Dominique Moisi: Fushata frikësuese e Sarkozy
Trimërohet nga mungesa e popullaritetit të Hollande-së
Mendon që francezët janë gati ta mirëpresin kthimin e tij
Ende besoj se Juppé ka më shumë të ngjarë që të bëhet presidenti i ardhshëm i Francës. Sa i përket moshës dhe profilit, ai ngjan me një version francez të Hillary Clinton-it, me më shumë përvojë në ushtrimin, sesa marrjen e pushtetit. Por, frika është një armë e fuqishme dhe Sarkozy, sikurse edhe Trump, është i gatshëm që ta përdorë atë
Deklarata e ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, se do të garojë për postin e presidentit sërish në vitin 2017 nuk duhet ta befasojë askënd. Në fakt, ishte vështirë që të merrej seriozisht deklarata e tij, pas humbjes së tij nga kandidati i Partisë socialiste, François Hollande, në garën e vitit 2012, kur pat thënë se kishte mbaruar karriera e tij politike. Pa marrë parasysh se çka mendoni rreth Sarkozy-t, nuk mund ta mohoni se ai gjithmonë është përkujdesur që të jetë në qendër të vëmendjes.
E vërteta është se Sarkozy kurrë në fakt nuk e pranoi humbjen e vet. Sikur Gjermania pas Luftës së parë botërore, ai u konsumua nga dëshira për hakmarrje, të manifestuar në formë të etjes së tij evidente për pushtet.
Tani, i trimëruar nga mungesa e popullaritetit të Hollande-së, Sarkozy duket se mendon që francezët janë gati ta mirëpresin kthimin e tij. Në vend që të shqetësohet rreth reputacionit të vet të keq, që ende reflektohet në anketa, ai duket se është duke ëndërruar rreth përsëritjes së zgjedhjeve të vitit 2007, kur ai triumfoi lehtë ndaj kandidatit të socialistëve, Ségolène Royal, ish-partneres së Hollande-së.
Kjo mund të mos jetë aq e paarsyeshme. Pa marrë parasysh se a e do apo nuk e do populli Sarkozy-n, fakti është se, gjatë qeverisjes së Hollande-së, situata sociale, ekonomike dhe e sigurisë është përkeqësuar dhe janë të shumtë ata që, për këtë, përgjegjës kryesor e konsiderojnë Hollande-në.
Kushtet aktuale po ashtu mund t’i dëmtojnë rivalët e Sarkozy-t brenda Partisë republikane. Në veçanti, Alain Juppé – konkurrenti kryesor i Sarkozy-t për ta marrë nominimin partiak – mund të konstatojë se qasja e tij e moderuar mund të shndërrohet në pengesë, sidomos tani kur është përfshirë edhe Sarkozy.
Qasja e Sarkozy-t mund të funksionojë
Që të dy kampanjat përqendrohen te identiteti francez. Por, derisa Juppé, i cili e shpiku termin “l’identité heureuse” (identiteti i lumtur), ka për qëllim tejkalimin e ndarjeve gjithnjë e më të thella brenda shoqërisë franceze, Sarkozy duket se ka ndërmend që të përfitojë nga to, duke e paraqitur islamizmin si kërcënim serioz ndaj mënyrës franceze të jetesës. Duke pasur parasysh disponimin aktual të popullit – të ndikuar nga sulmet e fundit terroriste – qasja e Sarkozy-t mund të funksionojë.
Duhet marrë parasysh ndalesën e “burkinit” – kostumit të plazhit që mbulon tërë trupin, që përdoret nga disa femra myslimane – në qytetet bregdetare franceze. Sinqerisht, në një shoqëri të lirë dhe të llojllojshme, rrobat që ua mundësojnë një grupi të grave për ta shijuar një aktivitet të preferuar, duhet të mbështeten. Por, gratë myslimane tani janë duke u sulmuar për shkak se veshin burkini, ku policia iu jep atyre gjoba, apo sikur në rastin e Nisës, i detyron ato që të zhvishen në plazh.
Derisa disa kanë dënuar ndalesën në fjalë, shumë qytetarë e mbështesin atë. Unë vet isha në një plazh francez tash vonë, në njërin nga ato plazhe ku ende nuk është ndaluar burkini – ku pashë reagimet e tmerruara dhe përbuzëse ndaj një gruaje të mbuluar myslimane, e cila kishte hyrë në ujë me familjen e vet. Bile, dëgjova një të ri duke thënë se ajo pamje e inspironte atë që t’i vriste të gjithë ata. Nuk ka dyshim se shoqëria e hapur dhe e llojllojshme franceze ka pësuar ndryshime të mëdha negative.
Sarkozy e ka vërejtur mirë disponimin popullor. Ai e di se francezët ndihen të rrezikuar dhe janë të zemëruar, prandaj ai dëshiron që t’i përdorë ato ndjenja për të fituar një mbështetje më të madhe, duke përfshirë edhe marrjen e votave nga partia ekstremiste djathtiste e Marine Le Penit. Në këtë aspekt, Sarkozy ka ngjashmëri me kandidatin presidencial amerikan Donald Trump, i cili ka marrë mbështetjen e votuesve të zemëruar, duke e paraqitur veten si shpëtimtar të një vendi që dikur ishte madhështor, e sot gjendet në rënie e sipër.
A mjafton konteksti i ri që ta bëjë atë të duket si opsioni më i mirë për Francën?
Por, Sarkozy mund të zbulojë se vetë frika që ai është duke e shkaktuar, mund të ndikojë që njerëzit të mos e votojnë atë. Me energjinë e tij të zhurmshme dhe me nervozizmin e tij, ai mund të mos duket si njeriu më i përshtatshëm dhe i palëkundur, për të cilin ka nevojë të madhe ky vend nervoz.
Së shpejti do ta dimë përgjigjen. Anketat e reja të opinionit publik do të ofrojnë një tregues të fortë të asaj sesi francezët e përjetojnë Sarkozy-n e rishfaqur. A qëndrojnë ende arsyet për të cilat votuesit i dhanë fund presidencës së tij katër vite më parë? Apo, a mjafton konteksti i ri që ta bëjë atë të duket si opsioni më i mirë për Francën?
Më shumë do të dimë pas zgjedhjeve primare partiake në nëntor. Duke pasur parasysh shkallën e ulët të mbështetjes për presidentin Hollande, besohet shumë se republikani fitues do të jetë president i ardhshëm i Francës. Dhe, edhe pse Juppé mbetet shumë përpara në anketa, francezët mund ta refuzojnë versionin e tij të lumtur të identitetit francez, në favor të një identiteti më të errët të Sarkozy-t.
Ende besoj se Juppé ka më shumë të ngjarë që të bëhet presidenti i ardhshëm i Francës. Sa i përket moshës dhe profilit, ai ngjan me një version francez të Hillary Clinton-it, me më shumë përvojë në ushtrimin, sesa marrjen e pushtetit. Por, frika është një armë e fuqishme dhe Sarkozy, sikurse edhe Trump, është i gatshëm që ta përdorë atë.
Dominique Moisi është profesor në “L’Institut d’études politiques de Paris” – Sciences Po