Albspirit

Media/News/Publishing

Baleti Balshoi qe “një bordello gjigante”

Ish-balerina rrëfen se si u kërkohej të kalonin natën me oligarkët e vendit

Anastasia VolochkovaTeatri i famshëm i baletit Balshoi i Moskës u zhyt në një skandal tjetër kur një ish-balerinë deklaroi se vajzat detyroheshin të flinin me bamirësit e pasur nën kërcënimin e fundit të karrierës. Anastasia Volochkova e akuzoi drejtorin e përgjithshëm të teatrit se e ka kthyer kompaninë në një “bordello gjigante”. Volochkova, e cila ka arritur sukses në spektakle televizive, u pushua nga puna nga Balshoi, pasi u konsiderua tepër e shëndoshë. Drejtori i përgjithshëm, Anatoly Iksanov, i hodhi poshtë akuzat si “e folur përçart”. Volochkova i bëri akuzat gjatë një emisioni televiziv të dielën dhe i përsëriti ato më vonë në intervista radiofonike. “Ajo ndodhte përgjithësisht me korpusin e balerinave, por edhe me solistet”, tha ajo. “Dhjetë vjet më parë, kur unë isha balerinë në teatër, në mënyrë të përsëritur mora propozime për të ndarë krevatin me oligarkët. Vajzat detyroheshin të shkonin nëpër festa të mëdha dhe paralajmëroheshin paraprakisht se në fund do të duhej të shkonin në krevat dhe të bënin seks”, akuzoi ajo. “Kur vajzat pyesnin: ‘Çfarë do të ndodhë nëse refuzoj?’, atyre u thuhej se mund të mos merrnin pjesë në një turne e madje edhe teatri mund të mbyllte dyert për to përgjithmonë. E imagjinon dot?” Akuzat iu paraqitën Iksanobit në një konferencë për shtyp dhe ai tha: “Unë nuk komentoj mbi baltosje dhe përçartje”. Kjo është e fundit në një seri skandalesh përreth teatrit rus të famshëm në të gjithë botën, ku sherret e brendshme janë shumë të ashpra. Një nga balerinët kryesorë, Pavel Dmitrichenko, është aktualisht nën akuzë se ka porositur një sulm me acid kundër drejtorit Sergei Filin në janar. Shikimi i Flin u dëmtua dhe ai pësoi djegie të rënda në fytyrë kur acidi sulfurik iu hodh në çastin që po dilte nga shtëpia në qendër të Moskës. Rreth 300 anëtarë të stafit në teatër javën e kaluar nënshkruan një peticion për Presidentin Vladimir Putin duke thënë se ata besonin se Dmitrichenko nuk qe në gjendje të porosisë një sulm të tillë dhe duke sugjeruar që ai qe i detyruar të pranojë akuzën. Volochkova u pushua nga puna dhe Iksanov tha se ajo qe tepër e gjatë dhe e rëndë për t’u ngritur në ajër nga një balerin mashkull. Ajo fitoi një betejë ligjore, por karriera e saj në teatër nuk u rikuperua kurrë. Që nga ajo kohë ajo është angazhuar në politikën e opozitës dhe ka arritur sukses në spektakle televizive, ndërsa jeta e saj private është shfaqur shpesh në revistat e thashethemeve të Rusisë.

Please follow and like us: