Turizmi rilindas dhe lluca e kuqe e Vlorës
Denion Meidani
U bënë praktikisht 3 vjet dhe Rilindja nuk ka bërë asgjë të qënësishme për të zhvilluar dhe stimuluar turizmin. Madje, në mjaft raste, ka bërë të kundërtën si në rastin e të famshmes “lungomare”, e cila, me nxitimin në shkatërrim, formën e gabuar dhe shtrirjen e saj kohore në ndërtim të pajustifikueshme, e ka dëmtuar rëndë turizmin në zonën e Vlorës, por dhe në plazhet jugperëndimore të vendit!
Turistët falë kësaj shpikje rilindase detyrohen të qëndrojnë orë të gjata dhe torturuese në makina për të shkuar apo për t’u kthyer nga destinacionet e mrekullueshme natyrore të jugut tonë. Ndërsa, qytetarët e Vlorës apo turistët, qe kanë qëndruar në Vlorë, duhet ta bëjnë plazhin te lluca e saj e kuqe, te gropat e dragat ndërtimore, në pamundësi zhvendosjeje për të lëvizur dhe zbritur më poshtë në bregdetin e Jonit.
Në menyrë të natyrshme lindin pyetjet: A është kjo thjesht një paaftësi planifikimi dhe ekzekutimi? Mos bëhet fjalë këtu për një abuzim tipik të kësaj qeverisje dhe përafrimeve korruptive të saj? Apo, një gjë e tillë ishte thjesht e pamenduar dhe nxituar duke mos marrë parasysh mungesë parash për të kryer në kohë ndërhyrje të këtij lloji? Apo, më keq, a mos është kjo thjesht një mungesë përgjegjshmërie qeverisëse për njerëzit dhe kohën e tyre!? Apo, akoma, mos është vallë ky një sabotim i mirëmenduar i turizmit tonë?!
Mbase të gjitha bashkë! Pak po e sigurtë edhe këtë herë “fajin e ka Saliu”!