Albspirit

Media/News/Publishing

Prova gjenerale e Dibrës

Nga Ilva Tare – Ata që e kanë veshin të thyer me koncerte dhe veglat muzikore e dinë se çfarë do të thotë provë gjenerale në gjuhën e një artisti. E njëjta shprehje duket se ka vlerë edhe për “artistët” e politikës që në 11 shtator do të luajnë për fatet e tyre në zgjedhjet lokale të Dibrës. Edhe pse një qytet dhe rajon i lënë në harrëse nga pushteti i Tiranës i dy dekadave të fundit, votimet për kryebashkiakun e ri po marrin një rëndësi kombëtare, të pamerituar dhe të pajustifikuar. Të paktën dy janë arsyet e investimit të selive të mëdha të Tiranës me dibranët, që nuk kishin parë kaq shumë të deleguar nga Tirana që prej ardhjes së demokracisë.

Së pari, egoja e lidërve të partive kryesore politike për të dëshmuar secili brenda elektoriatit të tij se strukturat funksionojnë në rastin e PD dhe se koalicioni qeverisës është ende në këmbë. Së dyti, “bombardimi” i Dibrës me zyrtarë të lartë të partive është një provë shtesë për provën gjenerale që votimet në këtë zonë do të kenë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një fitore e provës gjenerale do të rriste frymën dhe shpresën për secilin kamp dhe do të parapërgatiste terrenin për fushëbetejën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Akuzat dhe shqetësimet e ngritura nga opozita, për të cilat Koalicioni i Vëzhguesve Vendor kërkoi hetim të plotë rast pas rasti, për intimidim votuesish dhe blerje vote, duket se janë vetëm preludi i një ligjërate politike që do të njohë përshkallëzim me afrimin e votimeve në 2017-tën. Edhe fakti që fushata elektorale e dy kandidatëve po ndiqet nga selitë kryesore dhe i përcillet medias me tekst dhe sinkrone të përgatitura nga zyrat e shtypit, është domethënëse për atë që pritet të ndodhë pas Dibrës, në të gjithë Shqipërinë. Fati i vetëm i dibranëve si pasojë e kësaj fushate është ekspozimi dhe koha televizive kombëtare që po marrin shqetësimet e tyre dhe fjalët e kandidatëve të cilët janë përzgjedhur për të shëruar plagët e xhepit apo të shëndetit të qytetarëve të zonës. E diela e 11 shtatorit nuk do të jetë vetëm një koncert i paralajmëruar i një kronike të përsëritur nga elita politike në vend. Pavarësisht se statistikat e zgjedhjeve lokale në Dibër kanë një ekuilibër të barabartë prej 3 mandatesh për të majtën dhe të djathtën, perceptimi qytetar është se kjo zonë është e djathtë dhe se fitoret e së majtës kanë qenë të ngushta ose si pasojë e makinacioneve ma kandidatë të stisur si të pavarur.

Ndaj, nëse fiton doktori i majtë, në kampin e atij të djathtë akuzat e fushatës për blerje dhe manipulim vote do të konsiderohen prova të pakontesueshme. Në rast se fiton ekonomisti i djathtë, koalicioni i majtë duhet të ekonomizojë në opinionin publik deklaratat dhe përpjekjet që tentojnë të “shesin” një vazhdimësi të mundur të bashkëjetesës elektorale, meqenëse vështirësitë e asaj ekzekutive janë tashmë një sekret publik.

Please follow and like us: