Albspirit

Media/News/Publishing

Doda: Nga ‘Vettingu’ të përjashtohen jo vetëm ish-sigurimsat

mesila-dodaDeputetja e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda në fjalën e saj në seancën plenare në emër të grupit parlamentar të PDIU lidhur me reformën në drejtësi, akuzoi klasën politike se po përpiqet të shfrytëzojë reformën në drejtësi për të arritur në kolltukët e pushtetit.

Sipas Dodës, përkundër konsensusit absolut të arritur më 21 korrik, që duket se do të ngjallte një frymë të re politike, asgjë nuk ka rilindur, pasi sipas saj, një sistem i kapur nuk mund të rilindë.

“U duk sikur ato 140 vota për reformën do të ngjallnin një frynë të re në politikë. Por për fat të keq, sot jeni në të njëjtën ditë halli, asgjë nuk ka rilindur. Një sistem i kapur nuk mund të rilindë. PDIU nuk kishte asnjë dyshim për votën e saj pro për reformën në drejtësi. PDIU nuk ka bërë asnjë kushtëzim për reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi, së bashku me paketën ligjore nuk mund të ndërrohen për kolltukun e askujt. Besojmë se me ndihmën e partnerëve tanë mund t’ia dalim të injektojmë drejtësi”, tha Doda.

Doda, në emër të PDIU shprehu kënaqësinë që në ‘Vetting’ u fut kërkesa e PDIU për përjashtimin e ish- bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, por shtoi se kjo nuk mjafton. Sipas Dodës, jo vetëm nga ‘Vettingu’, por nga prokuroria, nga të gjitha shkallët e gjykatës dhe nga administrata duhet të përjashtohen apo të dorëhiqen të gjithë ish-hetuesit dhe ish-prokurorët e diktaturës.

“Jemi të kënaqur që në vetting u fut kërkesa jonë për përjashtimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Por ata nuk duhen përjashtuar vetëm në vetting, por edhe nga prokuroria, edhe në shkallët e gjykatave, nga karriera, nga administrata. I ftoj publikisht këta njerëz të japin dorëheqjen. Hapni dosjet në politikë, media, administratë”, tha Doda.

Please follow and like us: