Një muze për të fshehtat e SHISH para viteve 90-të
“Shtëpia e gjetheve” drejt muzealizimit
Ministria e Kulturës bën dëgjesë publike me ish të përndjekur e të burgosur politikë
Pas përfundimit të fazës së parë dhe të dytë të rehabilitimit të ndërtesës, Muzeu “Gjethi” – një projekt për t’u përballur me hijet e së shkuarës të terrorit komunist ka kaluar në fazën e tretë të muzealizimit . Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me një grup ekspertësh ka qenë në bashkëpunim me ekspertë të SHISH dhe të Ministrisë së Brendshme, për të mbledhur dokumentacion dhe objekte, për të përgatitur konceptin, përmbajtjen dhe projektin e muzealizimit. Nesër më 30 gusht do të organizohet dëgjesa e parë publike për të treguar se e keqja nuk duhet fshehur, për të mos mbajtur as ngrehina dhe as dosje të mbyllura. Pjesëmarrës në dëgjesën publike do të jetë grupi i punës : Bashkim Shehu, Gëzim Qendro, Artan Puto, Fabian Kati dhe Eldon Gjika, ndërsa janë ftuar përfaqësues të shoqatës të përndjekurve politikë, ish-të burgosur politik, të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, shoqata e të drejtave të njeriut, historianë, opinionistë, etj. Ministria e Kulturës shprehet se do të japë kontributin e saj në ngritjen e institucioneve të kujtesës që eksplorojnë historinë e komunizmit shqiptar nga viti 1945 deri në vitin 1989, me synim ngritjen e vetëdijes publike përmes materialeve të dokumentuara dhe ekspozitave të ndryshme. Këto institucione do të jenë pjesë e promovimit të debatit dhe shkëmbime idesh mbi format e shtypjes në diktaturë, si dhe pasojat që vijnë nga persekutimi politik , me qëllim informimin e brezave të rinj me të kaluarën e vendit, por edhe ballafaqimin e atyre brezave që arritën ta përjetonin diktaturën komuniste me këtë të kaluar të vështirë.
E ndërtuar në vitin 1931, godina, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë luftës së dytë botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të Sigurimit. Shtëpia gjendet në qendër të qytetit, në anën e kundërt të Katedrales Orthodokse, pranë Sheshit Skënderbej dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë.
Ideja është transformimi i kësaj shtëpie, tashmë të identifikuar nga publiku si pjesë e Sigurimit, në një muze. Në qendër të kësaj ideje të muzeut është shfaqja në formën pars pro toto të kontrollit totalitar dhe kudondodhjes së tij në një formë origjinale, nëpërmjet përgjimeve dhe spiunimeve elektronike nga vendi ku ato kryheshin.
Sipas modelit të këtij Seksioni, koncepti i përgjithshëm i muzeut mund të përfaqësohet nëpërmjet tre rrathëve koncentrik. Rrethi i parë përmban aktivitetet e zhvilluara në këtë Shtëpi: përgjimi kabllor dhe kontrolli mbi korrespondencën. Arsyeja e vendosjes së seksionit teknik dhe shkencor në këtë Shtëpi qëndron në afërsinë që ajo ka me zyrat e postës qendrore dhe telefonisë. Rrethi i dytë konsiston në aspektin qëndror që ky seksion ka pasur në mbledhjen e të dhënave të përgjimit nga të gjitha seksionet e tjera të Sigurimit. Rrethi i tretë konsiston në përgjimin në përgjithësi, si pjesë e aktiviteteve të përmendura në rrathët e mëparshëm. Ky i fundit përfshin mbi të gjitha përgjimin nëpërmjet një rrjeti të gjerë informatorësh.
Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të Seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu do të përshkruajë fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut do t’i dedikohet edhe përgjuesve – mikrofonave të fshehur. Një hapësirë e dytë do t’i dedikohet “Mikrofonave të gjallë”, informatorëve. Një hapësirë e tretë do t’i dedikohet paradigmës së “Armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranoiak, si dhe gjithpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithpërfshirjen e përgjimit. Një hapësirë e katërt do t’i dedikohet edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj, dhe do të përshkruajë përgjimin kundrejt të huajve. Një tjetër hapësirë do të tregojë ambientet e një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve 70’ me dekorime që do shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit. Dhe një hapësirë tjetër do t’i dedikohet laboratorit teknik dhe shkencor të Seksionit që merrej së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete duke u ndëthurur kështu vizualja (pamorja) me dëgjimoren. Kjo hapësirë do të quhet “Panopticon dhe Panacusticon”. Kjo do të jetë kurora filozofike e idesë qëndrore të muzeut, asaj të kontrollit total. Përveç shfaqjes së objekteve autentike të Shtëpisë, do të përmbajë referenca vizive (pamore) dhe tekstuale të burgut ideal, Panopticon-it, dhe nga këtu tek utopia e botës perfekte, e supozuar si shoqëria socialiste, edhe pse mori formën e një burgu në të gjithë vendin. Do të ketë edhe hapësira të tjera që do t’i shtohen kësaj me qëllim dhënien e idesë qëndrore dhe të gjitha hapësirat do të drejtojnë në drejtim të kësaj ideje qëndrore duke i lidhur ato me imazhe dhe fjalë.
Gjuha e muzeut do të jetë multimediale me një theks të fortë tek autentikja: do të konsistojë në objekte origjinale të përdorura në Shtëpi, në video, në dokumente arkivorë, në grafikë të dhënash, në tekste shpjeguese dhe sintetike, etj.