Neni në Kushtetutën e re/ Ata që mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë rreth 25 vite punë në sistem, kanë të drejtën të japin dorëheqje dhe të fitojnë të drejtën e pensionit të plotë. Si do të aplikohet vetingu, ku nis dhe cilat kategori prek më shpejt. Sa kohë do të qëndrojnë larg etheve të vetingut, gjyqtarët e prokurorët e rretheve. Të gjitha detajet e procesit të rëndësishëm të pastrimit të drejtësisë që do të përmbyllet brenda muajit mars 2017

Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe kanë 25 vjet punë në sistemin e drejtësisë, kanë mundësi të japin dorëheqje dhe të gëzojnë të drejtën e pensionit të plotë. Këtë e garanton një nen i veçantë në kushtetutën e re, i cili me sa duket synon largimin nga sistemi i drejtësisë të asaj kategorie gjyqtarësh e prokurorësh, të cilët e kanë nisur karrierën e tyre në kohën e komunizimit. Burime pranë Komisionit të reformës në drejtësi, i thanë 27.al, se ka një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh e prokurorësh të kësaj kategorie, të cilët pritet të japin dorëheqje.

reforma-ne-drejtesi-komisioniBurimi sqaron edhe një herë procedurën që do të realizojë procesin evetingut, i cili nis me përzgjedhjen e kandidatëve për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Sipas Kushtetutës së re, vetëm pesë ditë pas hyrjes së saj në fuqi, Presidenti hedh shortin për kandidatët. Ky proces nuk u bë i mundur, pasi u pengua nga miratimi i ligjit të vetingut. Kjo për shkak se kandidatët do të duhej të kishin kaluar në procesin e vetingut.

Miratimi i ligjit të vetingut, që pritet të mundësohet në seancën e nesërme parlamentarë më 30 gusht, i hap rrugën procesit të pastrimit të sistemit të drejtësisë, pikësëpari për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED. Do të jetë më pas ky këshill që përzgjedh kandidaturat për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe Kryeinspektorin.

Menjehërë pas këtij hapi, procesi i vetingut do të veprojë për përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Më pas për anëtarët e Gjykartës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese si dhe për Prokurorin e Përgjithshëm.

Këshilli i  Emërimeve në Drejtësi do të bashkëpunojë pandërprerë me strukturat që do të kryejnë vetingun. Do të jenë dhjetë prokurorë, të cilët do të trajnohen në SHBA e BE për të kryer këtë proces. Ata do të monitorohen në çdo hap nga eskpertët e SHBA-së dhe BE-së, të cilët tashmë janë vendosur në Tiranë, në pritje të miratimit të ligjit të vetingut dhe nisjes së punës për këtë proces.

gjyqI gjithë procesi i përzgjedhjes dhe ai i vetingutpër strukturat e mësipërme do të duhet të kryhet brenda tetë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të kushtetutës së re.

Për pjesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të thjeshtë në nivelet më të ultëa pas strukturave të mësipërme, procesi i vetingut do të kryhet gradualisht. Kjo do të thotë se gjyqtarët dhe prokurorët nëpër rrethe, kanë të paktën dy vjet kohë të qëndrojnë të qetë pa u prekur nga ethet e vetingut. Me sa duket ky përcaktim kohor i parashikuar në ndryshimet kushtetuese ka bërë që gjyqtarët e prokurorët ta marrin me qetësi procesin e reformës në drejtësi, ndoshta edhe me shpresën se “ku i dihet se çfarë ndodh dy vjet më vonë… janë edhe zgjedhjet”. Ky perceptim vjen tek 27.al, pas një vëzhgimi nëpër dyert e gjykatave e prokurorive, ku gjyqtarë e  prokurorë, thonë në mënyrë konfidenaciale “ka kohë edhe dy vjet, si dihet çfarë ndodh deri atëherë”.