Fajon: Së pari ratifikimi i Demarkacionit pastaj liberalizimi i vizave
Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave me Kosovën, Tanja Fajon, i tha Radios Evropa e Lirë se i gjithë procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës varet nga situata në Prishtinë dhe nga ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Fajon tha se “për Parlamentin Evropian dhe institucionet e tjera evropiane ratifikimi është një prej argumenteve kryesore që të ecet përpara“.
Ajo tha se shpreson në një rezultat pozitiv në Kuvendin e Kosovës, përndryshe “nëse gjërat përshkallëzohen do të ketë vështirësi“.
Deklaratat e Fajon vijnë pak ditë përpara se Kuvendi i Kosovës ta diskutojë çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi, në një sesion parlamentar të paralajmëruar për 1 shtator, përmes kundërshtimeve të fuqishme të opozitës në vend.
Fajon: Fillimisht le ta shohim se si do të kalojë debati në Kuvend dhe çfarë përfundimi do të ketë votimi. Natyrisht, shpresoj të kemi një rezultat pozitiv, sepse demarkacioni i kufirit është një kusht i Komisionit Evropian, dhe është diçka që të gjithë në Bruksel po e presin. Nuk dua të spekulojë kur mund të presim liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Duhet të ecim hap pas hapi. Do të kthehem në Bruksel pasdite, dhe në biseda me kolege do të shoh se si është gjendja në Parlamentin Evropian. Ende na prêt votimi në Komitetin Libe (Komiteti për liritë civile, drejtësinë dhe çështjet e brendshme të Parlamentit Evropian) me 5 shtator dhe kjo pak varet edhe nga zhvillimet në Prishtinë.
Raportuesja për liberalizim të vizave tha se gjendja paraqitet shumë e ndjeshme dhe e rëndë dhe tensionet, dhuna dhe incidentet mund të mund të shkaktojë vështirësi në Bruksel.
“Mund t’ju sigurojë se me kolegët e mi në Parlamentin Evropian, me Ulrike Lunachek, po bëjmë çdo gjë që raporti im të votohet në Komitetin LIBE dhe pas tij edhe në Parlament. Por, natyrisht, nëse gjërat përshkallëzohen, atëherë do të ketë vështirësi”.
“Aktualisht po bëhen bisedime për tri ose katër shtete që në valën tjetër të lirohen nga regjimi i vizave. Situata është shumë e ndjeshme dhe duhet të shohim se çfarë disponimi mbretëron edhe në Këshill. Ka disa shtete anëtare që kanë rezerva dhe prandaj duhet të bashkëpunojmë ngushtë dhe vazhdimisht të zhvillojmë dialog, të bëjmë çdo gjë. Kjo vlen edhe për Parlamentin e Kosovës dhe qeverinë”.
“Kur të përmbushen kushtet, atëherë kemi një argument më të mirë, pra të kemi votim pozitiv në Kuvend dhe pastaj edhe Këshilli edhe shtetet anëtare nuk do të kenë argumente kundër. Unë shpresoj se së bashku me shtetet e tjera, Ukraninën, Gjeorgjinë dhe ndoshta Turqinë edhe pse me vështirësi, do të ecim tutje dhe do të shohim edhe Kosovën pa regjim vizash“, tha Fajon.
“Duhet të shohim pas diskutimit të parë javës së ardhshme në Komitetin LIBE. Pres që votimi në Parlament të bëhet së shpejti në njërën nga sesionet e ardhshme. Por aktualisht çdo gjë varet nga situata në Prishtinë dhe nga ratifikimi, që për Parlamentin dhe institucionet e tjera është një prej argumenteve kryesore të ecim përpara”, shtoi Fajon. (REL)