Albspirit

Media/News/Publishing

Ekspertët e BE, 10% e gjyqtarëve largohen nga frika e vetingut

Të paktën 10% e gjyqtarëve priten të largohen nga detyra nga frika e vettingut sipas ekspertëve të BE-së. Në projektligjin e ri të vetingut është reflektuar fakti se për vitin 2016-2017 do të hapen vende për 25 magjistratë të rinj në Shkollën e Magjistraturës, nga 5 vende për studentë të rinj që ishin parashikuar.

“Shkolla e Magjistraturës në shtator fillon vetëm me 5 vende që janë kërkuar. Pra, kursi nuk do të jetë i plotë, duhet të fillojë me të paktën 25 vende, sepse si rezultat i procesit të vlerësimit, disa njerëz, 10 njerëz, mund të japin dorëheqjen dhe në vitet në vijim do të na duhen ata 10 njerëz që të na plotësojnë këto vende bosh. Pra, në ligj na duhet numri 25, sepse ndryshe Shkolla e Magjistraturës dhe legjislacioni aktual nuk do të kenë mundësi të mbushin vendet bosh dhe duam të fillojmë që në shtator me këtë gjë. Pra, ky ligj kalon menjëherë për kursin e radhës. Do të keni dhe një tjetër në prill, nuk e kemi marrë parasysh këtu, edhe tjetrin që do të jetë në shtator të 2017-s, bëjeni po kështu”, është shprehur Rainer Deville gjatë debatit me dyer të mbyllura në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Ai ka dhënë dhe shembujt se si ky proces është zbatuar në Kosovë, ku, sipas tij, u larguan 10% e gjyqtarëve. Për Shqipërinë, zyrtari i BE-së ka parashikuar të njëjtin skenar, nga 800 magjistratë, 80 prej tyre do të dorëhiqen.

“Edhe në Kosovë 10% dhanë dorëheqjen. Nëse marrim me mend që edhe në sistemin tonë numri i të dorëhequrve do të jetë 10%, atëherë 10% do të largohen, pra nga 800 njerëz do të largohen 80, të cilët do të na duhet t’i zëvendësojmë. Pra, 3×25 do të jetë numri i cili do të na plotësojë kapacitetet që do të na mungojnë”, është shprehur Deville.

Pas këtij argumenti të ekspertit të Bashkimit Europian, në projektligjin e ri të vetingut është parashikuar një nen i veçantë, i cili ngarkon shkollën e Magjistraturës të organizojë konkurse jashtë radhe për magjistratët e rinj.

“Për efekt të zbatimit të këtij ligji ngarkohet Shkolla e Magjistraturës të organizojë një konkurs jashtë radhe për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë, përkatësisht për secilin vit akademik 2016– 2017 dhe 2017–2018”, thuhet në nenin 64 të projektligjit të vetingut.

Please follow and like us: