Penetrimi i internetit, Shqipëria e 73 në botë, nën mesataren e Europës
Aksesi ndaj internetit, ndryshon nga vendi në vend e nga kontinenti në kontinent. Të dhënat e ITU-së, agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit kanë treguar se penetrimi i internetit në shkallë botërore për vitin 2016 do të jetë në 47.1%. Europa, konsiderohet si kontinenti me penetrimin më të lartë të internetit për 100 banorë me 79.1%, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte 76.3%.
Gjatë gjashtë viteve të fundit shifrat kanë ardhur në rritje në Europë. Kështu sipas të njëjtit burim penetrimi i internetit në raport me popullsinë në vitin 2006 ishte rreth 66%.
Po ku renditet Shqipëria?
Të dhënat e Internetlive Statistics për Shqipërinë, për vitin 2016 tregojnë se penetrimi i interentit në vendin tonë për 100 banorë është 62.8%, shifër e cila na vendos në vendin e 73 (popullsia llogaritet në rreth 2.9 mln banorë) nga 201 të marra në analizë. Pak më poshtë se ne përkatësish në vendin e 75 dhe 76 renditet Mali i Zi (62%) dhe Bosnje – Hercegovina ( 61.1%). Maqedonia renditet më mirë se ne, në vendin e 59.
Serbia është në vendin e 90, me një penetrim prej 54%.
Të dhënat tregojnë se është Islanda vendi që gëzon 100% mbulim me internet, kjo edhe për shkak të numrit të vogël të popullsisë (331,778 banorë).
Në vendin e fundit për nga penetrimi i internetit duke marrë për bazë popullsinë është renditur shteti Eritrea me 1.1%. Përdoruesit e internetit të kësaj zone llogariten në 56, 728 banorë, nga 5.3 milionë banorë që jetojnë në Eritrea.
Ndërsa statistikat e ITU-së ndër të tjera tregojnë se në kontinentin Amerikan aksesi i internetit ka arritur në 65%, shifra zbret në 40% në Azi dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa në Afrikë llogaritet në 25%.
Kompanitë më të mëdha të teeknologjisë, si Google dhe Facebook janë duke shfrytëzuar këto kapacitetet me projektin e tyre
“Loon balloons”. Por, këto plane janë larg perfeksionit.
Edhe pse më shumë njerëz po lidhen online, çështjet sociale ekonomike që i mbajnë larg parametrat e njëjtë të penetrimit të internetit nuk gjejnë zgjidhje.