Si u zhduk nga diktatura skulptura e heroit kombëtar Myslym Keta
Nga Drini Pilkati
Sapo kisha bërë një shkrim përkujtimor në gazetën “Tirana Observer“, mbi 50-vjetorin e vrasjes së dajës tim të paharruar, Heroit Kombëtar Myslym Keta. Siç është e zakonshme, çdo artikull diltë edhe online, por me që kryeredaktorin e kësaj gazetë, zotin Altin Sinanin e kam mik, këtë shkrim ai ma hodhi menjëherë në faqen time në Facebook. Nga miqtë e shumtë që kam, mora shume mesazhe ngushëllimi dhe falenderimi, për kujtimin e përvjetorit të këtij heroi popullor të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Me mesazhet e tyre, ata më sillnin edhe kujtimet e prindërve të tyre, që kishin luftuar dhe punuar së bashku me Lymin, duke më konfirmuar dhe dyshimet e tyre të hershme mbi humbjen e tij. Midis tyre ishte edhe Burhan Tabaku, një profesor matematike, me të cilin kishim punuar se bashku për shumë vite në rrethin e vështirë të Pukës. Bashkë me mesazhin e ngushëllimit dhe falënderimit për ketë shkrim përkujtimor, ai me dërgon edhe foton e një skulpture madhështore që ishte pikërisht ajo e dajës tim, Myslym Ketës, të cilën vëllai i tij, Besimi, e kishte realizuar që në vitin 1968.
Nuk kisha pasur asnjë informacion për këtë skulpturë dhe për ketë u gëzova pa masë, por së bashku me gëzimin, ishte e zakonshme që sytë e mi të fillonin edhe të lotonin.
Në mendjen time filluan të vinin kujtimet e asaj ditë (25 shkurt 1966), kur në shtëpinë time atë mëngjes erdhi gjeneral Abaz Fejzo, Komandant i Repartit të Tankeve, i cili pasi më përqafoi, më mori me vete poshtë pallatit. Familjet tona banonin në rrugën e Durrësit, pikërisht në pallatin e Merlikës. Abazi ishte me trup pak të shkurtër, por atë e plotësonte fare mire me energjinë e një ushtaraku. Poshtë priste një gaz i ri ushtarak, tip 69 dhe brenda në sediljen e dytë ishte ulur djali i vogël i dajës, Ceni. Unë isha akoma me lot në sy, pasi kisha humbur jo vetëm dajën, por edhe idhullin tim personal, ndërsa Cenin e pashë pak të tulatur. Dukej se nuk dinte gjë seç kishte ndodhur, nënkuptohet që nuk kishte mbushur ende 8 vjeç dhe reagimet e tij do të ishin të tilla. Ndërsa unë isha gati 12 vjeç, prandaj i dhashë forca vetes për tu përmbajtur. Fshiva menjëherë lotët dhe i vura dorën Cenit në qafë, si për ti dhënë kurajo, por me nënqeshjen e tij të zakonshme, ishte ai që dha kurajo mua. Si për çudi lotët e mi mbaruan, sikur të ishin mbyllur me ndonjë rubinetë dhe mbaj mend vetëm që nuk dija çfarë ti thoja. Shoferi filloj të na merrte me të mirë dhe na bëri disa xhiro nëpër Tiranë, pastaj na kthehu në shtëpitë tona. Me vonë mora vesh se kjo ishte koha kur në sheshin Skënderbej po bëhej ceremonia madhështore e varrimit të dajës. Kjo ishte arsyeja që unë nuk mora pjesë në varrimin e tij , por me pas nga njerëzit që kishin ardhur për ngushëllim, mora vesh se populli i Tiranës, qytetarë, fshatarë dhe malësorë nga e gjithë Shqipëria i kishin bërë dajës një varrim me të vërtetë madhështor dhe spontan.
Myslym Keta ishte për ta “Tribuni i Vegjëlisë“ pasi këto fjalë të arta të Nolit tingëllonin shume bukur edhe për këtë hero mbarëkombëtar. Diktatori Enver Hoxha nuk kishte dashur që homazhet të bëheshin në sallën e Kuvendit Popullor, siç i takonte atij, por me urdhrin e Abdyl Këllezit, që në atë kohe ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, homazhet u benë në sallën e madhe të saj. Edhe babai im ishte zëvendëskryetar i parë , prandaj i takonte atij dy herë të organizonte homazhet dhe varrimin, e para si kunati i tij dhe e dyta si bashkëtitullar i këtij institucioni. Trupin e Myslymit të pajetë e vendosen tek varrezat e Shtish Tufinës që kishte pak kohë që ishin inauguruar, në parcelën e parë buzë rrugës, ku më pas u bë edhe parcela e familjes Keta. Kjo pasi diktatori nuk kishte pranuar që Lymi të varrosej tek Varrezat e Dëshmorëve, me justifikimin se nuk kishte rënë në Luftë. Ky justifikim ishte shume qesharak, pasi Myslym Keta ishte konsideruar simbol i trimërisë shqiptare. Për pasojë të kesaj konsideratë në muajin prill të vitit 1947, ai ishte propozuar nga rinia antifashistë ballkanike, në kongresin e saj në Beograd, për titullin me të lartë që ekzistonte, atë të Heroit Kombëtar. Për nga kontributi ata kishin zgjedhur dy të rinj një nga Shqipëria dhe një nga Polonia dhe të dy se bashku vetë Tito i kishte ftuar në tribunën e këtij evenimenti. Dashje pa dashje, këtë në atë kohe nuk mund ta kundërshtonte Enver Hoxha dhe për pasojë ky propozim u bë realitet tre muaj më vonë. Kështu në 7 Korrik, në moshën 22-vjeçare, Myslym Keta u shpall nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë si i pari “Hero Kombëtar“ për së gjalli.
“Isha ndarë me dajën tre ditë para se ai të humbte jetën, e cila ishte dhe humbja me tragjike dhe e mistershme për familjen tonë. E kisha bërë zakon që mbasi të dilja nga shkolla tetëvjeçare Avni Rustemi, të kaloja njëherë me ndonjë shok nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore (ish-Lidhja e Shkrimtarëve) për të takuar dajën. E dija që rrinte shpesh aty me shokët e tij, prandaj kisha qejf që të mburresha pak me të edhe para shokëve të mi. Ishte gati fundi i pranverës dhe ishte e pazakonshme që pikërisht atë fund shkurti të bënte një kohë e bukur me diell, por ishte pikërisht fati im që atë ditë me takon të shoh dajën për herë të fundit. Ishte në mes të shokëve, para derës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe unë e dallova menjëherë që nga Kinema Republika, pasi ishte një kokë më i gjatë se shokët e tij. Trupi i tij i gjatë, hijeshontë nga kostumi i oficerit tankist, me xhaketën e gjatë jeshile të errët dhe pantallonat e çelura, i rrinte aq bukur në trup, sikur të ishte prodhuar apostafat për të. Në gjoks i ndriçonte një stemë në formë ylli me pesë cepa dhe sipër tij një shirit kuq e zi, e cila ishte stema e “Heroit Kombëtar“.
“Daja!”, – i them shokut dhe vrapoj për ta takuar dhe pas meje vrapon edhe shoku im. Sapo afrohem i thërras: “O daj!“
Kuptova që edhe ai më kishte parë, pasi diçka po u thoshte shokëve për mua dhe ata njëherësh e kthejnë kokën nga unë duke qeshur.
Pa nguruar, ai mu afrua duke me fërkuar kokën dhe duke qeshur më tha: “Çfar bon ti ktu mer daj, shko në shpi me honger drekë se osht bo vonë, kur të kthehet daja nga shërbimi do ta sjell stemën që m’ke kërku”.
Me thënë të drejtën, kisha kohë që e kisha bërë bozë me të, pasi sa herë që e takoja ia kërkoja atë stemë, por ai nuk mërzitej kurrë. Vonë pas vrasjes mora vesh se ajo ishte medalja e “Heroit Kombëtar“e cila për mua ishte bere një peng i vërtetë.
Foto e statujës së dajës, të cilën Burhani ma kishte dërguar në Facebook, ishte peshqeshi më i bukur dhe i shtrenjtë që ai mund të më kishte bërë. Ishte shume e çuditshme, që tamam në momentin që unë po e rikujtoja atë në librin tim, dajë Lymi m’u shfaq përsëri para meje i gjallë edhe mbas 50 vjetësh, por kësaj radhe si një kolos i vërtetë. Kjo për mua përbënte tashmë edhe një episod të ri dhe shumë të rëndësishëm, pasi do të më mbylltë edhe më bukur librin tim.
Isha në shtëpinë time në Itali dhe nuk po me zinte vendi deri sa të kthehesha në Tiranë. Isha në përfundim të librit, të cilin ia kisha dedikuar pikërisht dajës dhe babait tim dhe në të përmblidhja kujtimet e shokëve të tyre më të afërt dhe ato me sekretet, të cilat në periudhën e diktaturës nuk ishin thënë dhe shkruar asnjëherë. Me këtë mendim të ngulitur në mendje, pas pak kohe arrita në Tiranë. Duhej të takoja patjetër Burhanin dhe vëllain e tij, Besimin, pasi doja të dija gjithçka për skulpturën dhe fatin e saj. Burhani me kishte thënë se, bashkë me Besimin po mundoheshin të mblidhnin të gjitha veprat artistike të tij, midis tyre edhe skulpturën e heroit Myslym Keta. Për këtë vepër Besimi ishte mërzitur pa masë, pasi nuk e shihte prej shumë kohësh dhe kishte pasur gjithnjë dyshime që vepra e tij më e bukur, ishte zhdukur pa lenë gjurme nga diktatura komuniste.
Menjëherë të nesërmen mora në telefon Burhanin dhe pas dy ditësh u takuam të tre se bashku tek bari i Kompleksit Sportiv “Ali Demi“.
Mu duk shumë e çuditshme, që paralel me vrasjen e dajës edhe statuja e tij pas dy vitesh të kishte të njëjtin fat. Ishin dy mistere dhe midis tyre të parin pas shumë lodhjesh sot kam arritur ta zbardh, por ky i dyti më çorientoi fare. Kjo tregonte se sa poshtë kishte rënë diktatura komuniste dhe Enver Hoxha, i cili nuk ishte ngopur me eleminimin e tij, por kishte realizuar edhe planet për asgjësimin pa gjurmë të statujës se tij.
Besimi ishte një burrë shumë i mençur, i qetë, tamam një historian i vërtetë, pasi kishte punuar shume kohe edhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ai më tregonte me shumë interes, gjithçka që unë kërkoja të dija për historinë e skulpturës, duke më shpjeguar me durim edhe detajin më të vogël. U desh edhe një ditë tjetër për të plotësuar historinë e humbjes së kësaj skulpture nga diktatura komunistë.
Siç filloj të më tregonte Besim Tabaku:
“Në vitet 1958–62 mbarova Liceun Artistik dhe në vijim u paraqita në konkursin që organizohej për vazhdimin e studimeve të larta, atë të Arteve Figurative në Tiranë. Konkurrimin e mbarova me sukses dhe për ketë arsye, në vitin 1963 filloj studimet në vitin e pare të këtij instituti. Atëherë praktikë ne bënim në shkollën Mihal Grameno, në fund të rrugës me të njëjtin emër. Në këtë rruge banonte edhe heroi Myslym Keta, të cilin e njihja nga afër, pasi ishte shokë fëmijërie me daj Liun (Ali Kubatin) që ishte çun i xhajës i nonës time. Që në rinin e hershme, ata shoqëroheshin shumë shpesh bashkë, pasi Liu asokohe banonte në krahun tjetër të lumit të Lanës, (pas gjimnazit Ismail Qemali), e cila ndodhej rreth 300 metra në vijë ajrore nga shtëpia e nondajes së Lymit, ku ai kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij. Edhe gjatë Luftës u kishte takuar të luftonin përsëri bashkë, fillimisht në Batalionin e Dajtit, brigadën 3 të sulmuese dhe kompaninë e I-rë të saj, ku Lymi ishte komandant dhe Liu, komisar.
Këtë shoqëri ata e kanë ruajtur me rigorozitet edhe pas luftës dhe shtëpia e Liut ishte shtëpia e dytë për Lymin. Siç me tregonte baba, Lymi ishte i përditshëm në shtëpinë tonë dhe ishte bërë beniamini i të gjithëve, pasi në atë kohë ne jetonim të gjithë së bashku.
Kishte shumë raste që kur shkoja atëherë për në shkollë, të ndërrohesha shpesh rrugës me Lymin, kur ai çdo mëngjes nisej për në ministri. Më kishte magjepsur gjithmonë pamja e hijshme e këtij burri të gjatë, tamam një gjigant i vërtetë, i barabartë me famën e tij që kishte krijuar në Shqipëri dhe Ballkan. Daj Liu na kishte treguar për trimëritë e shumta dhe se e kishin dekoruar me titullin e lartë të “Heroit Kombëtare“. Megjithatë daj Liu më thoshte se ai ishte tepër i thjeshtë dhe modest me të gjithë dhe këtë e kisha provuar vetë kur kalonte në rrugën Mihal Grameno, pasi përshëndetej me të gjithë, pa dallim edhe me jevgjit e Tabakhones.
Rreth vitit 1965, e kam parë për here të fundit Lymin në ekspozitën e arteve figurative që ishte organizuar tek Pallati i Princeshave (sot godina e përndjekurve politikë). Aty ishte ekspozuar një bust i Heroit të Popullit Kajo Karafili dhe shumë punime të tjera me temë nga Lufta. Ishte aty që e pashë për herë të fundit Lymin, i cili po shihte me vëmendje skulpturën e Kajos dhe i pakënaqur po tundte kokën, duke i thënë shokëve të tij, se skulptura nuk i ngjante atij. Por ishte edhe momenti i pare që e pashë me vëmendje edhe nga afër dhe në veçanti tiparet e tij burrërore, të cilat mu ngulitën thellë në mendje. Në vitin 1967 mbarova Institutin e Arteve Figurative dhe fillova të bëja punët e para, por afirmimi në ketë fushë ishte shumë i vështirë, pasi në Tiranë kishte shumë skulptorë me famë, midis tyre Odhise Paskali, Hektor Dule, Kristaq Rama, Shaban Haderi dhe shumë të tjerë. Kisha pasur edhe fatin e madh të mbaroja një punë të Shaban Haderit (Heronjtë e Vigut) i cili në atë kohë ishte i sëmurë dhe pati shumë besim tek unë, që mund t’ia mbaroja me sukses.
Në vitin 1969, ishte ekspozita e parë që unë do të merrja pjesë dhe për këtë vajta në lidhjen e shkrimtarëve, për tu konsultuar për projektin e skulpturës që unë do të prezantoja aty. Ishte 25-vjetori i çlirimit dhe punimet duhet të ishin kryesisht nga lufta nacional–çlirimtare. Atje takova Foto Stamon, ish-sekretar i Lidhjes së Arteve Figurative. Pasi u konsultova me të për punën e ardhshme, ishte ai që më tha: “O Besim pse nuk bën heroin Myslym Keta, pasi e ke pasur edhe tirancin tënd dhe kam besim se ti do ta qash“.
Fjala e tij më ngrohu aq shumë, sa që sa hap e mbyll sytë, i dhashë menjëherë atij një përgjigje pozitive, duke i shtuar se:
“Lymi ka qenë shoku me i ngushtë i daj Liut (Ali Kubatit) dhe gjithë familjes tonë. I shpjegova atij se e njihja fare mirë çdo detaj të fizionomisë së tij, pasi e kam parë gati çdo ditë kur shkoja në vitin e pare të Institutit të Arteve figurative, pasi banonte pikërisht në atë rruge“.
Fjala e ime i bëri atij shumë përshtypje dhe pasi më rrahu shpatullat, Foto më tha: “Me këto që më the o Besim, kemi bindjen se ti do ta qash me të vërtetë statujën e Myslym Ketës, hajde suksese dhe më dha dorën për t’u ndarë”.
Sapo u largova, mendja me shkoi menjëherë tek viti 1965, kur e pashë herën e fundit shumë nga afër Myslym Ketën të gjallë, tek shihte portretin e ekspozuar të Kajo Karafilit. Kishte qenë i pakënaqur nga ngjashmëria me fytyrën që ai mbante mend. Kishte pasur të drejtë, pasi e kishte shok në njësitet guerrile, por kjo gjë nuk do të ngjante me mua, pasi unë e kisha akoma të gjallë në sytë e mia. Kisha qenë i frymëzuar për të bërë statujën e Myslym Ketës që në gjallëri, por nuk e pata mundësinë, ndërsa tani mbas vdekjes kisha bindjen e plotë se nuk me mungonte asgjë për ta realizuar ekzaktësisht. Për tu siguruar më shumë, u paraqita tek familja e tij, ku u takova me gruan. I thashë se jam nipi i Li Kubatit dhe ajo më vuri në dispozicion edhe shume foto të tij. Zgjodha midis tyre, ato foto që me interesonin, në këndvështrimin tim si skulptor. Vendosa ta bëj Lymin ushtarak, pasi ishte edhe 25-vjetori i krijimit të ushtrisë nacional-çlirimtare dhe shtabit të saj në konferencën e Labinotit.
Myslymi ishte tankist dhe duhet të realizoja një statuje të lartë dhe veshjen e posaçme, prandaj i mora edhe një xhup Edip Ohrit, komandantit të aviacionit , që ishte dhëndër i daj Liut. Xhupat e tyre ishin njëlloj me ato të tankistëve. Nuk kisha studio ku ta punoja, por ketë ma zgjodhi skulptori Shaban Haderi, i cili më vuri në dispozicion studion e tij. Mbarova modelimin, e derdha në allçi dhe si imitacion i dhashë ngjyrën e bronzit si dorën e fundit.
Të nesërmen në mëngjes e çova atë në sallën e Pallatit të Kulturës, në katin e parë, ku pas dy ditësh do të hapej ekspozita. Rreth skulpturës se Lymit kalonin shpesh punëtorët e ndriçimeve dhe unë i shihja që silleshin me kureshtje rreth saj, pasi isha duke e pastruar. Nuk ua merrte mendja që e kisha realizuar unë, pasi isha shumë i ri, por vetëm dëgjova fjalët që qarkullonin midis tyre: “Ky skulptori e paska qa Lymin, paska dalë më bukur se Enveri“.
Fjalët e punëtorëve të mirëmbajtjes ishin ato të popullit të thjeshtë, pasi Lymi për ta përfaqësonte tamam njeriun me popullor dhe ndjenja që u krijonte tyre ishte tjetër nga Enveri. Ishte e natyrshme që komplimentet e tyre ma bënë shumë qejfin, por e lashë me aq, pasi nuk doja që ta dinin se e kisha realizuar unë.
Në kolonën tjetër të ekspozitës, përkrah saj, ishte vendosur skulptura e Enver Hoxhës, të cilën e kishte realizuar shume bukur edhe Odhise Paskali. Ishte i veshur me uniformen partizane, që kishte pasur në konferencën e Labinotit. Pas pak erdhi komisioni i vlerësimit artistik, me kryetar Kristaq Ramën, i cili ishte në atë kohë autoriteti me i lartë shtetëror në këtë fushë. Vetë Kristaqi më thotë se:
“E paske qarë me të vërtetë Lymin dhe kjo është një vepër për medalje“.
Më pas komisioni u largua duke me bërë komplimentat e tyre.
Përveç komisionit artistik, punimet tona në ekspozita duhet të vlerësoheshin nga një komision tjetër, por kësaj radhe, politik. Zakonisht këtë e bëntë një udhëheqës i lartë i shtetit dhe në rastin tonë Beqir Balluku, i cili atë kohe ishte Ministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Byrosë Politike .
Atë paradite dola nga salla shumë i kënaqur dhe i bindur nga vlerësimet e njerëzve me kompetent në këtë fushë. Ishte puna ime e parë zyrtare, e cilado të kishte aprovimin e gjerë të publikut dhe udhëheqësve të lartë. Mbasdite vonë shkoi të takoj Foton, i cili deshi nuk deshi me gjysëm zëri më tregoi të vërtetën:
“Ka ngelur një mundësi e vetme për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, vetëm pasi ta presësh statujën e Lymit në Torst (Bust), por ti bëj si të duash“.
Statujat e Enverit dhe Myslymit, ishin gati njëlloj të larta, rreth 2. 20 cm dhe siç me tregoi Foto, pasi i kishte parë nga afer, Beqiri ishte shprehur se: “Të dy statujat janë realizuar bukur, por komandanti i luftës ka qenë vetëm një, Enver Hoxha dhe ne nuk duam që populli të ngatërrohet për këtë. Prandaj statuja e Lymit duhet të pritet si bust, që të mund të ekspozohet këtu.“
Kaq kishte thënë dhe kishte dalë nga salla pak si i skuqur nga fytyra.
Edhe Kristaqi i kishte thënë Fotos se: “Ishte hera e parë që një vepër kaq e realizuar dhe e pëlqyer nga komisioni, mund të mos prezantohej në ketë ekspozitë“.
E kuptova që Foto ishte i imponuar për këtë propozim, pasi nuk është e mundur që një skulptor kaq i njohur ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë nuk munda ti them me asgjë, sepse fjalët më ngelën në grykë. U skuqa i tëri dhe ndjeva që nga sytë me dolën vetëm lotë. Gjithçka filloj të më rrotullohej përreth, vetëm se mbaj mend që dola i hutuar nga salla e ekspozicionit dhe shkova direkt në shtëpi.
Atë mbrëmje ketë ngjarje ja tregova gjithë familjes, e cila bëri çmos që unë të qetësohesha. Të nesërmen që në mëngjes baba më tha se kishte shkuar të bisedonte me Daj Liun për këtë dhe se ai i kishte thënë se: “Burrat nuk shkojnë në këtë ekspozitë“ . Dhe unë të njëjtën gje bera.
Pasi mbaroi ekspozita takova shokët e kursit, ishin ata që me konfirmuan se në krah të statujës se Enver Hoxhës nuk ishte më statuja e Myslym Ketës dhe kjo nuk më habiti. Në vend të saj ishte vendosur një statuje njëlloj e lartë e një piloti anonim, të cilën e kishtë realizuar shumë bukur skulptori Andrea Mano. Ata më dhanë edhe foton e mëposhtme nga ekspozita, të cilin e kishin hequr nga stenda që ishte afishuar në institutin e artëve“.
Ditën e Ekspozitës në sallën e pallatit të kulturës kishte ardhur vetë Enver Hoxha, së bashku me udhëheqësit e tjerë të lartë, si Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu. Kishin ndalur më shumë tek statuja e pilotit anonim, si për modesti dhe për të treguar që i pëlqente më shumë, siç shihet edhe në foto. Më pas ata i ishin afruar statujës së Enver Hoxhës që kishte realizuar shumë bukur Odhise Paskali, i cili prej saj mori edhe çmimin e Republikës.
Siç i kishin treguar shokët, Enveri e kishte kontrolluar me shumë rreptësi skulpturën e vet dhe se fundi kishte ngelur i kënaqur. Por me i kënaquri në këtë revistë qeveritare kishte qenë Beqir Balluku, i cili kishte pasur aftësinë që të largonte me kohë statujën e Myslym Ketës nga ekspozita. Me këtë veprim, kishte evituar dëshpërimin e Enver Hoxhës, pasi statuja e Myslym Ketës tashmë për atë nuk kishte më asnjë rëndësi, pasi ishte i vdekur, madje ishte tradhtuar pikërisht prej tyre që dy vjet më parë. Tashmë Beqiri flinte i qetë dhe i bindur, pasi përfundimisht sipas tij, populli nuk do të kishte më as më të voglin dyshim, se udhëheqësi i vetëm i luftës nacional-çlirimtare kishte qenë vetëm Enver Hoxha.
Kjo ishte gjeja me qesharake që kam parë dhe dëgjuar deri sot dhe nuk mund të ishte ndonjë argument për të eliminuar veprën artistike të Besimit. Madje, kjo shtonte edhe me shumë dyshimet për eleminimin misterioz të Lymit.
Me gjithë mundin, djersen dhe talentin e këtij artisti të ri, vepra e tij e pare nuk kishte hyre në diskutimin e shtypit të kohës edhe pse ajo ishte konsideruar më e realizuara nga komisioni i vlerësimit artistik. Ky inskenim i shëmtuar nuk mund ti humbte rëndësinë dhe popullaritetin një heroi popullor, por ishte vetëm dëmi më i madh që mund ti bëhet një krijuesi të ri. Në një ekspozitë kaq të rëndësishme, vepra e tij nuk e kishte fituar qytetarinë e Tiranës.
Siç vazhdon të më tregojë Besimi:
“Të pasnesërmen e asaj ditë shkoj në Institutin e arteve figurative, ku rastësisht në sallon ndërrohem me Kristaq Ramën, i cili ato kohe jepte edhe leksione.
Sapo u afruam ballë për ballë, ai me mori mënjanë, duke me thënë se me zë të ulët se: “Qenke djalë me karakter“.
Mu dukën shume të guximshme dhe të çuditshme këto fjale, të cilat me dhanë më shumë kurajo, pasi Kristaqi përveç një artisti tepër të njohur, në atë kohë ishte autoriteti me i lartë shtetëror në ketë fushë, por edhe nënkryetar i Kuvendit Popullor.
Fjalët e tij me dhanë aq kurajo saqë fillova ta pyes atë se: “Ku ndodhet tani statuja e Myslym Ketës dhe çfarë do të behet me të“.
Por ai duke qeshur m’u përgjigj se: “Mos ki merak se është njëlloj siç e ke lënë, por je me fat, se puna jote nuk shkoi kot, pasi ia kemi shitur shtrenjtë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila e ka blerë për ta vendosur tek reparti i Tankeve në Zall-Herr“.
Fjalët e fundit të Kristaqit ma ngrohën shumë zemrën, pasi më liruan nga një ankth kaq i madh.
Siç e kuptova mbas gjithë ketyre veprimeve të shëmtuara për shokun e tij të luftës, koshienca e kishte thirrur Beqirin, për të justifikuar fajin e bërë më parë. Edhe kur e kishin vendosur statujën në repartin e Tankeve, si realizues i kësaj vepre, mua nuk më kishin thirrur për të marrë pjesë. E kishin vlerësuar 2500 lekë të reja, të cilat për mua ishin shumë në atë kohë, por në krahasim me djersën dhe emocionet e mia, ato nuk patën vlerën e duhur. Fakti ishte se ato para i prisha për pak kohë, për të blerë rroba dhe mu dukën sikur i bëra rrush e kumbulla. I vetmi mendim që më vinte në mendje ishte statuja e Myslym Ketës, e cila tashmë nuk ishte me e imja. Ishte mbyllur në një vend që ishte e vështirë të hyje edhe pse isha autori i saj, aq më tepër për popullin e thjeshtë” .
Siç përfundon të më tregojë Besimi: “Meqë unë e kisha mbajtur qëndrimin tim, kjo më bënte të dyshoja në jetëgjatësinë e punës time. Të njëjtin dyshim kisha edhe për ekzistencën e statujës së Myslym Ketës, aq me tepër mbas viteve 1980, kur u dënua grupi i Tiranës, ku daje Liu dhe vëllai i tij, daj Bibi (Ibrahim Kubati) ishin pjese e tij. Kisha gjithmonë dyshim për ekzistencën e statujës së Myslym Ketës, por nuk e kisha mundësinë ta vërtetoja, pasi ishte e pamundur të hyjë në këtë repart.
Kjo ishte e vërtetë, pasi statuja e Myslym Ketës ishte zhdukur pa lënë asnjë gjurmë dhe së bashku me të edhe kryevepra ime. Këtë e vërtetova,kur shkova të kontrolloj tek reparti i tankeve kohët e fundit, por ende nuk më lanë të hyjë brenda. Për këtë pyeta punëtorët që po dilnin nga Reparti, të cilën më konfirmuan dyshimin tim për statujën e Lymit, duke më thënë se nuk ishte aty dhe nuk e kishin parë asnjëherë“.
Përveç një varri në Shtish Tufinë, i cili është rrethuar në mënyrë barbare nga fshatarë të pandërgjegjshëm, sot ekziston vetëm një përkujtimore për Heroin Kombëtar Myslym Ketën, të cilën vetëm populli i Pukës ia dedikoj këtij Heroi.
Edhe ketë foto ma ka dhënë Burhan Tabaku, të cilën e kishte fotografuar në Rrape të Pukës, ku humbi sipas diktaturës komuniste humbi jetën Myslym Keta. Kjo përmendore pati mundësinë ti shpëtojë barbarizmave të periudhës se “demokracisë“ vetëm pse ndodhej në këtë fshat, në të cilin gjatë luftës ishte bërë beteja më e madhe me gjermanët. Disa barbarë i kishin vjedhur dhe shitur për hekur edhe zinxhirët e një tanku, të cilat ishin vendosur aty në shenjë simbolike nga shokët e tij. Lapidari rrezikonte të humbtë përfundimisht. Vetëm në sajë të një mikut tim, Mehmet Kadana, banor i këtij fshati, për mungesë fondesh lapidari është restauruar pjesërisht,sa për të mbetur akoma i gjallë. Këtë ai e kishte bërë për nder të këtij “Heroi“ të madh, timin dhe djalit të tij, Hysen Keta, i cili gjatë diktaturës komunistë i kishte shpëtuar edhe të vëllanë nga burgu. Kjo është një forme mirënjohje e shoqërisë dhe popullit të Pukës edhe për mua, i cili me respektonte pa masë si nipi i Myslym Ketës edhe pse babai im Sabri Pilkati ishte i burgosur politik nga diktatura komunistr. Më kujtohet që edhe një rapsod popullor i këtij rrethi malor, i quajtur Frrok Haxhia, i kishte dedikuar edhe një këngë Myslym Ketës. Ky është një borxh moral që Mehmet Kadana, Frrok Haxhia dhe i gjithë populli i këtij qyteti më ka vënë para koshiencës time, por shpresoj gjithmonë që të kem mundësinë t’ua rikthej, së paku me shkrimet e mia përkujtimore.