E rrallë në rrëfimet e Todi Lubonjës: Partizani që gjermanët e varrosën me nderime ushtarake pasi e vranë…
Nga Ermir Hoxha
Mizoria naziste as që vihet në diskutim. Siç nuk vihet në diskutim dhe e frikshmja e tyre në përballje luftarake. Edhe në mendësinë shqiptare, pavarësisht diktatit të fortë propagandues të filmave të komunizmit me gjermanë që ia mbathnin me të katra prej partizanëve, apo që linin jetën si të ishin miza në përballje me ta, arriti të mbahej gjallë bindja që ata ishin një tmerr ende pa shkrehur armë, vetëm në pamje; e se ajo ç’tregohej e ç’thuhej nëpër filma ishte një sajesë naive e kinostudios.
Në kujtimet e tij, i ndjeri Todi Lubonja e rrëfen me vërtetësi një realitet të tillë, edhe pse vetë ka qenë partizan, pra në anën e atyre nuk kanë interes që të ulin veten përballë kundërshtarit, aq më tepër kur është fjala për të qënit në radhët e nacionaliçlirimtares, ku miti jo pak ia ka zënë vendin realitetit.
Por më interesantja në rrëfimin e tij, që është dhe më e pazakonta, më e pamundura për t’u imagjinuar, ka të bëjë me faktn e rrallë që gjermanët na e paskan varrosur një partizan me nderime ushtarake. Pra, pasi e kanë vrarë gjatë betejës e trupi i tij “u ka mbetur në dorë” për rrethana të caktuara, ata janë sjellë me armikun e pajetë me shumë njerëzillëk. Dhe është fjala për partizanin Met Hasa, të cilin e hasnim në librat shkollorë të ish-sistemit apo tek vepra disa vëllimshme “Yje të pashuar”, si një dëshmor, hero, që dha jetën në moshë të njomë, siç thuhej me gjuhë skematike “për ditët e bukura të gëzojmë sot”.
Ja ç’rrëfen Lubonja në librin e tij memuaristik “Pse hesht shtëpia e muzikës”, lidhur me një betejë në zonën e Pukës, e më pas me faktin se partizani minoren, Met Hasa është varrosur me nderime nga gjermanët:
Pozicionet gjermane në Qafën e Pezhgës do të sulmoheshin natën. Natën e parë sulmi qe i befasishëm. Gjermanët nuk prisnin të sulmoheshin. Të ftohtit sapo kishte filluar në malet e Pukës. Gjermanët kishin ndezur zjarre të maskuar me dërrasa. Që me pushkën e parë ata lanë vendet dhe u larguan me hap të lehtë se, kur thyheshin, ushtarët gjermanë nuk ndaloheshin kollaj. Nga të ftohët ne nuk mund të qëndronim atje natën. Përgjithësisht ishim të paveshur mirë dhe shumëkujt nga partizanët i mungonin këpucët. Në këto kushte e lamë kodrën e zbritëm poshtë, që të nesërmen në mëngjes, të ngjiteshim përsëri dhe të përgatiteshim. Kështu do të ishim në avantazh. Mirëpo ne nuk i kishim bërë mirë llogaritë. Gjermanët ishin rikthyer në pozitat e humbura me përforcime të reja. Krisi pushka dhe mitralozi…
Në luftimet e asaj nate të mallkuar ne humbëm nga shokët tanë më të mirë: Hamdi Grorin, komandantin e kompanisë, një nga partizanët e vjetër që në kohën e çetës së Myslim Pezës; Koço Çakon, komisarin e kompanisë; Halil Tushën dhe pionerin hero Met Hasa bashkë me dy partizanë të tjerë. Trupat e shokëve të vrarë arritëm t’i tërheqim, kurse atë të trimit të vogël nuk mundëm ta tërhiqnim. Nuk e pamë si ku dhe kur u vra. (Mbas shumë vitesh e kërkimesh të vëmendëshme, shoku ynë, Safet Kurti, një nga partizanët e vjetër të Pezës, vërtetoi se Met Hasa kish mbetur i vrarë m’u brenda në llogoren e gjermanëve. Me dëshmitarë okularë, Safeti vërtetoi se gjermanët e kishin varrosur trupin e tij me nderime ushtarake, duke çmuar kështu trimërinë, guximin dhe atdhedashurinë e atij partizani të vogël…).