I vetëm në gjëra të vogla të pashpjegueshme
Philip Roth
E tashmja
Nuk kisha qenë në Nju Jork prej njëmbëdhjetë vjetësh. Përveçse në Boston për të hequr një prostatë kanceroze, zor se kisha dalë përtej rrugës rurale malore në Berkshajers, në ata njëmbëdhjetë vjet dhe, për më tepër, rrallë i kisha hedhur sytë ndonjë gazete a kisha dëgjuar lajmet qysh prej 11 shtatorit, para tre vjetësh; pa ndonjë ndjesi humbjeje – thjesht, në fillim, me një lloj thatësire brenda vetes – kisha reshtur së jetuari jo vetëm botën e madhe, por edhe të tashmen. Shtysën për të qenë në të dhe prej saj, tashmë e kisha vrarë prej kohësh.
Por tani kisha udhëtuar plot njëqind e tridhjetë milje në jug të Manhatanit për një vizitë tek urologu i spitalit Mount Sinai, i specializuar në kryerjen e një trajtimi në ndihmë të mijëra burrave si unë, të cilët operacioni i prostatës i kishte lënë pa kontroll mbi urinën. Duke depërtuar përmes një kateteri që futej në uretër për të injektuar një trajtë xhelatinoze kolagjeni, aty ku qafa e fshikëzës puqet me uretrën, ai po arrinte përmirësime të ndjeshme ndër rreth pesëdhjetë për qind të pacientëve të tij. Ky nuk ishte ndonjë probabilitet i madh, pot ë mendoje se “përmirësim të ndjeshëm” nënkuptonte vetëm një lehtësim të pjesshëm të simptomave – duke e ulur “mosmbajtjen e rëndë” në “mosmbajtjen mesatare”, ose “mesataren” në “ të lehtë”. Prapëseprapë, meqë rezultatet e tij ishin më të mira se ato që urologë të tjerë kishin arritur pak a shumë me të njëjtën teknikë (nuk bëhej gjë për rrezikun tjetër të protatektomisë rrënjësore, së cilës, unë, si dhjetëra mijëra të tjerë, nuk kisha pasur t’i shpëtoja – dëmtim nervi me pasojë impotencën), vajtja në Nju Jork për një konsultë, shumë kohë pasi e mendova veten si të mësuar me bezditë praktikë të sëmundjes.
Në vitet pas operacionit, mendoja madje se ia kisha hedhur të turpëruarit për shkak të lagies, se e kisha kaluar tronditjen çorientuese që kishte qenë aq sfilitëse sidomos në tetëmbëdhjetë muajt e parë, gjatë muajve kur mjeku më kishte lënë të shpresoja se të mosmbajturit të urinës do të zhdukej gradualisht me kalimin e kohës, siç ndodh me një numër të vogël pacientësh fatlumë. Por me gjithë përditshmërinë e rutinës së nevojshme për të mbajtur veten të pastër dhe pa erë, në të vërtetë ka të ngjarë të mos jem mësuar kurrë me të veshurit e ndërresave të posaçme, ndërrimin e të brendshmeve dhe trajtimin e “aksidenteve” ashtu siç nuk kisha nënshtruar poshtërimin e padukshëm, sepse ja tek isha prapë, në moshën shtatëdhjetenjëvjeçare, në Anën e Epërme Lindore të Manhatani, disa rrugica larg vendit ku dikur kisha jetuar si një djalë i ri, energjik dhe i shëndetshëm,- ja tek isha në sallën e pritjes së pavijonit të urologjisë, gati i bindur se me ngjitjen e përhershme të kolagjenit te qafa e fshikëzës, do të kisha një mundësi për të ushtruar kontroll mbi rrjedhën time të urinës diçka më shumë se një foshnjë. Teksa rrija aty dhe përfytyroja procedurën, i ulur e duke shfletuar kopjet e bëra pirg të revistave “People” dhe “New York”, mendova: “Krejt e kotë. Kthehu mbrapsht e shko në shtëpi”.
Prej njëmbëdhjetë vjetësh jetoj i vetëm në një shtëpizë në një rrugë të pashtruar thellë në fshat, pasi vendosa të jetoja ashtu më vete dy vjet para se të dilja me kancer. Takoj pak njerëz. Qysh nga vdekja, një vit më parë, e fqinjit dhe mikut tim Lerri Hollis, mund të kalojnë dy a tri ditë pa i folur askujt, veç amvisës që vjen të pastrojë tek unë çdo javë dhe burrit të saj, i cili është ndihmësi im. Nuk shkoj në festa mbrëmjeve, nuk shkoj në kinema, nuk shikoj televizor, nuk kam telefon celular, as video, as aparat DVD-je, as kompjuter. Vazhdoj të jetoj në Epokën e Makinës së shkrimit dhe s’e kam idenë se ç’është “World Wide Web”. S’e marr më mundimin të votoj. Shkruaj pjesën më të madhe të ditës, shpesh edhe gjer natën vonë. Lexoj më së shumti librat që pata zbuluar si student, kryeveprat e letërsisë artistike, fuqia e të cilave mbi është jo më e vogël, dhe në ca raste edhe më e fortë, se në takimet e mia emocionuese fillestare me to. Kohët e fundit kam rilexuar Jozef Konradin për të parën herë në pesëdhjetë vjet, të fundit për nga radha “Vija e padukshme”, që e kisha marrë me vete në Nju Jork për t’i hedhur edhe një sy tjetër, pasi e kisha mbaruar të gjithin me një lexim një natë më parë. Dëgjoj muzikë, shëtis në pyll, kur bën ngrohtë notoj në gjolin tim, temperature e të cilit edhe në verë nuk shkon më shumë se 21 gradë. Notoj aty pa rroba, larg shikimeve të njerëzve, kështu që nëse në vazhdën time lë pas një re të hollë të dallgëzuar urine që çngjyros dukshëm ujin përreth, s’para trazohem dhe nuk ndiej asgjë të ngjashme me hidhërimin, që padyshim do të më kishte mbërthyer sikur fshikëza ime të fillonte padashur të zbrazej teksa notoja në një pishinë publike. Gjenden të linjta plastike me llastik të fortë në anë, të menduara për notarë që s’e mbajnë dot dhe që reklamohen si të papërshkueshme nga uji, por kur, pas shumë dyshimesh, vajta dhe i porosita nga një katalog për pajisje pishine dhe i provova jashtë në liqen, pashë se megjithëse veshja e këtyre kilotave të bardha kaba poshtë kostumit të banjës, e zvogëlonte problemin, ai nuk zhdukej aq sa unë të mposhtja druajtjen time. Që të mos rrezikoja të bëhesha gazi i botës dhe të vija të tjerët në siklet, hoqa dorë nga ideja e të notuarit rregullisht poshtë te pishina e kolegjit për pjesën më të madhe të vitit (me kilota poshtë kostumit të banjës) dhe vijova ta kufizoja veten në të zverdhurit e herëpashershëm të ujërave të liqenit tim gjatë atyre pak muajve me mot të ngrohtë në Berkshajers, kur, me diell a me shi, bëj xhiron time gjysmë ore përditë,
Nja dy herë në javë marr tatëpjetën dhe i zbres malit për në Athena, tetë milje larg, për të psonisur ushqime, për të çuar rrobat për pastrim, me raste për të ngrënë ndonjë vakt jashtë, për të blerë ndonjë palë çorape, për të marrë ndonjë shishe verë apo për të shfrytëzuar bibliotekën e Kolegjit të Athenës. Tangeludi s’është fort larg dhe gjatë verës shkoj atje me makinë rreth dhjetë herë për të ndjekur ndonjë koncert. Nuk mbaj lexime apo leksione,as jap mësim në ndonjë kolegj dhe as dal nëpër televizione. Kur botohen librat e mi, mbyllem në vetvete. Shkruaj çdo të javës – në të kundërt, rri në heshtje. Më tundon mendimi të mos botoj fare – a nuk është fundja gjithçka që më nevojitet, puna dhe të punuarit? Ç’rëndësi ka tanimë nëse nuk e mbaj dot urinën dhe jam impotent?
Lerri dhe Merilin Hollis patën ardhur lart në Berkshajers, nga Uest Hartfordi, kur ai doli në pension, pasi kishte punuar gjithë jetën avokat në një shoqëri sigurimesh në Hartford. Lerri ishte dy vjet më i ri se unë, një burrë i përpiktë dhe nazeli, i cili dukej se besonte se jeta ishte e sigurt vetëm nëse çdo gjë në të planifikohej deri në hollësi dhe të cilin bëra çmos për ta shmangur, gjatë muajve të parë kur deshi të më tërhiqte edhe mua në jetën e vet. U dorëzova si përfundim, jo vetëm ngaqë ishte aq këmbëngulës në dëshirën e tij për të zbutur vetminë time, por edhe ngaqë nuk kisha njohur kurrë dikë si ai, një të rritur, biografia e fëmijërisë së trishtë të të cilit kishte përcaktuar, sipas fjalëve të tij, çdo zgjedhje që ai kishte bërë qëkur i kishte vdekur nëna nga kanceri, kur ai ishte dhjetë vjeç, vetëm katër vjet pasi i ati, pronar i një dyqani linoleum në Hartford, ishte shuar me jo më pak lëngatë nga e njëjta sëmundje. Si fëmijë i vetëm, Lerrin e çuan të jetonte me të afërmit në lumin Naugatuk në juglindje të Hartfordit, fill në të dalë të Uoterburit të zymtë dhe industrial, në Konektikat, dhe atje, në ditarin e një çunaku “Gjëra për të bërë”, ai skicoi një të ardhme për veten e tij, të cilën e ndoqi fill e për pe gjithë jetën; qysh prej asaj dite, çdo gjë që bënte ishte kinse e rastësishme. S’kënaqej me notë tjetër veç A-së, e madje qysh adoleshent e sfidonte me forcë cilindo mësues që s’kishte arritur ta vlerësonte saktë përparimin e tij. Ai ndoqi kurse vere për të shpejtuar diplomimin nga shkolla e mesme dhe hyri në kolegj para se të mbushte shtatëmbëdhjetë vjeç; të njëjtën gjë bëri dhe gjatë pushimeve të verës në Universitetin e Konektikatit, ku kishte një bursë të plotë për tarifën e shkollës dhe punonte në kaldajën e bibliotekës gjithë vitin për të paguar fjetjen dhe ushqimin asisoj që, pasi të diplomohej nga kolegji, të ndryshonte emrin nga Irvin Golub në Lerri Hollis (sikurse kishte bërë në plan qysh në moshën dhjetëvjeçare) dhe të futej në forcat ajrore për t’u bërë pilot avioni gjuajtës, i njohur nga të gjithë si Togeri Hollis dhe të kualifikohej për Gi Bill: me të lënë shërbimin, ai u regjistrua në Fordham dhe, në këmbim të tre viteve që shërbeu në forcat ajrore, shteti i pagoi tre vitet e studimeve për drejtësi. Si pilot i forcave ajrore i vendosur në Siatëll, ai iu vardis fort një vashe tërheqëse me emrin Kolins, e cila sapo kishte dalë nga bankat e gjimnazit dhe përmbushte fare mirë kërkesat e tij për një bashkëshorte, njëra prej të cilave ishte që ajo të kishte prejardhje irlandeze, flokë të zinj kaçurrelë dhe sy blu të akullt sit ë vetët. “Nuk desha të martohesha me një vajzë hebrenj”. Pse?”, e pyeta unë. “Sepse nuk e doja këtë gjë për ata”, ishte përgjigja e tij. Se ai donte atë që donte dhe se nuk donte atë që nuk donte, ishte përgjigja që ai jepte gati për çdo pyetje që i bëja në lidhje me strukturën plotësisht të rëndomtë në të cilën ai e kishte kthyer jetën e tij pas gjithë atyre viteve të hershme nxitimi dhe planeve për ta ndërtuar atë. Kur më trokiti për herë të parë në derë për t’u prezantuar – vetëm pak ditë pasi ai dhe Merilini ishin shpërngulur në shtëpinë më të afërt me timen, rreth gjysme miljeje poshtë rrugës me zhavorr – e vendosi aty për aty se nuk donte të hante vetëm çdo natë dhe se unë duhej të haja darkë në shtëpinë e tyre me atë dhe të shoqen, të paktën një herë në javë. Nuk donte të më linte vetëm të dielave- s’e duronte dot mendimin që dikush të ishte aq i vetmuar sa ç’kishte qenë ai si fëmijë jetim, kur peshkonte në Naugatuk të dielave me ungjin e tij, një inspektor shteti për bulmetin- ndaj dhe ngulte këmbë që çdo të diel në mëngjes të bënim një shëtitje në pyll, ose, nëse bënte mot i keq, të luanim pingpong, megjithëse kjo lojë ishte një argëtim që s’më pëlqente hiç, por që ia bëja qejfin dhe luaja në vend që të bisedoja me të për shkrimin e librave. Më bënte pyetje vdekjeprurëse për shkrimin dhe nuk kënaqej derisa i përgjigjesha sipas ëndjes së tij. “Nga i merr idetë”, “Nga e di nëse një ide është e mirë apo e keqe?”, “Si e di kur duhet të përdorësh dialogun dhe kur të përdorësh rrëfimin e drejtë pa dialog?”, “Si e kupton mbarimin e një libri?”, “Si e zgjedh fjalinë e parë?”, “Si e zgjedh titullin? Si e zgjedh fjalinë e fundit?”, “Cili është libri yt më i mirë?”, “Cili është libri yt më i keq?”, “Të pëlqejnë personazhet e tu?”, “Ke vrarë ndonjë personazh?”, “Dëgjova një herë një shkrimtar në televizor, i cili thoshte se personazhet e marrin në dorë librin dhe e shkruajnë vetë. A është e vërtetë?” Ai kishte dashur të bëhej babai i një djali dhe një vajze, dhe vetëm pasi i kishte lindur vajza e katërt, Merilini e kishte kundërshtuar duke mos pranuar që të vazhdonte përpjekjet për të nxjerrë në dritë trashëgimtarin mashkull, që ai e kishte pasur në planet e tij qysh kur ishte dhjetë vjeç. Ishte një burrë i bëshëm, fytyrë gjerë dhe me flokë të ashpër, sytë i kishte të qartë, blu të akullt dhe të larmë, ndryshe nga sytë blu të akullt të Merilinit, që ishin të bukur, dhe sytë blu të akullt të katër vajzave të tij të këndshme, të cilat kishin studiuar të gjitha në Uellesli, ngaqë shoku i tij i ngushtë në forcat ajrore kishte një motër në Uellesli dhe kur Lerri e takoi, ajo shfaqi atë lloj finese dhe etiketë që ai donte ta shihte te një bijë e tija. Kur shkonin në restorant (gjë që bënim çdo dy të shtuna mbrëma- as për këtë nuk bënte lëshime), nuk kishte se si të mos bëhej zevzek me kamerierin. Përherë ankohej për bukën. S’ishte e freskët. S”ishte lloji që i pëlqente atij. Nuk ishte i mjaftueshëm për të tërë.
Një mbrëmje, pas darke, ai më erdhi papritur në shtëpi dhe më dha dy kotele ngjyrë portokalli, njëra qimeshkurtër dhe tjetra qimegjatë, pak më të mëdha se tetëjavëshe. Nuk kisha kërkuar dy kotele, dhe as ai s’më kishte vënë në dijeni më parë për dhuratën. Më tha se kishte qenë tek okulisti në mëngjes për një vizitë, ku kishte parë një lajmërim te tryeza e recepsionistes që thoshte se kishte dy mace për të falur. Po atë pasdite kishte shkuar te shtëpia e saj dhe kishte zgjedhur për mua dy macet më të bukura nga gjashtë që ishin. Sapo kishte parë njoftimin, mendja i kishte shkuar më së pari tek unë.
I uli dy kotelet përtokë.
-S’është kjo jeta që duhet të bësh, – tha ai.
-E cilit është?
-Epo, e imja, për shembull. Kam gjithçka që kam dëshiruar. Nuk kam për të të lënë më që të bësh jetën e një eremiti. Ti e çon aty ku s’mban më as dreqi. Është e tepërt, Nathan.
-Ashtu si ti.
-As që bëhet fjalë! Nuk jetoj unë në këtë farë feje. Dua vetëm të fus pak normalitet te ty. Kjo është një ekzistencë tepër e veçuar për një qenie njerëzore. Mbaj dy mace për shoqëri, të paktën. I kam të gjitha gjërat e tyre në makinë.
Doli prapë jashtë dhe, kur u kthye, zbrazi mbi dysheme dy qese të mëdha supermarketi me gjysmë duzine lodrash të vogla, që macet t’i hidhnin lart e poshtë, një duzinë kanoçesh me ushqim macesh, një qese të madhe me shtrojë për to dhe një kuti plastike për jashtëqitjen, dy pjata plastike për ushqimin dhe dy kupa plastike për ujë.
-Kaq të duhet, – tha ai. – Janë bukuria vetë. Shikoji. Do të të falin shumë kënaqësi.
Ishte tejet i prerë për gjithë këtë punë dhe nuk munda ta thosha asgjë, përveç:
-Je munduar shumë, Lerri.
-Si do t’ua vësh emrin?
-A dhe B.
-Jo. Duan emra. Ti tërë ditën me alfabetin rron. Qime-shkurtën mund ta quash Shkurtashe, ndërsa qimegjatën Gjatoshe.
-Kështu po bëj atëherë.
Në të vetmen marrëdhënie të fortë timen, kisha rënë në rolin që përcaktoi Lerri. Në të shumtën e rasteve i bindesha disiplinës së Lerrit, si kushdo tjetër në jetën e tij. Përfytyroj katër vajza dhe asnjëra prej tyre që të thoshte: “Po unë dua të shkoj në Barnard, parapëlqej të shkoj në Oberlin”. Edhe pse asnjëherë s’më kishte dhënë përshtypjen e një tirani të frikshëm prindëror kur isha me të dhe familjen e tij, sa e çuditshme ishte, mendoja, që me sa dija unë, asnjëra prej tyre nuk e kishte kundërshtuar kur i ati u kishte thënë që do të shkoni në Uellesli, dhe pikë. Por gatishmëria e tyre për të qenë të pavullnetshme si fëmijët e bindur të Lerrit, nuk ishte aq e habitshme për mua sat ë dëshmoja timen. Rruga e Lerrit drejt pushtetit, ishte të pasurit e pëlqimit të heshtur e të plotë nga njerëzit e dashur në jetën e tij- e imja ishte të mospasurit e askujt në jetën time.
Macet i solli një ditë të enjte. I mbajta deri të dielën. Gjatë asaj kohe gati s’punova fare me librin. Në vend të kësaj, e kaloja kohën duke u hedhur maceve lodrat e tyre ose duke i përkëdhelur, bashkë ose me radhë në prehrin tim, ose thjesht rrija ulur e i vështroja teksa hanin, luanin, lëpiheshin, ose flinin. Kutinë e jashtëqitjes e mbaja në një cep të kuzhinës, natën i fusja në dhomën e ndenjes dhe në fund mbyllja derën e dhomës së gjumit pas vetes. Kur zgjohesha në mëngjes, gjëja e parë që bëja ishte të nxitoja te dera për t’i parë. Ja tek ishin, ngjitur pas derës, në pritje që unë t’ua hapja.
*Fragment nga romani në shqip i Philip Roth, “Del hija”