Joshka Fisher: Shansi i fundit i Europës
Shumë ngjarje po ndodhin në Europë aktualisht, por ai që ishte një projekt i paqes së përhershme po e humbet fuqinë çdo ditë e më tepër. Ish-zv.kancelari gjerman Joshka Fisher bën parashikimin e tij për Bashkimin Europian
Shumica e historisë së Europës është shënjuar nga konflikti. Historiani amerikan Robert Kagan shkroi në vitin 2003 se “amerikanët janë nga Marsi dhe europianët nga Afërdita”; por Europa ka qenë prej shekujsh shtëpi e perëndisë romake të luftës, jo e perëndeshës së dashurisë.
Afërdia gjeti strehim në Europë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur shumë institucione të qeverisjes globale u shfaqen, përfshirë Kombet e Bashkuara, Bankën Botërore dhe sistemin financiar Bretton Ëoods. Gjatë Luftës së Ftohtë, vendet europiane humbën të gjitha sovranitetin e tyre ndaj dy superfuqive të reja globale, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.
Kontrolli i ndarë i dy superfuqive me kalimin e kohës u dobësua dhe sistemi i vjetër shtetëror europian u zëvendësua nga Bashkimi Europian, me premtimin e paqes së përhershme mes shteteve të BE-së dhe Europës e pjesës tjetër të botës. Rënia e komunizmit në Europë, pasuar nga ajo e Bashkimit Sovjetik në 1991, u përshkrua triumfalisht në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara si “fundi i historisë” – triumfi global i demokracisë liberale dhe kapitalizmit të tregut të lirë.
Disa dekada më pas, vitin e tmerrshëm 2016, e gjitha kjo tingëllon shumë naive. Në vend të ruajtjes së paqes dhe “bashkimit edhe më të ngushtë”, europianët po përjetojnë episode të mungesës së rendit dhe dhunës pothuajse çdo ditë. Këto përfshijnë vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga Be-ja; një rritje të sulmeve terroriste në Paris, Nisë, Normandi dhe gjetkë; agresion të ri të Rusisë; dhe një grusht shteti të dështuar në Turqi, pasuar nga kundërsulmi i presidentit turk Erdogan mbi shoqërinë civile turke, që ka rritur tensionet për idenë e Turqisë si partnere e Perëndimit.
Për më tepër, kriza e refugjatëve në Europë, me azilkërkuesit që po vërshojnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, mbetet ende për t’u zgjidhur. Efektet e luftërave civile dhe diktaturave ushtarake te fqinjët e Europës vazhdojnë të kërcënojnë kontinentin dhe SHBA duket se po lodhet nga roli i saj si garantuesi universal i sigurisë dhe rendit global. Këto dhe faktorë të tjerë kanë çuar që shumë europianë të besojnë se vitet e paqes kanë marrë fund.
Dikush mund të mendojë se ky grup problemesh do të çonte në forcimin e BE-së nga europianët, në mënyrë që të kontrollonin situatën dhe të përballeshin me rreziqet në rritje. Por në vend të kësaj, shumë europianë po ndjekin thirrjet populiste drejt nacionalizmit dhe izolimit ashtu si në shekujt 19 dhe 20.
Kjo nuk është shenjë e mirë për europën. Në shekullin 21, t’i kthesh krahët bashkëpunimit dhe integrimit është njëlloj sikur të zhysësh kokën në rërë dhe të shpresosh se rreziqet do të kalojnë. Dhe, ndërkohë rritja e ksenofobisë dhe racizmi po prish përmbajtjen sociale për të cilën Europa ka nevojë në mënyrë që të parandalojë kërcënimet ndaj paqes dhe rendit.
Si arritëm deri këtu? Duke kthyer shikimin 26 vite pas, ne duhet të pranojmë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik – dhe me të fundi i Luftës së Ftohtë – nuk ishte fundi i historisë, por fillimi i fundit të rendit liberal perëndimor. Në humbjen e armikut ekzistencial, perëndimi humbi subjektin e superioritetit të vet moral.
Vitet 1989-1991 ishin fillimi i një tranzicion historik nga bota e globalizuar dhe bipolare e periudhës post luftës së dytë botërore, një vend familjar, por që ne ende nuk e kuptojmë plotësisht.
Një gjë është e qartë: fuqia politike dhe ekonomike po ndryshon nga Atlantiku në Paqësor dhe larg nga Europa. Kjo na çon në shumë pyetje të hapura: “Cili pushtet (pushtete) do të formësojnë rendin e botës në të ardhmen? A do të jetë tranzicioni paqësor dhe do të mbijetojë perëndimi i bashkuar? Çfarë lloj institucionesh të qeverisjes globale do të shfaqen? Dhe çfarë do të ndodhë me Europën e vjetër – dhe transatlantizmin – në një “periudhë Paqësori”?
Ky mund të jetë shansi i fundit për Europën që të përfundojë projektin e unifikimit. Dritarja historike e mundësisë që u hap gjatë periudhës së internacionalizmit liberal të perëndimit po mbyllet shpejt. Nëse Europa e humbet shansin e saj, nuk e ekzagjerojmë po të themi se e pret katastrofa.
Politikanët europianë sot i ofrojnë votuesve një mundësi mes pragmatizmit modest dhe nacionalizmit të vrullshëm. Por ajo që Europa ka nevojë tani është një mënyrë e tretë: lidership politik që mund të mendojë në mënyrë kreative dhe të veprojë guximshëm për një kohë afatgjatë. Ndryshe, Europa ndodhet përballë një zgjimi të ashpër.