Firmat turke në Maqedoni: Nuk kemi asnjë lidhje me Gylenin
“Nuk kemi kurrfarë lidhje me imamin Fetulla Gylen”, kështu reagojnë kryesitë e më shumë kompanive në Maqedoni që u gjetën në listën e Agjencisë turke Anadolia, sipas së cilës ato rrezikojnë mbylljen, raporton Alsat-M.
Në këtë listë të agjencisë shtetërore të Ankarasë është edhe gazeta që botohet në gjuhën turke në Maqedoni Zaman.
Nga kjo gazetë thonë se përveç që nuk kanë lidhje me sulmet, gjithashtu nuk kanë asnjë lidhje me gazetën turke me këtë emër.
Akuzat e këtilla i hodhën poshtë edhe nga Agjencia turistike “Bashak” që tashmë 10 vite funksionon në Maqedoni. Thonë se ndjejnë keqardhje për ngjarjet në Turqi, porse pohimet e këtilla të pabaza të Agjencisë Anadolia vetëm se e prishin imazhin e tyre. Paralajmërojnë se për këtë do të kërkojnë epilog gjyqësor.
“Punojmë sipas ligjeve të Maqedonisë. Dera jonë gjithmonë është e hapur për të gjitha kontrollet. Ata kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë. Ne punojmë sipas ligjit dhe i kemi të gjitha licencat”, tha Omer Faruk nga AT Bashak.
Edhe pse para dy ditëve ministri i brendshëm Çavkov, tha se qeveria e Shkupit kërkon mundësi juridike si t’i ofrojë mbështetje politikës së qeverisë turke, që u interpretua si përpjekje që Maqedonia t’i plotësojë kërkesat e Erdoganit, megjithatë gazeta Zaman nuk ka frikë nga ky skenar.
Dhe përderisa në vend është e hapur çështja nëse pushteti do të fillojë të mbyllë kompani, presidenti Gjorgje Ivanov javën e kaluar ishte për vizitë kolegut turk Rexhep Taip Erdogan. Ai mori pjesë në hapjen e urës së re në Bosfor, por mungoi informata nëse është biseduar për kërkesën rreth mbylljes së kompanive në vend që konsiderohet të kenë lidhje me Gylenin.