Albspirit

Media/News/Publishing

Riorganizimi i institucioneve kërkimore në Shqipëri

Dr. Faruk Kaba

Para disa ditësh lexova një shkrim në gazetën TEMA me titull “Përse Shqipëria ka nevojë për një institut shkencor për kërkimet e naftës” me autor Msc. Zoto Leskaj. Me thënë të vërtetën shumë aktual, madje pak i vonuar, jo për shkrimin dhe artikullshkruesin, të cilin nuk e njoh personalisht, por për nevojën që ka ekonomia për shkencën dhe zhvillimin shkencor, në këtë sektor të naftës, por edhe në të gjithë sektorët e rëndësishëm dhe jetikë të saj. Duke qenë personalisht dhe me kolegë të mij në një proces apo “betejë” gati 10-12 vjecare në kërkim të “një njeriu me mënd në sferat e larta të shtetit, që të na kuptojë dhe të ketë vullnetin e mirë për të na mbështetur në nevojën e ringritjes së këtyre strukturave kërkimore-shkencore”, institute apo qendra kërkimore, s’ka rëndësi emri dhe që janë bazë e zhvillimit të një vendi, me sugjerimin edhe të një miku tim, mora kurajon për këtë shkrim.

Jam krejt i qartë dhe i sigurtë se këto shkrime, që për fat të keq nuk lexohen nga ata, që duhet ti lexojnë, por edhe kur i lexojnë shprehin indiferentizem dhe ofshama bezdisje, nuk pres ndonjë zhvillim të vecantë, por gjithsesi le te jetë dhe ky një gur i vockël në murin e madh dhe të mundimshëm të ringritjes së shkencës dhe kërkimit shkencor në vendin tonë.

Kërkimi shkencor në ditët e sotme në botë konsiderohet më i rëndësishmi në zhvillimin e një vendi dhe vendet e emancipuara dallohen në rradhë të parë nga investimi për shkencën dhe kërkimin shkencor. Financimi i shkencës sot në vendet e zhvilluara është në masën 2-3% te GDP-se. SHBA, Japonia, Gjermania, Suedia, Franca, Anglia, Izraeli, Korea Jugut etj investojnë 3.5 % deri 4% të GDP për shkencën dhe kërkimin shkencor. Ky investim rrit në mënyrë eksponenciale prodhimin dhe të mirat materiale. Një vend nuk mund të quhet i pasur dhe i fortë ekonomikisht pa një shkencë dhe kërkim shkencor të përparuar. Për fat të keq Shqipëria renditet ndër vendet ku investimi për shkencën është “harruar”: me vetem 0.016 % të GDP-së për shkencën (mesatarja botërore 2.09% e GDP), ajo renditet ndër vendet e fundit në botë: e 193-ta.

Ashtu si dhe me Institutet e Kërkimit të Naftës, në Shqipëri kanë pas egzistuar institute veçanrisht ato në kuadër të dikasterit të Ndërtimit, në fusha si infrastruktura e transportit (Instituti Nr.2), enegjitika (Instituti Nr. 3), arkitekturë-urbanistika (Instituti Nr. 1), materialet e ndërtimit dhe ndërtimi në teresi (ISTN), veprat industriale (Instituti Nr.4) etj, por që koha dhe më saktë, Ekonomia e Tregut, “i nxorri jasht loje”, jo si të pavlefshëm, por që nuk mund të egzistonin, justifikonin dhe të procedonin, sipas rregullave të një ekonomie të ezauruar, sic ishte ajo socialiste, e përqëndruar, e asaj kohe. Ne fakt Ekonomia e Tregut aq më tepër ka nevojë të padiskutueshme për shkencën dhe kërkimin shkencor, përndryshe ajo dështon.

Por si i ka zgjidhur bota këto probleme? Shkenca dhe kërkimi shkencor kërkojnë buxhete, kërkojnë financim, laboratorë, shkencëtarë të mirëpaguar, programe etj, kush i paguan ata? Shteti, veçanrisht ky i yni, është krejt i dobët financiarisht dhe i pamundur për këto financime. Për të qenë krejt transparent që në fillim, dhe duke qenë realistë në njohjen e gjendjes sonë dhe ekonomisë sonë, sigurisht që nuk e kemi fjalën për financimin nga shteti te këtyre strukturave shkencore, por krejt e kundërta, bëhet fjalë për përjashtimin e çdo financimi nga buxhetet shtetërore.

Si mund të realizohet kjo? Në shumicën e vendeve të përparuara zhvillimi teknologjik-standartet-novacionet-studimet në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe industrisë, nga të cilat përfiton shoqëria, financohen nga vetë procesi i prodhimit. Cila është forma? Pa u trembur mund te themi se shkenca dhe kërkimi shkencor bëhet i mundur të financohet nëpërmjet një takse, por mos u trëmbni edhe një herë: kjo taksë është fare simbolike në tërësinë e aktivitetit ekonomik në një fushë të caktuar dhe për cilindo subjekt ekonomik: vetëm reth 1-2 përqind e çdo kontrate, dhe, për të mos rënduar askënd, realizohet brenda kontratave të prodhimit / ndërtimit / projektimit / mirmbajtjes etj, në projektet në fjalë.

Kjo zgjidhje shume efikase, e realizuar me shume sukses në vende nga më të përparuarat në botë, përbën për Ekonominë e Tregut një instrument shumë efikas për të nxitur dhe përshpejtuar novacionin dhe kërkimin shkencor në industri, ndërtim, transport, bujqësi, tregëti etj. Modelet e aplikuara dhe eksperienca e vendeve më të zhvilluara mund dhe duhet të aplikohet edhe në vendin tonë, pse jo, veçanrisht në fushat ku prodhimi është i tillë në sasi, që, nga kjo taksë tejet modeste, mund të krijohen buxhete të tilla të mjaftueshme për financimin dhe funksionimin e strukturave kërkimore-shkencore. Bie fjala, vetëm në fushën e rrugëve, me një taksë gati të papërfillshme, prej vetëm 1 përqind, apo edhe më pak, krijohen buxhete të mjaftueshme për ngritjen e një Qendre Kërkimore shumë dinjitoze, shumë të rëndesishme. Ngritja e saj, detyrë emergjente e së cilës është vendosja e standarteve në të gjitha hallkat, punimet, marrdhëniet dhe legjislacionin, nuk do të lejojë ndërtime apo investime pa cilësi dhe shpesh pa kriter dhe dëmin e madh, që i është shkaktuar ekonomisë nga një manaxhim dhe drejtim me gabime në këtë sektor për vite të tëra. Me të njëjtën llogjikë mund të flitet edhe për fusha të tjera si energjia, mjedisi, bujqësia, industritë e ndryshme, si ajo e naftës, ushqimit, etj.

Në biseda me të gjithë nivelet, nga vendimmarrës deri tek ndërtues-kontraktorët, prodhuesit etj, nuk kuptohet dhe nuk mirëpritet kjo taksë, por eksperienca më e mirë botërore ka treguar se të mirat e këtij investimi për shkencën dhe kërkimin shkencor janë të pallogaritëshme dhe në radhë të parë për vetë projektuesit, kontraktorët, prodhuesit dhe për të tërë shoqërinë.

Sipas modelit që propozohet, rezultuar plotësisht i suksesshëm nga eksperiencat më të mira botërore, shteti nuk financon këto Qëndra Kërkimore/Shkencore, nuk hedh asnjë qindarkë. Ajo realizohet nëpërmjet projekteve: nga një perqindje simbolike mbi çdo kontratë, mundësohet financimi i kërkimit në fushën përkatëse, veçanrisht atje ku kjo taksë krijon buxhete të mjaftueshme për këtë aktivitet kërkimor.

Eksperienca e Shqipërisë në financimin e kërkimit vetëm nga burimet e buxhetit dhe tradita e derimëtanishme me këto institucione kërkimore shtetërore, nuk ka bërë të mundur zhvillimin e kërkimit shkencor të nivelit bashkëkohor, që në thelb duhet të jetë financimi nga projektet. Kjo është dhe një nga arësyet e prapambetjes së theksuar që kemi sot në ngritjen e strukturave të tilla shkencore. Para viteve ‘90 Shteti Shqiptar dhe ekonomia e tij e centralizuar kishin Institute Studimore apo Projektuese, Institute Kërkimore në fusha të ndryshme, të cilët, megjithë të metat ishin një zë kompetent, që i jepte zgjidhje problemeve më të shumta, për të cilat kishte nevoja shkenca dhe prodhimi i asaj kohe sipas fushave të ekonomisë. Këto institucione me formatet e tyre dhe format e organizimit dhe orientimit nuk i rezistuan dot Ekonomisë së Tregut dhe në fillim të viteve ’90, pjesa më e madhe e tyre, u shkri. Ndonjë nga ata që mbetën, u kthyen në barrë për ekonominë, duke u shndruar në qendra formale “shkencore”, pasi mbetën pa buxhete të nevojshme për kërkim, ose u mbushën me “specialiste”, që nuk i rezistuan konkurencës së ekonomisë së tregut.

Shqipëria sot nuk ka, bie fjala, një qendër shkencore për rrugët apo infrastrukturat në tërësi, megjithëse është fusha ku shpenzohen mbi 60-70 përqind të investimeve të vendit. Institutet e Transportit dhe të Ndërtimit egzistues, në vartësi të diskastereve respektive, me buxhetet dhe rrogat që ofrojnë, nuk mundet që të mbledhin specialistët më të mirë dhe një infrastrukturë për kërkim shkencor (laboratore, programe, instrumenta etj) të domosdoshme për të realizuar një kërkim shkencor bashkohor.

Sektori Akademik, Universitetet as që bëhet fjalë të mbulojnë këtë boshllëk. Madje, nga eksperienca botërore, por edhe e vendit tonë, duhet të jetë e kundërta: Ngritja dhe Organizimi i Qendrave Kërkimore do të mund të ndikojë në ngritjen cilësore të Universiteteve. Shefat e Katedrave duhet të jenë shkencëtarët më të shquar të këtyre Institucioneve/Qendrave shkencore dhe anasjelltas, shkenctarët më të zot të akademive dhe universiteteve duhet të drejtojnë punët shkencore të këtyre qendrave kërkimore. Në të kundërt ne nuk do të mund ti shërbejmë ekonomisë dhe nevojave të saj për progres teknik dhe teknologjik dhe për të qenë një vend i përparuar. Kjo është edhe arsyeja, përse mund të konsiderohet i dështuar vendimi për kalimin e instituteve dhe qendrave shkencore në varsi të katedrave të universiteteve.

Është absolutisht e saktë, ajo që zoti Leskaj shkruan në artikullin e tij, që edhe Amerika ka dështuar kur i quante universitetet “krenari e shkencës amerikane” para viteve ’60 të shekullit të kaluar, por që shpejt e braktisi si ide. Me këto pseudo ide u shkatëruan edhe tek ne ato pak gjurmë, që kishin mbetur nga e kaluara. Tani, në një ekonomi të orientuar të Tregut, ka ardhur koha, që ti thërasim mëndjes dhe të orientohemi nga progresivja, teknologjia, shkenca dhe kërkimi shkencor, përndryshe…………

Si është situata në vendin tonë? Sic edhe njihet, është krijuar një boshllëk i madh në nevojat që ekonomia ka për teknologji, standarte, rregullore, për kontroll/vleresim, për metoda monitorimi, legjislacion të përparuar, studime etj. Këto zëvendësohen rëndom me zgjidhje empirike të rastësishme të problemeve, me kosto të larta ekonomike dhe sociale. Situata shoqërohet edhe me një konfuzion, pasi perfeksionimi vetëm i legjislacionit në fushën e kërkimit shkencor dhe vetëm në rafshin akademik, ka treguar se nuk është zgjidhje e problemit dhe problemeve, që ka ekonomia. Shqipëria sot ka dhjetra universitete private dhe publike dhe nuk ka asnjë Institut Kërkimor të mirfilltë! Paradoks i vërtete, që nuk mbetet me kaq. Duke marrë për shembull, mungesën e një instituti apo qendre kërkimore në fushën e infrastrukturave të transportit bie fjala, si rezultat i kësaj mungese, të gjitha hallkat, që në tërësinë e tyre janë pjesë e realizimit të këtyre veprave dhe investimeve, nga qendra-dikasteri, tek agjencia përkatëse (klienti kryesor), tek konsulenti (hartuesi i projektit dhe i shërbimeve inxhinierike) dhe tek zbatuesi i punimeve dhe kolaudatori, egziston një situate tejet jo e sigurtë dhe e sinqertë, ku projektuesi jep një projekt/produkt, i cili mund të jetë i kontestueshëm, po kështu supervizori dhe më tej kontraktori (zbatuesi i punimeve) dhe deri tek kolaudatori. Dhe produkti që kemi me rrugët, është ai që kemi dhe që të gjithë e shikojmë me syte tanë: rrugë pa standarte të unifikuara, me kosto shumë të larta ndërtimi në raport me produktin final, një rrjet rrugor i çorientuar dhe me probleme madhore, përfshi PAsigurinë rrugore, që është nga më të lartat në Europë.

Si funksionon zgjidhja e dhënë me lart dhe cili është roli i shtetit në këtë rast? Shteti është autoriteti garant dhe auditi, që, sipas një ligji rregullator, bën të mundur kalimin e fondeve të krijuara nga taksa në fjalë, në buxhetin e Qendres(ave) Kërkimore. Përvec kësaj, shteti siguron raportin e drejtë ndërmjet buxhetit të krijuar (të të ardhurave) dhe aktiviteteve kërkimore, që do të kryejë struktura shkencore nga njëra anë dhe kërkesave e nevojave publike të sektorit përkatës nga ana tjetër. Shteti kontrollon dhe merr pjesë në miratimin e aktivitetit çdovjetor dhe financave të kësaj Qendre nëpërmjet Bordeve, që detyrimisht kryeson. Shteti garanton neutralitetin në rastin e garave në tendera lokalë apo ndërkombetarë, ku kjo qendër kërkimore është e lirë të marrë pjesë. Prandaj edhe këto Qendra shkencore quhen me interes publik dhe me procedim privat.

Duke marre shkas nga shkrimi i zotit Leskaj, jam i sigurtë, që nëse do të ecet në këtë drejtim, pra duke aplikuar një taksë modeste, mbi të gjithë subjektet që merren me kërkimin dhe prodhimin e naftë dhe të gazit, përfshi, pse jo edhe projektin TAP, një institucion kërkimor shkencor i nivelit të lartë është plotësisht i mundur të ngrihet edhe në Shqipëri. Dhe do të jënë të interesuar të gjithë shkencëtarët e kësaj fushë për të punuar në këto qendra shkencore, pasi buxhetet e krijuara do të bëjnë të mundur, që përpos ambienteve, laboratoreve, softeve etj, për këta punonjës-shkencëtare të ketë edhe shpërblime/rroga të mira, njësoj si në institutet e ngjashme shkencore të vendeve më të zhvilluara.

Si duhet vepruar dhe nga duhet nisur?

Së pari, të gjithë grupet e interesit, të përfaqesuara nga shoqatat apo grupime të tjera, duhet të marrin miratimin e antarësisë së tyre lidhur me këtë inisiative-organizim të ri dhe t’ja bëjnë të ditur zyrtarisht Qeverisë Shqiptare.
Së dyti, grupet e interesit ngrenë Grupe Pune, që pregatisin të detajuar propozimin për Qeverinë,
Së treti, Grupet e Punës dhe Qeveria ngrenë një Komision Shtetëror për hartimin e paketës ligjore për themelimin dhe financimin e këtyre Qendrave kërkimore.

Komisioni pregatit Draft Ligjin përkatës dhe, sipas rregullave, ky dërgohet në Parlament për miratim: Ligji “Për krijimin dhe financimin e Qendrave Shqiptare të Kërkimeve (sipas fushës)”.
* * *
Siç mund të konstatohet, në thelbin e këtij propozimi është nevoja e zhvillimit të shkencës dhe kërkimit shkencor nga vetë prodhimi, në kushtet e pamundesisë së financimit të saj nga buxheti shtetit. Në thelbin e saj qëndron fakti, që nëpërmjet kësaj mënyrë, rezultuar shumë e suksesëshme, madje edhe nga ekonomi shumë më të forta se kjo e jona, jo vetëm financohet shkenca, por bëhet e mundur që në këto formacione kërkimore, të ofrohen specialistet më të mirë. Në globalizimin që ka krijuar ekonomia botërore, këto lloj organizmash shkencore, do të bëjnë të mundur ngritjen e paimagjinueshme të nivelit dhe të cilesisë së vepra të realizuara dhe produkteve në fushat përkatese duke drejtuar ekonominë dhe investimet në rrugën më të drejtë, racionale dhe normale.

Së fundi, institutet egzistuese, që mund të jenë paralele me ato që do të mund të krijohen sipas këtij propozimi, sigurisht që do të shkrihen, duke liruar buxhetin e shtetit nga një barrë e rëndomtë dhe pothuaj e panevojshme. Pjesa determinuese e stafeve të tyre mund të përfshihen ne institutet/qendrat e reja, duke mos krijuar probleme sociale të panevojshme.

*Titulli i autorit: PËRSE I DUHEN SHQIPËRISË INSTITUCIONET KËRKIMORE SHKENCORE DHE SI MUND TË RIORGANIZOHET RINGRITJA E TYRE

Please follow and like us: