Në Vlorë shëtitorja më e trishtuar që kam parë!
Nga Alba Maltezi
Rruga drejt jugut të Shqipërisë nuk është aq e lehtë. Ndërtimet dhe shtrimet e akseve që lidhin qytetet me njëri-tjetrin nuk kanë një logjikë; janë një skizofreni projektimesh, tenderimesh që pasqyrohet fare mirë në realizimet në terren: makina kalon nga asfalti në zhavorr, e më pas në tokë të zhveshur, ashtu siç ndodhte shumë vite më parë.
Rrugët hapen një herë nga një krah e një herë në krahun tjetër, por kurrë me potencialin total. Ekspertët, edhe ata si çdo qytetar, u bie të shkojnë për pushime në plazhet e jugut e të prekin realisht defektet që kolegët e tyre kanë realizuar në letër: pjerrtësia e gabuar e rrugës, batistradat jo sipas standarteve etj…
Shoferët me përvojë dinë ta bëjnë me sy mbyllur ndryshimin e madh që ka rruga në aksin Elbasan – Qafë Thanë, me copëzat e rrugës që kalojnë nga Rrogozhina, Lushnja, Fieri…
Por në këtë Periferi nuk dua të ndalem tamam te ky problem. Në kthimin nga Gjiri i mrekullueshëm i Drimadhes, ku natyra ka bërë shumë, por dhe njerëzit po përpiqen ta respektojnë e vlerësojnë, pashë një pamje vërtetë të trishtuar: Shëtitorja buzë detit në mbrëmjë në Vlorë. Nuk bëja dot një foto me celularin tim, aq errësirë ishte në bulevardin që duhet të shkëlqente në këtë sezon turistik nga ngjyrat, lodrat, bankarelat. Shumica e ndriçuesve të vjetër, të shtrembër e të mirëmbajtur keq, ishin o të thyer, o të djegur.
Shëtitorja, që përfaqësohej nga një trotuar i ngushtë e plot pluhur, nuk kishte as pllaka, e mbuluar vetëm me beton. Lart ngriheshin në mënyrë të përsëritur disa skelete billbordesh bosh. Trafiku i rënduar i pushuesve, që me makina kalonin nga plazhet e Dhërmiut për të arritur shpejt Tiranën, e bënte atmosferën akoma më të ndotur dhe dëshpëruese. Kryebashkiaku Shpëtim Gjika është në mandatin e tij të tretë në këtë qytet të bukur, por të keqtrajtuar. Shëtitorja e trishtë ishte plot e përplot me pushues apo qytetarë që bënin shëtitjen e mbrëmjes. Por ka diçka që nuk shkon? Kaq pak pretendojnë vlonjatët për qytetin e tyre të bukur?