Volteri: Gruaja e rrahur
Prozë/Në vëllimin e dytë të veprës së Vilson Blloshmit – pushkatuar nga diktatura – përfshihen përkthimet e tij në prozë, novelat e Volterit, “Zadig”, një ese nga Viktor Hygoi, “Në ditën e nisjes sime”, një përmbledhje e dramës “Hernani” dhe një fragment i shkurtër nga romani “Një hero i kohës sonë” i Lermontovit – përkthime që vijnë nga gjuha frënge, të cilat botohen për herë të parë në lëndën e këtij vëllimi. Më poshtë botojmë një skicë të shkëputur nga “Zadig” i Volterit
Zadigu e gjente drejtimin e rrugës me anë të yjeve. Yllësia e Orionit dhe ylli i shkëlqyer i Siriusit po e çonin drejt portit të Kanopës. Mahnitej nga këta rruzuj të mëdhenj drite që nuk duken veç si ca shkëndija të dobëta për sytë tanë, ndërsa toka, që në të vërtetë nuk është veç një pikëz e pakapshme në natyre, i shfaqet lakmisë sonë si një gjë kaq e stërmadhe dhe kaq bujare. I përfytyroi atëherë njerëzit ashtu siç ishin në të vërtetë: disa insekte që gllabërojnë njëri-tjetrin mbi një thërrmizë të vogël balte. Ky ndriçim vërtetësie duket se ia dëboi pezmin dhe ia bëri fare të qartë si në pëllëmbë të dorës hiçin e qenies së tij dhe atë të Babilonisë. Shpirti i tij u vërsul drejt pafundësisë dhe sodiste, i shkëputur nga trupi, rregullin e pandryshueshëm të rruzullimit. Kur, më pas, vinte në vete dhe hynte në zemrën e tij, kujtohej që Astarteja ndoshta kishte vdekur për shkak të tij, atëherë rruzullimi i fshihej nga sytë dhe në tërësinë e natyrës nuk shihte gjë tjetër veç Astarten e vdekur dhe Zadigun e nxirosur në një zi pa kthim.
Kështu, nën pushtetin e këtyre baticave dhe zbaticave të filozofisë sublime dhe të ligështimeve dërrmuese, po u afrohej kufijve të’ Egjiptit. Shërbëtori i tij besnik tani po hynte në fshatin e parë, po kërkonte t’i gjente një banesë.
Ndërkohë Zadigu shëtiste kopshteve që kufizonin atë fshat. Ai pa, jo larg nga rruga e madhe, një grua të përlotur që thërriste në ndihmë qiell e tokë bashkë dhe një burrë të tërbuar që e ndiqte e nuk i ndahej. Ai e kapi, ajo ia përqafoi gjunjët në lutje. Burri e shembi në tokë me grushte, me sharje e me qortime të rënda. Zadigu gjykoi nga xhindosja e egjiptianit dhe nga lutjet e përsëritura të gruas, që burri ishte xheloz dhe tjetra një grua bishtdredhur. Por, kur vërejti bukurinë mallëngjyese të kësaj gruaje, diktoi madje që ngjante pak dhe me te gjorën
Astarte, ndjeu mëshirë për të dhe neveri për egjiptianin. “Ndihmomëni, – i thirri ajo me klithma e me dënesa Zadigut, – nxirrmëni nga thonjtë e njeriut më barbar mes njerëzve. Po më vret, shpëtomëni jetën!” Këto klithma ia këputën shpirtin Zadigut, vrapoi dhe u hodh mes saj dhe barbarit. E njihte pak gjuhën egjiptiane dhe i tha atij në këtë gjuhë: “Në qoftë se ju keni sadopak dhembshuri, ju lutem që të respektoni bukurinë dhe dobësinë. Si mund ta poshtëroni kështu një kryevepër të natyrës që ju ka rënë ndër këmbë dhe që s’ka mjet tjetër për t’u mbrojtur veç lotëve?” “Ah! Ah! – tha i shkalluar fare egjiptiani, – edhe ti e dashke? Ti qenke ai ndaj të cilit unë dua të hakmerrem?” Me të thënë këto fjalë, e flaku tej gruan që e kish mbërthyer me njërën dorë për flokësh, rrembeu ushtën dhe desh e çau tej për tej të huajin. Ky, i fundit, me gjakftohtësi e shmangu lehtësisht goditjen e të ndërkryerit. Ia kapi ushtën pranë majës së mprehtë prej hekuri. Njëri e tërhiqte andej, tjetri këndej. Ajo u thye në duart e tyre. Egjiptiani nxori shpatën. Zadigu të vetën dhe iu vërsulën njëri-tjetrit. Ai me gulç po i jepte njëqind goditje radhazi, tjetri iu shmangej me artin e shkathtësisë. Zonja, ulur mbi lëndinë, rregullonte flokët dhe kënaqej.
Egjiptiani ishte më i fortë se kundërshtari, Zadigu më finok; ky luftonte si njeriu që koka ia urdhëron krahët, tjetri, i çakërdisur krejt, inati i verbër ia tallaziste lëvizjet kuturu. Zadigu u sul mbi të dhe e çarmatosi; ndërkohë që egjiptiani, me sytë gjak e tym, deshi t’i hidhej përsipër, ai e kapi për mesi, e shtrëngoi, e përplasi në tokë, duke i vënë shpatën në fyt. U tërhoq, deshi t’ia falë jetën, por egjiptiani, nën një pezëm aq të rëndë sa nuk e donte më veten, nxori thikën dhe e plagosi Zadigun. Zadigu, i prekur në sedër, ia nguli shpatën në gjoks. Egjiptiani lëshoi një klithmë rrëqethëse dhe vdiq duke përpjekur këmbët.
Zadigu atëherë shkoi tek zonja dhe i tha asaj me zë të shtruar! “Ai më detyroi ta vras, unë ta mora hakun. Tani je e çliruar nga burri më i ashpër që më kanë parë sytë. Çfarë doni më nga unë, zonjë?” “Që të vdesësh, more kobzi, – iu përgjigj ajo, – që të vdesësh; ti më vrave dashnorin; të ta grija dot zemrën copë e çikë, këtë dua unë tani nga ti”. “Në të vërtetë, moj zonjë, ju kishit për dashnor atë farësoj burri, – ju përgjigj Zadigu, – që jua bënte kurrizin më të butë se barkun, sa herë të donte. Edhe mua deshi t’më vrasë. Ju m’u lutët që t’ju ndihmoj”. “Ta kisha, pa le t’më rrihte sa të donte, – tha zonja dhe vuri ulërimën. – ku ta gjej, që të më rrahë përsëri! Ashtu i do mushka drutë. Unë i jepja shkak, që të bëhej xheloz. Ti vdeksh e djalli ta marrtë shpirtin!”
Zadigu, më i habitur e më i inatosur se kurrë ndonjëherë tjetër në jetën e tij, i tha: “Zonjë, sado e bukur që jeni, e keni hak që dhe unë t’ju shqep në hu si ai. Kaq tuhafe dhe e paturp qenkeni. Por nuk do ta marr fare atë mundim që të vë dorë mbi ty”. I hipi prapë devesë së vet dhe u nis drejt qytetit të vogël. Nuk kishte bërë veç disa hapa, kur ktheu kokën nga zhurma që bënin katër korrierë që dukej se po vinin prej Babilonisë. Ata vraponin me sa fuqi kishin. Njëri nga ata, duke parë gruan, thirri: “Ja tek është. Është vetë ajo, ngjan si një me një me portretin që na dhanë atje”. Nuk ia hodhën as sytë të vdekurit, rrëmbyen menjëherë zonjën. Ajo nuk pushonte së thirruri: “Shpëtomë edhe një herë, o shpirtbujar, o jabanxhi! Të kërkoj të falur, të shava kot, jam ankuar kot nga ti. Ndihmomë, dhe do të jem jotja deri në varr”. Zadigut nuk ia kishte qejfi te luftonte prapë për atë.
“Gjej të tjerë! – iu përgjigj, – u ngopa, nuk ma dredh dot prapë, moj bukuroshkë…
Veç kësaj, ai ishte i plagosur, gjaku i rridhte, kishte nevojë për ndihme dhe pamja e katër babilonasve, me sa duket, të dërguar nga mbreti Maobdar, i shtinë dridhmat.
Shpejtoi drejt fshatit duke mos e marrë me mend, përse katër korrierët e Babilonisë erdhën dhe e morën egjiptianen; po aq, në mos më shumë, ishte i habitur dhe me karakterin e asaj gruaje.