Përplasjet në “fushë të minuar” mes qeverisë dhe pronarëve të HEC-eve
Transferimi i kontratave nga KESH tek OSHEE dhe një projektligj i Ministrisë së Energjetikës për të disiplinuar tregun e energjisë kanë shqetësuar pronarët e HEC-eve, ndërkohë që frika nga paditë në arbitazh i ka rikthyer palët në tavolinën e diskutimeve.
Pas vitesh të tëra në Itali, Bledar Mehmeti u rikthye në Shqipëri si një ndër investitorët e parë në tregun e hidrocentraleve të vegjël. Kompania e tij “Tervol” shpk nënshkroi në vitin 2008 marrëveshjen koncesionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe HEC-i i ndërtuar prej saj mbi lumin e vogël të Holtës në afërsi të Cërrikut në Shqipërinë e Mesme nisi ndër të parët prodhimin e energjisë elektrike.
HEC-i i Tervolit është vetëm njëri prej rreth 100 hidrocentraleve të vegjël që janë vënë në punë ose janë në fazën e fundit të investimit, prej kohës kur qeveria e djathtë e Sali Berishës shpalli ambicien për ta kthyer Shqipërinë një “superfuqi energjetike në Ballkan”.
Në funksion të kësaj ideje, u firmosën mbi 500 leje koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël anekënd Shqipërisë-ndërkohë që investitorët u favorizuan duke u përjashtuar nga taksat për hekurin dhe çimenton si dhe u garantuan në kontratë që energjia e prodhuar prej tyre do të blihej nga shteti.
Pavarësisht lehtësirave, Bledar Mehmeti, i cili është njëherazi edhe anëtar i Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, AREA pretendon se ky biznes nuk është aq i leverdisshëm sa ç’thuhet.
“Kreditë bankare apo dhe ndryshimet e herëpashershme të ligjeve mbi energjinë kanë vendosur në vështirësi sipërmarrësit e HEC-eve,” i tha ai BIRN.
Prej javësh, disa prodhues të vegjël të energjisë janë përfshirë në një konflikt me qeverinë e majtë të Edi Ramës, për shkak se një vendim i Këshillit të Ministrave urdhëronte transferimin e kontratave të HEC-eve të vegjël për shitjen e energjisë nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE.
Ky ndryshim i paraprin projektligjit për “Burimet e Rinovueshme dhe Modeli i Tregut të Energjisë”, përmes së cilit ministria synon të realizojë një reformë të thellë në sektorin e energjisë së rinovueshme.
Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme, AREA ka protestuar ndaj lëvizjeve të fundit të qeverisë, duke i cilësuar ato të njëanshme dhe që vendosin në rrezik të drejtat e tyre të fituara nga kontratat koncesionare. Përmes disa deklaratave për mediat, AREA thotë se këto vendime sjellin një situatë të pasigurtë për investitorët.
“Ndryshimi i njëanshëm i formulës së çmimit të energjisë elektrike duke e ulur atë, dhe tashmë kërkesa për të ndryshuar palën në kontratë, madje pa asnjë garanci që kjo lëvizje do të jetë e fundit, sjellin një situatë tërësisht të pasigurtë në investimin e bërë si dhe kthimin e këtij investimi. Kjo gjë është në kundërshtim, përveç të tjerave, edhe me detyrimet kushtetuese të organeve shtetërore,” thuhet në njërën prej deklaratave të AREA-s.
Ministria e Energjetikës dhe Industrisë i ka cilësuar të pabaza pretendimet e shprehura nga disa prej prodhuesve të vegjël të energjisë. Ajo ka garantuar se transferimi i kontratës nga KESH tek OSHEE nuk ka asnjë pasojë për investitorët. Ministria ka njoftuar se nga 85 shoqëri që kanë në pronësi HEC-e, 62 prej tyre i kanë firmosur kontratat e reja me OSHEE dhe sipas saj kanë vazhduar normalisht punën.
Ndonëse hedhin poshtë pretendimet mbi kontratat e reja, zyrtarët e Ministrisë së Energjisë nuk e fshehin faktin se projektligji i ri për energjinë e rinovueshme mund të ndryshojë status quo-në e operimit të deritanishëm të pronarëve të HEC-eve.
Entela Çipa, këshilltare e ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri i tha BIRN se drafti i ri parashikon që prodhuesit e vegjël duhet të programojnë sasinë e energjisë që do t’i shesin OSHEE-së në të ardhmen.
Projektligji i energjisë
I trumbetuar si një projekt që do ta kthente Shqipërinë në aktor të rëndësishëm të eksportit të energjisë, liberalizimi i licensave të HEC-eve ka thelluar gropën e borxheve të gjeneruesit publik, KESH.
Marrëveshjet koncensionare e detyrojnë KESH-in që të blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga HEC-et. Ekspertë të energjetikës i thanë BIRN se shpeshherë, kjo energji është blerë me faturë më të lartë se energjia e importit nga KESH.
KESH e ka shitur më pas energjinë e prodhuesve të vegjël tek OSHEE me tarifën e rregulluar prej 2.2 lekësh. Diferenca në çmim arriti 32 milionë euro në vitet 2011-2012, ndërsa një vit më pas kjo shifër u ngjit në vlerën e 39 milionë eurove.
Gropa vazhdoi të thellohej, ndërsa rritej numri i HEC-eve që nisnin prodhimin e energjisë elektrike. Në vitin 2015, prodhimi i energjisë nga gjeneruesit privatë kapi 24.1 për qind të prodhimit të energjisë neto në vend me një faturë prej më shumë se 8 miliardë lekësh.
Pas ankesave të shumta për situatën e trashëguar nga qeveria e kaluar, Ministria e Energjetikës po harton projektligjin që synon të rregullojë tregun dhe marrëdhëniet me prodhuesit e vegjël të energjisë. Megjithatë, lëvizjet e ministrisë bëhen në një fushë të minuar.
Bledar Mehmeti i AREA i tha BIRN se kontratat e reja që u janë vënë përpara cenojnë sigurinë juridike të investimit dhe janë hartuar me qëllimin që të shtrojnë rrugën e miratimit të ligjit të ri, pa rrezikuar ndonjë padi të mundshme.
“Ne e kemi kontestuar për faktin se me firmosjen e kontratës me OSHEE, ne do të pranojmë shtrirjen e retroaktivitetit duke humbur te drejtën e ankimit ligjor mbi ligjin e ri të energjisë së rinovueshme dhe ndërhyrjet në vijimësi, të cilat ende nuk janë miratuar dhe nuk është e qartë se si do të na trajtojnë,” thotë Mehmeti.
Ai shtoi se subjektet që kanë firmosur janë prodhues të vegjël dhe ndoshta-sipas tij nuk i kanë kuptuar pasojat juridike prapavepruese që ka nënshkrimi i kontratës.
Këshilltarja e ministrit të Energjetikës, Entela Çipa i tha BIRN se kontrata e propozuar nuk lë shteg për dyshime. Megjithatë, ajo e pranon se projektligji për energjinë e rinovueshme mund të ketë impakt tek prodhuesit e vegjël të energjisë.
“ Ka interpretime që shoqëritë koncesionare mund të impaktohen nga disa parashikime të ligjit të ri për energjinë e rinovueshme…Blerja e energjisë elektrike tek këto shoqëri është një detyrim që shteti e ka marrë përsipër falë kontratës koncesionare….do të gjenden modalitetet për zgjedhjen e përmbushjes së këtij detyrimi,” thotë këshilltarja Çipa.
Gjurmë të modaliteteve të reja gjenden që tani në kontratën që OSHEE u ka vënë përpara pronarëve të HEC-eve, të cilën BIRN e disponon. Në nenin 5 të kontratës, parashikohet që HEC-et duhet të programojnë prodhimin e energjisë dhe ta paraqesin atë paraprakisht tek blerësi.
“Impiantet prodhues me fuqi të instaluar mbi 5 MË duhet të programojnë dhe të paraqesin tek Bleresi programet e lëvrimit. Devijimet nga programet e paraqitura do të trajtohen në përputhje me Rregullat e Tregut të Energjisë Elektrike apo çdo akti tjeter të miratuar nga ERE-ja për këtë qëllim,” thuhet në kontratë.
Projektligji i ri për energjinë e rinovueshme parashikon ngritjen e një tregu shumice të energjisë elektrike dhe të bursës së energjisë, çka sipas zyrtarëve të Ministrisë do të të bëjë të mundur funksionimin e sistemit të sektorit në përputhje me rregullat dhe parimet e BE.
“I gjithë tregu do të jetë i bazuar mbi programimet e një dite në avancë, dhe subjektet janë të detyruar të japin program, megjithëse nuk do t’u hiqet e drejta për të shitur të gjithë sasinë e energjisë së prodhuar përtej këtij programimi,” i tha Çipa BIRN.
“… I vetmi problem që ka është pasiguria që kanë këto kompani për shak të disbalancave dhe mund të ketë subjekte që do të penalizohen,” shtoi ajo.
Deri më tani, disbalancat e krijuara nga prodhuesit e energjisë elektrike janë mbuluar nga OSHEE, ç’ka ka rritur koston e energjisë elektrike. Paketa e re ligjore parashikon që fatura për energjinë e prodhuar përtej planit të programuar u kalon subjekteve.
“Kuptohet që një HEC nuk mund të thotë se do të prodhojë 100 kilovat energji dhe më pas të prodhojë 10, sepse shakton kosto. Këtë diferencë, OST duhet ta gjejë në treg dhe në kohë reale e kjo ka një faturë të lartë. Megjithatë jemi në diskutim dhe asgjë nuk është vendosur përfundimisht,” thotë këshilltarja e ministrit Gjiknuri.
Prodhuesit e vegjël shprehen të pakënaqur nga ky ndryshim i status quo-së. Ata i thanë BIRN se janë në kushtet e pamundësisë së programimit, pasi prodhimi i tyre është në varësi të kushteve hidrike.
Një ekspert i Energjetikës i tha BIRN në kushtet e anonimatit se miratimi i 500 lejeve koncensionare ka krijuar kaos dhe ndërhyrjet ligjore janë të domosdoshme. Sipas tij, sot mungon një auditim i veprimtarisë së HEC-eve në vend nga Ministria e Energjetikës dhe faturat paguhen në bazë të energjisë që deklarojnë vetë subjektet.
“Megjithatë, ministria duhet të operojë konform ligjeve për të mënjanuar një kosto më të madhe financiare, që mund të shkaktojë prishja e njëanshme e kontratave koncensionare,” tha eksperti, duke pasur parasysh paditë e mundshme në arbitrazh.
Situata e komplikuar juridike duket se i ka çuar palët drejt negociatave të reja. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Ministria e Energjetikës dhe Enti Rregullator i Energjisë po kërkojnë një zgjidhje me koncesionarët.
Më 22 gusht, kryetari i ERE-s, Petrit Ahmeti ka ftuar grupet e interesit për të rinegociuar kontratën e propozuar mes OSHEE dhe prodhuesve të vegjël dhe të mesëm të energjisë elektrike.
Edhe pse dyshues për arritjen e një marrëveshjeje, Bledar Mehmeti e sheh këtë ftesë si një hap pozitiv për gjetjen e një zgjidhjeje.
Entela Çipa pranoi gjithashtu se Ministria është e hapur të diskutojë me prodhuesit e energjisë.
“Të gjitha opsionet janë në tavolinë për t’u diskutuar,” përfundoi ajo.