizmet.
Dy prej thanë se kishin punuar në shkollat e hapura me donacione nga simpatizantë të lëvizjes.
Ndërkohë, tetë ushtarakë turq ndodhen ende në Greqi pasi u arratisën menjëherë pas grushtit të shtetit.
Turqia ka kërkuar ekstradimin e shpejtë të tyre, por vendimi nuk është marrë ende nga autoritetet greke. Ministri i Jashtëm greke, Nikos Kotzias tha të dielën se fati i ushtarëve varet nga drejtësia greke.
Ai zhvilloi një takim privat në Kretë me homologun turk, Mevlut Çavusoglu, e para që pas grushtit të shtetit.
AFP-ja shkruan se Greqia synon të ruajë bashkëpunimin me fqinjin e saj për shkak të marrëdhënieve delikate në dekada midis dy vendeve, edhe për shkak të trembjes së lëshimit të një “lumi” emigrantësh nga Turqia.