Procesi i vlerësimit, opozita të tjera amendamente
Nesër seanca e votimit në parlament të projektligjit për për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ambasadori amerikan takon Bashën. Pasdite së bashku me homologen e delegacionit europian, takim dhe me kryetarin e parlamentit Meta
Në Shqipëri Partia Demokratike ritheksoi sot qëndrimin e saj kundër projektligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa dorëzoi në parlament amendamente të tjera ndaj tekstit, një ditë përpara seancës së thirrur për votim
Projektligji u miratua javën e shkuar në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, vetëm me votat e shumicës. Në dokumentin e opozitës theksohet se “pavarësisht se i qëndrojmë të gjitha shqetësimeve dhe vlerësimeve teknike të bëra nga ana jonë në Opinionin e datës 1 Gusht 2016, për nenet 26-67 të projektligjit, të paraqesim vetëm ato Amendamente që konsiderohen thelbësore nga ana jonë, për të siguruar përputhshmërinë e projektligjit me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare”.
Opozita këmbëngul se versioni i miratuar në Komision paraqet, sipas saj, “probleme të thella të përputhshmërisë me Kushtetutën, në të paktën 7aspekte parimore” që nga përfshirja në procesin e verifikimit të institucioneve që siç thekson opozita kontrollohen nga qeveria, deri tek ato që lidhen me”cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në procesin e kontrollit të figures”, “me cënimin e pabarazisë përpara ligjit” e deri te “paqartësitë apo kontradiktat juridike të projektit”.
Vërejtjet e opozitës iu nënshtruan vlerësimit të ekspertëve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, por vetëm një pjesë e tyre, kryesisht ato që kishin të bënin me element anësorë apo të riformulimit u morën parasysh nga ekspertët ndërkombëtar..
Qëndrimi i mbajtur nga opozita mendohet të ketë qenë tema kryesore e takimit që ambasadori amerikan Donald Lu pati sot me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Ndërsa pasdite, ambasadori Lu dhe ambasadorja e delegacionit europian Romana Vlahutin, u takuan dhe me kryetarin e parlamentit Ilir Meta.
Për miratimin e projektligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkohet një shumicë të cilësuar votash të cilat numerikisht shumica i kontrollon.