KUJTOJMË VIZITËN E NËNËS TEREZË NË ARIZONË
Nga Hajro Hajra/Arizonë/
Në prag të shenjtërimit të Nënës Terezë, një prej personaliteteve më të mëdha shqiptare, le të jetë ky shkrim një ndihmesë e vockël për ta ndriçuar jetën e veprën e Nënës sonë të Madhe, të krenarisë së kombit tonë, figura e së cilës, me kalimin e kohës vjen e bëhet edhe më madhështore. Jemi komb me fat që kemi një ikonë si Nëna Terezë dhe është turp, është pafytyrësi të hidhet baltë mbi figurën e saj, siç po bëjnë disa trutharë shqiptarë, paçka se balta me të cilën këto pjella djalli po përpiqen të njollosin atë, por edhe figura të tjera të kombit, po bie e do të bjerë në surratet e tyre…
Pa u mbushur dy vjet nga dita kur Gonxhe Bojaxhiu kishte kaluar në amshim, fati na kishte degdisur këtu, në Amerikë, në vendin më të fuqishëm të botës, në shtetin që bashkë me aleatët e kishte shpëtuar Kosovën nga kthetrat e kuçedrës Serbi.
Që në takimet e para me mikpritësit amerikanë, të cilët bënin çmos që ta ndienim veten sa më mirë, ne bënim përpjekje që t’u tregonim atyre se kush ishim dhe, në raste të tilla, pashmangshëm ua zinim ngoje me krenari kryeheroin e shqiptarëve e të Europës, Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë, Kadarenë e Madh dhe figura të tjera të shquara shqiptare.
Falë këtyre bisedave, falë faktit se shumë herë e kishim zënë ngoje emrin e Nënës Terezë, në maj të vitit 2000 zonja Bonnie Cottrell, mësuesja jonë e anglishtes që nga ditët e para pas mbërritjes sonë në Amerikë, na solli një dhuratë shumë të çmueshme, një videoxhirim të vizitës së Nënës Terezë në Feniks (Phoenix) të Arizonës, që miqtë e saj e kishin siguruar për ne nga arkivi i Televizionit të Pavarur të Feniksit Channel 3, i njohur si KTVK.
Në bazë të këtij dokumentari, ne arritëm ta “rikonstruktonim” këtë vizitë të Nënës Terezë, një nga vizitat e shumta që nobelistja shqiptare bënte nëpër botë në kuadër të misionit të saj të bamirësisë, të dashurisë ndërmjet njerëzve e të paqes.
Njëzet e shtatë vjet më parë, më 2 shkurt 1989, e ftuar nga ish-guvernatorja e Arizonës, zonja Rose Mofford dhe nga Dioqeza Katolike e kryeqytetit të Arizonës, Nëna Terezë kishte vizituar kryeqytetin e Arizonës, Feniksin.
Arizona Veterans Memorial Coliseum që nxë afro 20 mijë vizitorë atë ditë kishte qenë mbushur përplot njerëz, të cilët kishin shkuar për ta parë atë grua trupvogël e zemërvigane. Hyrja e saj në koloseum kishte ngritur më këmbë atë masë të madhe njerëzish, të cilët me duartrokitje të zjarrta po i uronin mirëseardhje dhe po i shprehnin dashurinë simbolit të paqes e të dashurisë. Ajo ditë shkurti e vitit 1989 kishte qenë më shumë se një festë për adhuruesit e gruas më të njohur e më të dashur të botës. Ishte si një ditë e shenjtë ajo ditë kur në mesin e atyre njerëzve kishte ardhur gruaja që, siç thotë poeti Visar Zhiti, profesion kishte dashurinë, industrialistja e mirësisë, që të vetmen pasuri kishte plagët e botës.
Përfaqësues të Dioqezës Katolike të Feniksit, duke falënderuar Nënën Terezë që kishte gjetur kohë dhe gjendej në mesin e tyre, në qytetin e tyre, e duke e cilësuar praninë e saj aty si një dhuratë Perëndie, kishin falënderuar ata mijëra njerëz, të cilët kishin ardhur për ta nderuar mysafiren e rrallë, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë për të dhe duke respektuar sakrificën e saj për të varfrit. Një falënderim i veçantë ishte për Guvernatoren e Arizonës, zonjën Rose Mofford, e cila kishte bërë shumë që të realizohej ajo vizitë.
– “Falënderoj Zotin për këtë dashuri madhështore që na ka bashkuar!” – ishin fjalët me të cilat i ishte drejtuar masës së popullit Nëna e Sakrificës.
Me një anglishte të rrjedhshme e të këndshme, karakteristike për të folmen e Nënës Terezë, ajo kishte vazhduar:
– “Është shumë me rëndësi që njerëzit të kenë dashuri, të kenë paqe. Dashuria fillon në shtëpi. Fëmijët janë të lindur të bëjnë gjëra madhështore, të lindin në dashuri dhe të rriten në dashuri. Dashuria është faktori kryesor që e mban familjen të bashkuar… Një gotë ujë po t’ia jepni dikujt me dashuri, do t’ia bëni jetën më të lehtë… S’është e thënë të bëni gjëra të mëdha. Secili le të bëjë të mira të vogla, por me dashuri. Njerëzit nuk vdesin vetëm për shkak se u mungon buka (pikërisht se u mungon buka, “bread”, kishte thënë Nëna Terezë, siç themi ne shqiptarët dhe jo u mungon ushqimi, siç thonë amerikanët), ata vdesin më shumë nga mungesa e dashurisë… Kur ndryhet dashuria, ndryhet paqja…”, janë vetëm disa nga thëniet margaritarë shkëputur nga fjalimi gjysmorësh i Nënës Terezë, kohë gjatë së cilës ajo kishte rrëfyer mjaft episode e përjetime të jetës së saj në shërbim të të varfërve, të të uriturve, të të sëmurëve, kur një fjalë e saj e vetme kishte ringjallur shumë njerëz me shpresa të thyera, shumë njerëz që ishin gjendur në cepin e vdekjes.
Duke folur për abortin, ndërkaq, ajo u ishte drejtuar nënave me fjalët: – “Jo abort! Lindni fëmijë e m’i jepni mua!…”
Fjalët e saj, të përshkuara herë pas here me një dozë të lehtë humori, e kishin bërë masën të shpërthente në gaz e të duartrokiste, si në rastin kur Nëna Terezë, teksa kishte folur për të varfrit (edhe për të varfrit e Feniksit), të cilët përpos që kishin nevojë për bukë, kishin nevojë edhe për strehë, i ishte drejtuar guvernatores Mofford, së cilës i kishte kërkuar shtëpi për të varfrit (shtëpi të cilën guvernatorja ia kishte premtuar Nënës Terezë gjatë takimit në mjediset e dioqezës) dhe këtë e kishte ndërlidhur me kërkesën që i kishte bërë shumë vjet më përpara Guvernatorit të Kalkutës, të cilit po ashtu i kishte kërkuar një shtëpi për të varfrit dhe me atë rast i kishte thënë: “Nëse nuk ma jep një shtëpi, do t’i sjell të gjithë të varfrit e mi në shtëpinë tënde…”
Pasi Nëna Terezë kishte përfunduar fjalën e saj me urimin: “Zoti ju bekoftë!” – të gjithë të pranishmit ishin ngritur më këmbë dhe me duartrokitje të gjata e me ovacione kishin shprehur dashurinë për gjiganden e kohës sonë, siç e ka cilësuar Nënën Terezë ish-kryetari Bill Klinton.
Teksa po e linte koloseumin përplot njerëz, Nëna Terezë po merrte me vete dashurinë dhe premtimin e heshtur të asaj mase njerëzish, se secili do të hidhte së paku një gur në kështjellën e dashurisë e të paqes njerëzore.
* * *
Premtimin që ia kishte dhënë Nënës Terezë Guvernatorja Mofford, e kishte mbajtur. Pak kohë pas vizitës së Nënës Terezë, në Feniks është ngritur Shtëpia e Bamirësisë dhe ajo edhe sot u ofron strehë e bukë të varfërve.
Vizita e Nënës Terezë është përjetësuar disa vjet më vonë me ngritjen e një shtatoreje në hapësirën e gjelbëruar ndërmjet Bazilikës së Shën Mërisë dhe ndërtesës së Dioqezës Katolike të Feniksit, fare pranë shtatores së Papa Gjon Palit II. Bazilika dhe ndërtesa e Dioqezës gjenden mu në zemër të kryeqytetit të Arizonës. Shtatorja e Nënës Terezë, me përmasa natyrore, është vepër e skulptorit amerikan Michael Myers nga qyteti Prescott i Arizonës. Është ngritur në vitin 2003 dhe, për habinë tonë, ndonëse ka 13 vjet që qëndron plot madhështi në qendër të Feniksit, nuk zihet ngoje kur flitet e shkruhet për shtatoret a bustet e Nënës Terezë ngritur në shumë shtete të botës.
Që nga viti 2004, në çdo 19 tetor, në përvjetorin e lumturimit të Nënës Tereze, shqiptarë të Feniksit takohen te shtatorja e saj, vendosin aty lule të freskëta e flamuj të vegjël shqiptarë e amerikanë dhe, me fjalë rasti, kujtojnë jetën e veprën e saj të madhe në shërbim të njeriut.