Albspirit

Media/News/Publishing

PD, 28 amendamente për vetting-un. Ambasadori Lu viziton selinë blu

PD, 28 amendamente për vetting-un. Ambasadori Lu viziton selinë blu

Pak ditë pasi nuk pranuan asnjë prej 47 amendamenteve të opozitës dhe drafti i vetting-ut në komisionin e reformës u votua vetëm nga mazhoranca, PD depoziton një tjetër paketë, këtë herë me 7 çështjet më të rëndësishme të përkthyera në 28 amendamente.

Në draftin e dorëzuar në Kuvend nga deputeti Arben Ristani, vetëm pak orë përpara seancës së jashtëzakonshme parlamentare, saktësohen ligjet më të rëndësishme të cilat sipas demokratëve janë antikushtetuese e që janë diskutuar pa praninë e opozitës në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi.

Sipas argumentimit të opozitës, këto i hapin rrugë kontrollit të qeverisë mbi organet e reja të drejtësisë, siç janë ILDKPKI apo DSIK, organet e reja të vetting-ut, si komisionerët publikë apo kolegji i apelimit.

Teksti i projektligjit nuk detajon, sipas PD, procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të vetting-ut si dhe procesin e vlerësimit të kandidatëve.

Për opozitën, projektligji aktual për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka probleme të mëdha dhe shkel hapur Kushtetutën. Për PD, ligji u vetting-ut në formën aktuale dhe pa vërejtjet e opozitës shkel të paktën 7 parime të Kushtetutës dhe amendamentet e saj synojnë ta vendosin procesin në “shinat kushtetuese”.

PD mund ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, nësë ai miratohet në mënyrë të njëanshme, por paralelisht për këto amendime opozita mund të kërkojë një opinion edhe nga Komisioni i Venecias.

Ndërkohë, një ditë para seancës, ambasadori amerikan Donald Lu është vënë sërish në lëvizje. Mesditën e së hënës ai vizitoi selinë e PD, ku zhvilloi për rreth 60 minuta një takim me kryetarin Basha.

Please follow and like us: