Rivlerësimi i pasurisë, katër formularët dhe llogaritja e tatimit
Të gjithë individët dhe bizneset që kanë një pasuri të patundshme mund të aplikojnë që nesër deri në 28 shkurt të vitit tjetër në zyrat e Hipotekës për rivlerësimin e pasurisë. Udhëzimi që mban firmat e Ministrit të Financave dhe Ministrit të Drejtësisë është botuar sot në Fletoren Zyrtare dhe u jep të drejtë gjithë personave që zotojnë pasuri të paluajtshme të plotësojnë pranë Hipotekës formularin e “Kërkesë për rivlerësim”.
Vetëdeklarimi dhe rivlerësimi i pasurisë do të shkurtojë tatimin mbi të ardhurat në rast shitje të pasurisë nga 15 % në 2 % për individët dhe në 3 % për bizneset. Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.
Pas procedurës administrative që ndiqet nga punonjësit e hipotekës pronari do të kryejë pagesën e tatimit nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në një nga bankat e nivelit të dytë.