Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Zheji: Vito Kapo, Enverizmi i bërtitur dhe koha e re e diktatorëve!

Vito Kapo, Enverizmi i bërtitur dhe koha e re e diktatorëve!

Vito Kapo është tashmë një shoqe e vjetër komuniste. Ajo nuk ka njohur kurrë dhe asnjëherë publikisht ndonjë gabim të enverizmit.

Edhe Nexhmije Hoxha po ashtu. Dy rrënjë të forta të së kaluarës, që nuk mposhten nga koha.

As si shëndet, por as edhe si bindje. Koha e ish-komunistëve të famshëm shqiptarë, që përfunduan burgjeve që ndërtuan vetë për armiqtë duket se ka mbaruar. Pasiqë dikush mendon se Tranzicioni ka mbaruar dhe shqiptarët kanë shpëtuar nga komunizmi.

Por bën habi fakti, se me përjashtim të të dy këtyre shoqeve, që gjithmonë kanë jetuar mirë e më mirë, por sot nuk janë të pasura, të paktën në dukje, të tjerët i ka marrë Perëndia dhe nuk mund të flasin.

Librat e tyre, nuk ribotohen sepse nuk ka interes ne brezat e sotshëm.

Dhe kështu kur sheh në foto dhe lexon shoqen Vito Kapo, të kap madje edhe një dhimshuri për një grua tepër të mplakur, gjyshe dhe stërgjyshe, që radhit ca fjalë romantike të një kohë të largët.

Por kur ajo, shoqja Vito, që nuk do të besojë teoritë konspirative që flasin edhe për një eleminim të Hysni Kapos, nga ana e diktatorit, bën sot thirrje për Rehabilitimin e Enver Hoxhës, ka Diçka të Madhe që nuk shkon!

Shoqja Vito ka kuptuar që shoqëria shqiptare është e rraskapitur në këto 26 vjet nga pseudo-demokracitë grabitqare shqiptare dhe në këtë pikë ajo ka të drejtë.

Por shoqja Vito, nuk vëren dot se shumica e të superpasurve shqiptarë dhe të superpushtetshmëve shqiptarë, vijnë nga radhët e komunistëve, ish-komunistëve apo farefis i tyre, fare i afërt. Ndoshta mosha, ndoshta dogma e fortë! Ndoshta bindja se janë çunat tanë, më të mirë se djemtë e çupat e armikut!

Dje, sot edhe nesër!

Sepse sot, fallsifikimi historik është i plotë. Partia e Punës polli shumë parti dhe përse udhëheqësit historik të saj t’i mohoet një medalje?!

Ka të drejtë Vito Kapo, çfarë është kjo Hipokrizi, kur shumë e shumë nga bijtë apo nipat e shokëve të udhëheqjes dhe nomenklaturës, janë sot biznesmenë, politikanë të dorës së parë dhe njerëzit më me influencë në Shqipëri?!

Përse, thotë shoqja Kapo, ndërmjet rreshtave:

Të mohoet Babai, Arkitekti dhe Shtylla e Partisë?!

Por gjithësesi “guximi” i saj i sinqertë, për të thirrur në ndihmë Enverin, apo modelin e tij, ngjall frikë!

Jo aspak një frikë nga zonja-shoqe e mplakur, kockëfortë dhe zagorite nga trungu i Kondëve, por nga fakti që ajo e kupton se:

Koha e diktatorëve po kthehet!

Dhe për këtë paralajmërim, Vito Kondi Kapo duhet falenderuar!

Anipse armiqtë flenë nëndhe, të heshtur.

Please follow and like us: