Albspirit

Media/News/Publishing

Historia dhe detajet e strehës së Nënë Terezës në Romë

 

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=I47byp67kIk?version=3&rel=1&fs=1&autohide=2&showsearch=0&showinfo=1&iv_load_policy=1&wmode=transparent]
Në prag të shenjtërimit të Nënë Terezës, Ora News sjell historinë dhe detajet e shtëpisë ku qëndronte bamirësja shqiptare sa herë vizitonte kryeqytetin italian. Quhet “Shtepia e Dashurisë” dhe ndodhet në lagjen “Celio”. Brenda saj edhe sot e kësaj dite ndodhet e paprekur, siç e ka lënë herën e fundit, dhoma e gruas së vogël që më katër 4 shtator do të ngjitet në panteonin e të shenjtëve. Gazetarja Alba Kepi sjell rrëfimet dhe përjetimet e motrave të Nënë Terezës që çojnë përpara misionin e saj.
Romë- “Celio” është jo vetëm një nga lagjet e vjetra të Romës, por dhe emri i një prej shtatë kodrave mbi të cilat sipas historisë është ndërtuar Roma Antike.

Mbi një portë të thjeshtë hekuri në këtë lagje është shkruar “Misionaret e Bamirësisë”.
Kjo është shtëpia e Nënë Terezës në Romë vendi ku Nëna e Shenjtë shqiptare qëndronte sa herë që i duhej të vizitonte Vatikanin.
Quhet “Shtëpia e dashurisë”, e çdo kush që troket në portën e saj gjen aty dashurinë e Motrave të Nënë Terezës.
Aty takuam edhe motër Cyrenen, Nënën superiore e konventës “Shtëpia e Dashurisë” e cila në një intervistë ekskluzive për Ora Neës tregon detajet interesante të “Shtëpisë së Dashurisë”.
Motër Cyrenen: “Shtëpia e parë e Motrave të Nënë Terezës në Romë është ndërtuar më vitin 1968 në zonën Torre Fiskale dhe ende sot përdoret nga Etërit Misonarë të Urdhërit tonë. Shtëpia e Nënë Terezës ku jemi sot është ngritur më vonë nga nevoja për të pasur një vend për të mikpritur e ndihmuar të varfërit, në qëndër të Romës.
Ishin Etërit Kamaldolezë që na dhuruan këtë pjesë të Manastirit të tyre. Nëna Tereza fillmisht në këtë ndërtesë ngriti dhomat me banjo për të mikpritur gratë e varfëra ndërsa pjesa tjetër u vu në dispozicion të Motrave të Urdhërit”.
Në mes të korridorit ndodhet kapela e lutjes.

Përballë saj është dhoma e Nënë Terezës. Është ashtu siç e ka lënë.
Një shtrat i ngushtë, pranë tij një tavolinë shkrimi, një karrige dhe përballë një raft i bardhë librash.
Kjo hapësirë e vogël me kushtet më minimale për të jetuar bën të kuptosh madhështinë e Nobelistes së Shenjtë shqiptare.
Motër Cyrenen:“Kujtoj mirë se shumë herë Nëna Tereza gjatë udhëtimeve të saj ka ardhur për të qëndrur bashkë me ne në këtë shtëpi. Për ne ka qënë gjithmonë një Nënë, Na ndihmonte në preokupimet tona të përditshme, na rrinte pranë. Këtu në këtë vend ajo takonte njerëz të thjeshtë, takonte të gjitha ata që e dinin se ndodhej në Romë e vinin ta takonin, takonte të gjitha ata besimtarë që merrnin pjesë në Meshën e Shenjtë”.

Aktualisht në botë gjenden 758 seli të Urdhërit të Motrave të Nënë Terezës të ngritura në 139 shtete të ndryshme si dhe numërohen rreth 5161 Motra të Nënë Terezës që çojnë përpara misionin e saj.
Motër Cyrenen: Kjo shtëpi sot është selia qëndrore e Motrave të Nënë Terezës në Romë, ka një zyrë që merret me organizmin e punës së Motrave, është gjitashtu dhe një qëndër për të formuar Motrat e reja. Ka një grup murgeshash të reja që zhvillojnë këtu kursin e tyre të formimit dhe eksperiencën e parë. Kemi gjithashtu një grup Motrash që çdo ditë kryejnë shërbimin e tyre në anën tjetër të kësaj shtëpie ku jetojnë vëllezërit e vobektë të Nënë Terezës, e kujdesen për një grup burrash të pa strehë që kanë nevojë për gjithçka, të ushqehen, të vishen e për kura mjekësore.

Nëna Tereza pranoi të merrte në dorëzim çmimin Nobel për Paqen vetëm në emër të të varfërve e me kushtin që 6000 dollarët e parashikuar si vlerësim ekonomik t’i shkonin të banorëve të Kalkutës, para që do të shërbenin për të ushqyer të varfërit indianë për një vit të tërë.
Në këtë prag eventi madhështor të Shenjtërimit të Nënë Terezës në 4 shtator, motër Cyrene tregon detajet e përgatitjeve të fundit:
Motër Cyrenen:“Që kur morën vesh datën e këtij eventi nisëm përgatitjet. Arqipeshkopi i Kalkutës na përgatiti një program për të festuar falenderimet për zhvillimin e këtij eventi. Këtu në Romë Motrat janë shumë të impenjuara për përgatitjen e liturgjisë, mikpritjen e personave të shumtë që do të marrin pjesë e për gjithçka që përmban një ceremoni e tillë unike.Për këtë event ne, Motrat e Nënë Terezës, jemi impenjuar dhe me një përgatitje shpirtërore për t’u thelluar në atë çka është mënyra jonë e të jetuarit përmes bamirësisë e ndihmës ndaj nevojtarëve ashtu siç na ka lënë mësim me Urdhërin tonë, Nëna e Shenjtë.

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë.
Në qershor 2002 Bill Clinton është shprehur: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve dhe më 4 shtator do të ngjitet në panteonin e shenjtëve.

Please follow and like us: