Albspirit

Media/News/Publishing

Pjesëmarrja në votime e vajzave afrikano-amerikane

  • Faiza Elmasry

“Black Girls Vote” është një organizatë jo-fitimprurëse dhe jopartiake. Ajo inkurajon vajza të reja afrikano-amerikane të marrin pjesë në votime. Që nga krijimi nëntorin e kaluar, organizata ka regjistruar më shumë se 10.500 votuese.

Zgjedhjet presidenciale janë më pak se tre muaj larg. Edhe pse disa amerikanë tashmë e dinë se për kë do të votojnë, të tjerë janë ende të pavendosur, por ka edhe nga ata që nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në votim.

Nyki Robinson, themeluesja e Black Girls Vote, e ka parë atë hezitim në shumë gra të reja afrikano-amerikane, pavarësisht rritjes në rëndësi të votave të pakicave:

“E dimë se në vitet 2008 dhe 2012, ishin gratë afrikano-amerikane që vendosën presidencën. 76 për qind e tyre u regjistruan për të votuar dhe 70 për qind votuan, sipas Qendrës për Përparimin Amerikan” thotë themeluesja e organizatës.

Pra përse të rejat afrikano-amerikane, mes 19 dhe 25 vjeç, mund të mos votojnë ditën e zgjedhjeve?

“Ndonjëherë ato nuk e kuptojnë procesin e votimit, çfarë do të thotë të votosh dhe çfarë ndikimi ka në jetën e tyre të përditshme” – thotë ajo.

Çelësi, thotë zonja Robinson, është t’i tregohet atyre lidhja mes votës dhe jetës së tyre të përditshme. Për shembull, ndikimi që ka reagimi i qeverisë për një vrasje në lagjen e tyre:

“Nëse bëhet fjalë për policinë që patrullon në komunitet, në se ka dritë në një anë të rrugës, ose edhe më shumë mundësi ekonomike për burrat afrikano-amerikanë…të gjitha këto lidhen me politikën” thotë ajo.

Organizata takohet me gratë atje ku gjenden ato: në dyqane, parukeri, restorante dhe universitete:

“Erdha sot të regjistrohem për të votuar dhe për t’u bërë anëtare e Black Girls Vote,” – thotë studentja Keaira Banks.

Keisha Addison, një shoqe e saj e klasës, punon dhe po rrit tre fëmijë. Ajo ka votuar që kur ishte 19 vjeç:

“Unë votoj për zgjedhjet lokale dhe ato presidenciale” thotë ajo.

Zonja Addison po konsideron të bëhet pjesë e organizatës, pasi beson se gratë e reja nuk janë të angazhuara politikisht. Ajo thotë se një shembull i mirë është vajza e saj 21-vjeçare, e cila nuk do që të votojë:

“Ajo thjeshtë donte dikë që të ishte zëri i të rinjve sepse ishte e shqetësuar për të drejtat e të rinjve. Por po i thoja se pavarësisht se për kë voton, duhet të marrësh pjesë në votime. Vota ka rëndësi pavarësisht se kujt ia jep,” thotë zonja Addison.

Për ta përcjellë këtë mesazh në komunitet, anëtarët e grupit planifikojnë aktivitete të tjera.

“Ne duhet t’i mësojmë fëmijët herët, që kur të shkojnë në shtëpi, do të thonë: ‘mami kam votuar për president sot, jo për presidentin e SH.B.A., por për atë të programit Kids Zone. Dhe kur afrohet nëntori, ata dëgjojnë rreth votimeve dhe thonë: ‘mami, duhet të shkosh të votosh edhe ti’” – thotë Nykidra Robinson.

Themeluesja e organizatës, Nykidra Robinson, thotë se të mësuarit e brezave të rinj për procesin demokratik është kritike për t’i ndihmuar ata të kuptojnë rëndësinë e votës së tyre — se si zgjedhja e kandidatëve të cilët përfaqësojnë pikëpamjet e tyre mund të sjellë ndryshime pozitive në komunitetin e tyre.

Please follow and like us: