De Biasi: Cana është tërhequr nga kombëtarja
Pas pushimeve post-Europian, përfaqësuesja e Shqipërisë filloi këtë të hënë grumbullimin për sezonin e ri, për miqësoren me Marokun, që do të zhvillohet ditën e mërkurë, dhe fillimin e kualifikueseve të kampionatit botëror “Rusi 2018”.
“Para së gjithash dua t’u kujtoj të gjithëve se, për herë të parë që nga koha kur unë mora drejtimin e kësaj kombëtareje, Lorik Cana nuk është grumbullur pasi ka vendosur që të mbyllë karrierën si lojtar i kombëtares. Këtu dua të vlerësoj publikisht një njeri të jashtëzakonshëm, me shumë vlera njerëzore, përveçse futbollist. Mbi të gjitha kishte aftësinë t’i vinte ato në shërbim të skuadrës”, tha trajneri i kuqezinjve, De Biasi.
Në listë nuk ka ndonjë surprizë, veç grumbullimit të Tomas Strakoshës si portier i katërt, aktualisht portier i Shpresave, dhe Jahmir Hykës në mesfushë e Rei Manajt në sulm. Ndërkohë, lëvizja e lojtarëve shqiptarë të Kosovës ka qenë më shumë shqetësuese për opinionin sesa për De Biasin.
“Nuk mund të them se ka pasur eksod. Kanë lëvizur lojtarë që nuk ishin më pjesë e skuadrës sonë për te një kombëtare tjetër, ku mund të kenë më tepër mundësi. Asnjëri nga lojtarët që ishin me ne në Francë nuk ka ikur”, ka theksuar italiani De Biasi.
Mes De Biasit dhe Bunjakut nuk ka asnjë marrëdhënie. Bashkëpunimi i përfolur mes tyre ishte një ëndërr e bukur. Ndërsa tashmë shihen thjesht si dy trajnerë rivalë.
“Di që drejton Kosovën, pjesën tjetër të Shqipërisë së madhe të dikurshme. Ka shumë kohë që nuk kam asnjë kontakt”, u shpreh De Biasi gjatë konferencës për shtyp.
Ja lista e plotë e të grumbulluarve për dy ndeshjet e radhës.
Portierë: Etrit BERISHA, Alban HOXHA, Tomas STRAKOSHA, Orges SHEHI.
Mbrojtës: Naser ALIJI, Berat DJIMSITI, Elseid HYSAJ, Ansi AGOLLI, Mërgim MAVRAJ, Federik VESELI.
Mesfushorë: Migjen BASHA, Ergys KAÇE, Ledian MEMUSHAJ, Odise ROSHI, Jahmir HYKA, Andi LILA, Emir LENJANI, Taulant XHAKA, Blerim KUKELI, Amir ABRASHI.
Sulmues: Bekim BALAJ, Sokol CIKALLESHI, Armando SADIKU, Shkëlzen GASHI, Rey MANAJ.