Fotografohet “topless”, Sampaio nxjerr dufin ndaj paparacëve
Nuk e ka pritur mirë shfaqjen e saj “topless” nëpër kopertinat e revistave “gossip”, sigurisht pa dijeninë e saj, ndaj dhe irritimin e ka shprehur në rrjetin social “Facebook”.
Supermodelja e “Victoria’s Secret”, Sara Sampaio ka shkruar thuajse një letër në llogarinë e saj, ku të shënjestruarit janë pikërisht paparacët, të cilët javën e kaluar e kishin fotografuar fshehurazi, teksa bënte banjo dielli mbi një jaht në Saint Tropez.
Portugezja 25-vjeçare ka bërë të ditur se ka mbetur e shokuar teksa ka parë imazhet e saj, e madje ka deklaruar se ndihet sikur të ishte “dhunuar”.
“U drejtohem paparacëve dhe kryeredaktorëve të revistave, që kanë publikuar këto foto. Si do të ndiheshit nëse një ditë do të zgjoheshit dhe do të gjenit foton e vajzës suaj 25-vjeçare topless në internet? Vajza juaj nuk ka qenë duke bërë ndonjë gjë të keqe, thjesht ka dashur të marrë rreze dielli në një vend privat”, shkruan ndër të tjera Sampaio.
E duke specifikuar me siguri të plotë se imazhet e saj ishin shkrepur nga një teleobjektiv, pasi paparacët nuk mund të ndodheshin edhe aq pranë jahtit ku po kalonte pushimet, modelja ka shkruar:
“Disa prej jush mund të thonë se unë jam një figurë publike dhe se të tilla gjëra janë edhe pjesë e punës sime. Të tjerë mund të thonë se duhet të mësohem teksa fotografohem me rroba banjoje. Është e vërtetë që fotografia është pjesë e punës sime, por unë duhet të jap gjithmonë miratimin për publikimin e imazhit të trupit tim në çfarëdolloj reviste. Ekziston një jetë profesionale dhe një jetë private, ndaj dhe në këtë të dytën, ashtu sikurse të gjithë ju që punoni diku, duhet respektuar privatësia. Çfarë lloj shoqërie është kjo, ku njerëz të caktuar paguhen për të spiunuar dikë? Jam ndierë si një femër e dhunuar”.
Megjithatë, në fund modelja e pranon se “ndihet krenare për trupin e saj”. “E di që nuk jam perfekte, por punoj fort për ta mbajtur trupin në formë dhe jam e lumtur me fizikun tim. Ndaj dhe dua t’u kërkoj kryeredaktorëve të ndalen së financuari këta fotografë të paskrupuj”.