Alber Kamy: Ndjenja e tundimit drejt hiçit
Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet, do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë. Të tjerat, nëse bota ka tri përmasa, nëse shpirti ka nëntë apo dymbëdhjetë kategori, vijnë më pas. Këto janë lojëra; në fillim duhet t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Dhe, po qe e vërtetë ajo që thoshte Niçja se një filozof, për të qenë i respektuar, duhet të predikojë nëpërmjet shembullit të vet, kuptohet rëndësia e kësaj përgjigjeje, meqë ajo do t’i paraprijë veprimit përfundimtar. Këto të vërteta janë të kuptueshme për zemrën, po duhet t’i thellosh për t’i bërë të qarta për arsyen. Nëse do të kërkoj të dalloj një problem të ngutshëm nga një tjetër, duhet të marr parasysh veprimet që jam i detyruar të kryej. Asnjëherë nuk kam parë njeri të vdesë për hir të argumenteve ontologjike. Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. Në një farë kuptimi, është një problem i kotë. Nga ana tjetër, kam vënë re se shumë njerëz i japin fund jetës, sepse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Kam parë të tjerë, që paradoksalisht vriten për idetë ose iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur). Pra jam i mendimit se kuptimi i jetës është problemi më i ngutshëm. Si t’i përgjigjemi? Për të gjitha problemet thelbësore, këtu unë përfshij të gjitha ato që të bëjnë të vdesësh ose ato që shumëfishojnë dashurinë për jetën, ka me siguri dy metoda të menduari, ajo e La Palisës dhe ajo e Don Kishotit. Vetëm ekuilibri midis të vërtetave dhe lirizmit mund të na lejojë të përftojmë njëkohësisht emocion dhe qartësi. Pra, para një çështjeje të tillë, sa të thjeshtë aq dhe të ngarkuar me patetizëm, dialektika akademike dhe klasike duhej t’ia lëshojë vendin, merret me mend, një mënyre të menduari më modeste që mbështetet sa në bon sens-in aq dhe në qëndrimin dashamirës.
Vetëvrasja gjithmonë është trajtuar si një dukuri shoqërore. Këtu, përkundrazi, është fjala, sa për fillim, për marrëdhënien midis mendimit vetjak dhe vetëvrasjes. Një veprim i tillë përgatitet në heshtjen e shpirtit, ashtu si dhe veprat e mëdha. Vetë njeriu nuk e di këtë. Një mbrëmje, ai tërheq këmbëzën ose hidhet në ujë. Një ditë, kur po më tregonin për një administrator banesash që kish vrarë veten më thonë se kishte ndryshuar shumë që nga vdekja e vajzës së tij para pesë vjetësh dhe se kjo ngjarje e kishte “gërryer nga brenda”. Nuk mund të gjesh fjalë më të përpiktë. Të fillosh të mendosh do të thotë të fillosh të gërryhesh, shoqëria nuk luan ndonjë farë roli në fillim. Krimbi gjendet në shpirtin e njeriut. Aty duhet ta kërkosh. Këtë lojë të kobshme që të çon nga qartësia përballë ekzistencës tek arratisja jashtë dritës, duhet ta gjurmosh dhe ta kuptosh.
Gjenden shumë shkaqe për një vetëvrasje dhe, në përgjithësi, ato më të dukshmet nuk kanë qenë më të efektshmet. Njeriu rrallë e vret veten (ndonëse kjo hipotezë nuk përjashtohet) duke arsyetuar.
Kriza fillon me diçka që është pothuajse gjithmonë e pakontrollueshme. Gazetat shpesh flasin për “brenga intime” ose për “sëmundje të pashërueshme”. Këto shpjegime janë të vlefshme. Po mund të ndodhë që atë ditë një mik i njeriut të dëshpëruar i ka folur ftohtë. Ky është fajtori, sepse vetëm kaq mund të mjaftojë për t’ju dhënë rrokullimën gjithë pakënaqësive dhe gjithë mërzitjeve që qëndronin pezull.
Por nëse është e vështirë të gjendet çasti i saktë, përçapja e stërholluar ku arsyeja ka zgjedhur vdekjen, është më e lehtë të nxjerrësh nga ky gjest rrjedhojat e tij. Të vrasësh veten, në një kuptim, si në melodrama, do të thotë të rrëfehesh. Të tregosh se ke mbetur prapa nga jeta ose që nuk e kupton. Megjithatë, të mos vazhdojmë me këto analogji dhe t’u kthehemi fjalëve të zakonshme. Kjo do të thotë se pranon që jeta nuk ja vlen të jetohet. Të jetosh, natyrisht, nuk është kurrë e lehtë. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë veprime që ua imponon ekzistenca për shumë arsye, nga të cilat e para është zakoni. Të vdesësh me dashje parakupton që e ke zbuluar, qoftë dhe instinktivisht, karakterin qesharak të këtij zakoni, mungesën e çdo arsyeje të thellë për të jetuar, karakterin absurd të veprimtarisë së përditshme dhe kotësinë e vuajtjes.
Cila është, pra, kjo ndjenjë e pallogaritshme, që i largon shpirtit gjumin, aq të nevojshëm për jetën? Një botë që mund ta shpjegosh qoftë edhe me arsye të gabuara është një botë e afërt. Po, në të kundërtën, në një gjithësi pa iluzione dhe pa të vërteta, njeriu ndihet i huaj. Ky mërgim është i pafund, meqë ka humbur kujtimet e atdheut të pagjendshëm ose shpresën e tokës së premtuar . Kjo ndarje e njeriut nga jeta e tij, e aktorit nga dekori i tij përbën ndjenjën e absurditetit. Meqë të gjithë njerëzit e shenjtë kanë menduar për vetëvrasjen e tyre, pa e zgjatur, kuptohet që ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis kësaj ndjenje dhe tundimit drejt hiçit.
Fragment nga “Absurdi dhe vetëvrasja”