ÇFARË NGJYRE ËSHTË DIELLI?
Përgjigjja e kësaj pyetje mund të jetë e qartë për këdo që ka parë diellin gjatë ditës apo në çastin e perëndimit, i cili mund të shprehet se dielli është i verdhë. Shkencëtarët do ta quanin të gabuar këtë përgjigje, pasi përgjigjja e saktë është: “Dielli është i bardhë”. Këtë zbulim do të mund ta bënit edhe vetë, nëse do kishit mundësi të shkonit në hapësirë dhe ta vështronit diellin pa u verbuar. Përmes një prizmi, mund të shihet shumë qartë se drita e diellit ndahet në spektrin e ngjyrës së kuqe, portokalli, të verdhë, të gjelbër, blu, blu të errët dhe vjollcë. Nëse këto ngjyra përzihen së bashku, përfitohet e bardha. Shumica e fotoneve që vijnë në tokë nga dielli, janë në nuancat e ngjyrës së gjelbër të spektrit. Dielli na shfaqet i verdhë për shkak të atmosferës. Fotonet në fundin e sipërm të spektrit ku përfshihen bluja, bluja e errët dhe vjollca kanë prirjen të shpërhapen, ndërsa ngjyrat si e kuqja, portokallia dhe e verdha janë pak më të qëndrueshme. Kur dielli është pranë horizontit, ai shpërfytyrohet prej atmosferës së Tokës, që largon fotonet blu dhe e bën të duket i kuq. Nëse ajri është i ndotur dhe ka smog, dielli duket akoma më i kuq. Kur dielli është lart në qiell, ku ka më pak ndikim nga atmosfera, ai do të duket më blu. I parë nga hapësira, me një temperaturë prej 5800 Kelvin, dielli zbulon ngjyrën e tij të vërtetë që është e bardha.