Jorgo Bllaci: Më vjen turp të qaj i heshtur…!
Postmortum/ Poezia e frymëzuar nga Esenini, Pushkini apo Gëte që e shndërruan përkthyesin Jorgo Bllaci në një qelq të mbushur me ndjenja. Sjellim më poshtë në kujtim të poetit një pjesë nga krijimtaria e Bllacit, të përmbledhur në disa vëllime me poezi, ndër të cilat “Ligjërimet e pyllit” (1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Ndërsa janë emblematike shqipërimet nga Shevçenko, Pushkin, Esenin, Gëte etj., si dhe vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini” dhe “Ujërat pranverore” të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë
Dy hapa larg
Dy hapa larg e vite për t’arritur
Atje ku bujarisht fal jetën djell i ndritur
Atje ku po na qajnë për së gjalli
Dy hapa larg, dy hapa larg metanë
Pas mureve të lagësht e të errët,
po na vajton liria, që prej saj na ndanë
sepse më fort e deshëm nga të tjerët!
Dëshirë
Më vjen turp të qaj i heshtur,
si një shelg përbri moçalit!
Dua të gjëmoj pareshtur
Porsi lisi majë malit.
Rreth kurorës, shpesëria
Le të mos me cicërojnë
Që prej zgavrave të mia
shkabat të të vigjëlojnë.
Degët e fuqishme dua
të më tunden nëpër ere
Papushuar përmbi mua
borë e virgjër le të bjerë.
Sipër akujve të ftohtë
do të ngjitem der te retë
S’do më vijë keq në ndodhte
të zhuritem nga rrufetë!
Se n’u dashtë të zhuritëm
do zhuritem majë malit
Po s’do qaj e s’do nemitëm
i përulur, bri moçalit.
Të varri i tim vëllai
E di që më ke pritur, vëlla
E mbase dhe ke thënë me vete:
“Po ky njeri pse s’bëhet i gjallë? Ç’ka,
që thuajse në jetë,
nuk vjen këtu, së paku, për t’u çmallur?
***
S’i mbaj mëri për vitet e rinisë,
Që një nga një po m’ikin pa gëzim
As jetës plot andrralla, as dashurisë,
Që u tall ashtu siç desh me fatin tim.
Askend nuk e kujtoj për keq në botë, –
Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka
Mjafton një fjalë e çiltër, fjalë e ngrohtë,
Që të më bësh prapë mik e prapë vëlla.
1967
***
Sa pisk e kam, sa dhembje ndiej, sa dua
Të më përpijë brenda dheu i zi!
Oh, zgjate dorën sonte edhe mbi mua,
Të ngrohtën dorë, o mëma Shqipëri!
Jam i sëmurë, buza po më dridhet,
Këtu në gjoks diçka më shpon, si gjemb,
Një lëmsh, nj’i fortë xhung në fyt më mblidhet,
S’marr frymë dot, çdo pjes në trup më dhemb.
Një çast më merr në gjirin tënd të shenjtë
Të mbështes kryet e të qaj, të qaj,
Ashtu siç mund të qajnë, o mëmë e shtrenjtë,
Veç foshnjat dhe fajtorët e pafaj!
1964
***
Ti këdo mbi dhe do ta çuditje,
Mike moj, që s`vure mend një herë
Kur më sheh me vajza në shëtitje,
Pse sërishmi bëhesh pikë e vrerë?
Foshnjë ishe, foshnjë, mike mbete,
Ndonëse për dikë tani je grua
Ç`dreqin ke, ç`tu shkrep pas kaqë vjetësh,
Qe xheloze behesh prap per mua ?
Unë kurrë ty s`ta kam rrëfyer
Brengën, që në shpirt mezi përmbaj
Dashuria, dashuri e fyer,
Gur më bën e nuk më lë të qaj
Ja kështu, moj mike, qenka jeta
Ndodh që nganjëherë, për çudi,
Lodhet prej mësimeve të veta
Edhe bëhet foshnjë porsi ti.
Ne s`e qeshim tekanjozen jetë,
Po kur ne gabojmë, ajo harron
Ndonse marrëzira bën dhe vetë,
Rëndë ne na tall e na ndëshkon.
Mike, që më bërë të trishtuar
Të të qesh, as që më shkon ndërmend
Eshtë i gjerë shpirti i përvëluar
Ka një vend dhe për gabimin tënd!
***
Ne fshehtazi shkëmbejmë shpesh vështrime
Po sot një hon i thellë po na ndan;
Në fund të tij, si foshnjëzë jetime
Me dhembje dashuria jonë qan
Pa ditur se përse, pa lot, pa fjalë
Pa puthje, në u ndame nëpër terr
Pasionet u ronitën me ngadalë
Dhe humbën në një mjegull plot mister
Dhe sot, që me pendim, me mall a vojtje
Të shkuarën sikush në shpirt përmban
Ne heshtim kryeulur e me drojtje
Si vjollca, anës honit që na ndan
1961
***
Brengën e madhe mbyta në një gotë;
Si qenkam dehur sonte s’e kuptoj!
Për gjërat më të bukura në botë
Sa më pëlqen të rri e t’ëndërroj
Sa më pëlqen gazmor t’i bie lirës
Po ku të lë mendimi të dëfresh?
Demon, demon i madh i hapësirës
Akoma ti kërkon të më gënjesh?
Ti po ma nxin me brenga djalërinë
Ti po m’i shqyen brinjët, po më ç’mend,-
Ose më kthe sërishmi qetësinë
Ose më sill këtu tërbimin tënd!
Se do t’i qepem qiellit kësaj nate
Për flokësh ta kap hënën e më të
Të sillem hapësirës së pamatë
E të mos zbres mbi tokë kurrë më!
1957
Plaku i urës
Qëmoti, thonë, te një urë e gurtë
Tre vetë deshën t’iknin nga kjo botë
Por ua kuptoka mendjen një i urtë:
“Ç’e keqe ju ka gjetur?” – vjen u thotë
Ia kthen m’i riu: “Miken që më deshi,
Një tjetri sot ia shpien me dasmorë…”
“Ja ti shpëtove, – foli plaku e qeshi, –
por kur të marrë vesh ajo e gjorë
Ç’ia gjeti mikun, pika mund t’i bjerë
Nuk t’ardhka pakëz keq?” Ky mbeti shtangur
Dhe në mendime ra një copëz herë,
Pastaj u ngrit e shkoi nga kish ardhur
I vjen të dytit radha: “Mos më pyet!
Lirinë humba e kot që rroj në botë!” –
Rënkon së thelli, ky pa ngritur kryet.
“Po nuk ke humbur jetën! – plaku i thotë –
Dhe kur ke jetën, ke një lumë gjaku,
Paguaje me çmim të tij lirinë!”
U bind dhe ky nga fjalët që tha plaku
La urën pas e humbi në luginë
I treti fillikat mbi urë mbeti
Nga pamja e vrarë, dukej më i mjeri
“Po ty, – i flet i urti, – ç’hall të gjeti?”
Ai mezi përgjigjet: “Humba nderin…”
Dhe seç kërkon të shtojë nëpër dhëmbë
Po nuk e lënë drithmat edhe lotët
Ahere plaku merr një gur të rëndë
Ia var në qafë e “Mos e zgjat!” – i thotë
“Mos është i ftohtë uji…” – mërmëriti
tek dridhej tjetri, por nga buza shkau!
Dhe s’tha njeri për të: “I ndrittë shpirti!”
As lumi që e mori nuk e qau
1989
Natës
Kushtuar P.J.
Kaq e shtrenjtë kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shembëllim!
Ah, moj Neta, sytë e tu të bukur
Çmendurisht i deshte miku im!
Nëse këtë çast i ngrysur me ta
Duke të vështruar ty kështu
Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta
Më kujtuan mikun sytë e tu
Sa dëshirë do të kisha sonte
T’ju vështroja bashkë që të dy:
Vetëm ta dëgjojë të këndonte
Vargjet që me zjarr t’i thuri ty!
Ndoshta sot, që vite pas la jeta,
Miku prap në shpirt të mban diku…
Ish e bukur dhembja e tij, moj Neta,
Aq sa ç’jane edhe dy sytë e tu.