Albspirit

Media/News/Publishing

Lame befasohet nga Katedralja e Prishtinës: E Tiranës një shëmtirë

katedrale prishtine

M’u kujtuan ato dritare gjatoke tek shihja dritaret e mëdha të katedrales katolike të Prishtinës që, edhe këto, panelet rreth e rreth i kanë me të tilla fletëza delikate prej alabastre

Artan Lame*

Dritaret e ngushta të kishëzës mbretërore (a më mirë, kapelës mbretërore) së Pallatit të Brigadave, nuk kanë as xhama e as vetrata të ngjyrosura, por veç fletë të holla alabastre italiane që, gjysmë të tejdukshme siç janë, mjaftojnë për të tejçuar dritë të ngrohtë së jashtmi brenda.

M’u kujtuan ato dritare gjatoke tek shihja dritaret e mëdha të katedrales katolike të Prishtinës që, edhe këto, panelet rreth e rreth i kanë me të tilla fletëza delikate prej alabastre.

Për mua Katerdralja e Prishtinës ishte një surprizë. E madhe, e madhe, bajagi e madhe (edhe surpriza edhe katerdralja) më bënë të mendoj e të pyes veten:

Po pse Katedralja Katolike që bëmë në Tiranë, është kaq e shëmtuar? Dhe e vockël. E që ngjan më shumë me ato kishat dështuara bruteske të periferive italiane të viteve ’70.
Po pse Katedralja Ortodokse që bëmë në Tiranë, nuk ngjan me asgjë shqiptare? Mund të zgjidhnin o ta bënin moderne të paatdhe, ose klasike sipas shumë kishave ortodokse shqiptare. S’kanë bërë asnjërën, por një mish mash stilesh.

Po pse xhamia e madhe e Tiranës që po bëhet ende, ka të njëjtin problem (veç problemit që na fshiu nga qyteti një park të gjelbëruar)? Pra nuk është as moderne mbinacionale e nuk është as tradicionale shqiptare. Eshtë thjesht një mastaba kopje betonarmeje e xhamive stambollie.

Po pse Odeoni i bektashinjve mbi kodrat e Tiranës, në çdo gur, mermer e xham, imiton pa kuptim faltoret e Indisë, e asgjë të shpirtit të bektashizmës shqiptare?

Në të gjitha rastet kemi dështuar veç se na ka zënë tash një çerek shekulli sëmundja e të bërit të gjërave “që nuk i ka parë bota” e që pastaj rrijnë siç i rri shala gomarit. Kemi humbur aftësinë të bëjmë gjëra normale.

Ajo, Katedralja e Prishtinës, ishte një gjë sa romane aq edhe shqiptare, sa katolike aq edhe patriote, sa e madhe aq edhe intime, sa klasike aq edhe moderne, sa dinosauriane aq edhe në shkallë njërëzore, sa kanonike aq edhe divulgative. Asnjë prej katër tempujve të Tiranës, nuk i afrohet as tek këmba, e Zoti më ndjeftë për ç’po shkruaj.

Më lini t’u përshkruaj veç një prej vetratave të saj. Në të shihet Skënderbeu me Papën Piu II. Piktori është kujdesur të mos tregojë atë, Skënderbeun standart tonin, e për këtë ja ka hequr përkrenaren nga koka (që meqë ra llafi, s’e ka mbajtur kurrë). E bën këtë edhe që heroi ynë t’i tregojë rrespekt Papës, por edhe që të duket më shumë si burrë shteti sesa si luftëtar. Po pse nuk e ka bërë pa përkrenare fare? Sepse përkrenarja i duhet piktorit si shenjë dalluese për të treguar që ai është Skënderbeu. E për ta shpëtuar përfundimisht heroin nga folklorizmat tona me tirqe, jelekë e qeleshe, përkundër, e ka veshur si një zotni bujar evropian të kohës së vet, me një xhybe të madhe të kuqe e me hermelin të bardhë anëve.

E më tej mbi Skënderbeun shfaqet kështjella e Krujës, e mbi kokën e Papës shfaqet Vatikani.

Në krah të Papës janë pikturuar 5 stema papnore, për të kujtuar 5 papët me të cilët pati të bëjë në të gjallë të vet Kastrioti. E ndërsa Gjergji mban ndër duar përkrenaren, Papa mban një kartë ku shkruhet titulli që ju njoh prej tij heroit: “Atleta Christi”.

Përpara tyre, pak më poshtë, qëndron peshkopi Pal Engjëlli, që shpalos një tjetër kartë ku shkruhet e famshmja formulë e pagëzimit “Unte paghesont …”.

Të gjitha këto, përfshihen në atë kornizën me panele alabastre ngjyrë mjalti me damarë të kafenjtë, që ndihmon t’i japë dritë të butë ambientit. Të tilla janë të gjitha vetratat e Katedrales, e jo veç ato, por gjithshka e saj. E menduar, e kuruar, e qytetëruar, katolike-evropiane, por po aq edhe nacionaliste-shqiptare.

E tash t’u them një ndër arsyet që besoj t’a ketë bërë të tillë atë faltore. Them të jetë pikërisht tek ajo që lidh edhe panelet prej alabastre të Kapelës mbretërore të Tiranës, me panelet e njëjta të Prishtinës. Të dyja janë bërë në troje shqiptare, janë bërë plot shqiptarizmë, por jo nga shqiptarë, por të huaj. Ne nuk e kemi atë qytetëri që duhet për të bërë punëra të tilla.

Të mos nxehemi e thërresim kot mal më mal nga inati, por veç ta pranojmë këtë qytetëri zbutëse të Evropës, e të shpresojmë që një ditë të mbijnë edhe në këtë tokë të tillë filiza.

1000200030004000500060007000

*Kryetar i ALUIZNI-t

Please follow and like us: