Albspirit

Media/News/Publishing

I mbyllur në ambasadë për 15 vjet

Kardinali Mindszenty u “burgos” në Ambasadën Amerikane në Budapest gjatë Luftës së Ftohtë

Themeluesi i Wikileaks Julian Assange tha së fundmi se ai mund të qëndrojë në ambasadën e Ekuadorit në Londër për maksimumi një vit, por kjo gjë nuk do ta bëjë atë të thyejë ndonjë rekord për shkak se një rekord për strehim në ambasadë, aktualisht e mban një kardinal i Hungarisë, i cili qëndroi plot 15 vjet në Ambasadën e SHBA-ve në Budapest.

Drama e Luftës së Ftohtë filloi në një mëngjes të ftohtë të 4 nëntorit 1956. Një kryengritje antikomuniste qe duke u zhvilluar, por kreu i Kishës Katolike në Hungari, Kardinali Jozsef Mindszenty, sapo pati mësuar për mbërritjen e trupave sovjetike në qytet për ta shtypur kryengritjen. Ai duhej të zgjidhte mes arratisë dhe burgut.

Kardinali qe burgosur nga autoritetet pro-naziste të Hungarisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qe bërë një kritik i ashpër i qeverisë komuniste të pasluftës. Si pasojë, ai kaloi tetë vjet në burg nën akuzën për tradhti. Ai qe liruar vetëm pak ditë më parë nga forcat antiqeveritare që qenë angazhuar në kryengritje.

Rrjedhimisht vendosi të arratiset.

Jo shumë larg nga shtëpia e tij, te legata e SHBA-ve, oficeri i trupës së marinsave të SHBA-së Gerald Bolick po përfundonte kontrollin e mëngjesit, kur pa jashtë dritares katër njerëz që po afroheshin. Dy kishin uniforma ushtarake dhe dy të tjerë rroba prifti.

“E pashë që njëri prej tyre qe Kardinali Mindszenty,” thotë ai. “Vrapova të flas me komandantin e trupës dhe i thashë: ‘Kardinali është rrugës për te legata jonë, çfarë duhet të bëj?’ Ai tha: “Bëj detyrën tënde.” Kështu unë vrapova menjëherë, kapërceva shkallët nga tre dhe hapa derën.”

Pothuajse në të njëjtën kohë, legata mori një mesazh të koduar nga Uashingtoni: “Nëse Kardinali vjen te ju, jepini atij strehë.” Por për Bolick dhe skuadrën e vogël të marinsave përgjegjës për mbrojtjen e legatës, kishte një problem të ri.

“Sovjetikët deklaruan në radio se po vinin te legata jonë për të arrestuar Kardinalin dhe se kjo gjë do të ndodhte në mesditë”.

Brenda legatës, Bolick dhe marinsat e tjerë u përgatitën për një sulm, duke grumbulluar të gjitha armët që kishin. “Ne nuk kishim ndër mend ta dorëzonim pa luftë,” – thotë ai.

“Vetëm se kushdo që kishte menduar të arrestonte Kardinalin brenda në legatë duhet të ketë qenë budalla.”

Pas disa orëve të tensionuara, u bë e qartë se sovjetikët nuk kishin në plan të sulmonin ambasadën. Por ndërkohë kryengritja u mposht me gjak. Komunistët, të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik, rifituan pushtetin dhe mijëra vetë u burgosën.

Brenda legatës, Kardinalit iu dha zyra e shefit të misionit. Ai qe një ambient me dy dhoma, një e madhe dhe një e vogël, si dhe kishte banjën personale. Vetë legata qe një ndërtesë pesëkatëshe me tarracë, në cep të një bulevardi në qendër të Budapestit.

Kardinali Mindszenty hyri në një rutinë, e cila përfshinte një shëtitje të përditshme në oborrin e vogël të ambasadës, ndërsa rojet vëzhgonin për snajperët përreth. Oborri rrethohej nga tri anë nga ndërtesa, që shpesh përdoreshin nga Shërbimi Sekret i Hungarisë.

Katërmbëdhjetë vjet pasi Kardinali mori rezidencë në ambasadë, kur një diplomat i ri amerikan, William Shepard mori detyrën, rutina nuk kishte ndryshuar, megjithëse ndërkohë, Kardinali kishte mësuar të fliste anglisht.

Gjatë shëtitjes së tij të parë në oborr me Kardinalin, Shepard zbuloi se policia sekrete nuk e kishte harruar priftin disident.

“Kur unë dola me të në oborr, shumë dritare përreth u hapën. Qe mbrëmje dhe dritat e aparateve fotografike shpërthyen nga të katër anët. Unë thashë: “Çfarë dreqin po ndodh?” Ai m’u përgjigj: “Këta janë fotografët e komunistëve – AVO (policia sekrete) dhe ata po të bëjnë fotografi ty. … supozohet që ju duhet të trembeni.”

Shepard u takua me Kardinalin rregullisht.

“Ai nuk qe kurrë bezdisës. Unë shkoja lart dhe e shihja atë te zyra ime herë pas here. Shpesh e pyesja nëse dëshironte të flasë,” kujton Shepard. “Por shumicën e kohës ai e kaloi në zyrën e tij dhe pati një fiksim të veçantë me shkrimin e kujtimeve të veta.”

Kardinali pati edhe çast relaksimi. “Nuk jam i sigurt nëse ai kishte një televizor, por di se në disa raste ai shikonte filma, pasi u bë legjendë fakti se sa shumë e urrente një film që qe varianti artistik i situatës së tij. Ai, thjesht, nuk e pëlqente atë film.”

Klima politike ngadalë u përmirësua. Shumë nga të burgosurit, u liruan. Pasi debatuan “rastin e Hungarisë” për shumë vite, më 1963 Kombet e Bashkuara pranuan formalisht kredencialet e qeverisë së re.

Por nxjerrja e Kardinalit Mindszenty nga ambasada vijonte të mbetej një problem. Që nga mbërritja e tij, Kardinali qe kapur në mes të Luftës së Ftohtë, në një konflikt që përfshinte qeverinë e Hungarisë, Bashkimin Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Vatikanin. Ai vetë nuk dëshironte asnjë kompromis për sa kohë komunistët vijonin të kishin pushtetin në Hungari.

Assange eshte i burgosuri me i ri ne nje ambasade

“Nga këndvështrimi i tij, gjërat qenë pak a shumë të qarta në kuptimin që vendi nuk qe i lirë dhe rrjedhimisht, nuk duhej të negociohej me komunistët,” thotë Shepard. Në raste të rralla, Kardinali shprehte dufin e tij.

“Në një rast pas shërbimit të përditshëm në legatë, ai tha me zë të lartë: “Çfarë po bëj unë këtu? Ka kaq shumë njerëz që duhet të ndihmoj.”

Në vitin 1971, Vatikani dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet e veta me Hungarinë. Me mbështetjen e SHBA-së u arrit një marrëveshje, pavarësisht kundërshtimeve të Kardinalit. Ai u lejua të largohet nga Hungaria më 28 shtator 1971, në mënyrë sekrete. Kardinali u dërgua në Romë, ku publikoi kujtimet e tij. Kur refuzoi të dorëhiqej si i pari i kishës së Hungarisë, Vatikani e shkartoi nga detyra. Ai vdiq në emigrim në Vjenë, më 1975, në moshën 83 vjeç. Brenda Ambasadës së SHBA-së në Hungari është vendosur një pllakat në kujtim të qëndrimit të tij të gjatë.

Arratisjet në ambasada të zyrtarëve

Jozsef Mindszenty – 15 vjet. Kardinali katolik i Hungarisë qëndroi në Ambasadën e SHBA-së në Budapest në vitet 1956-1971.

Raul Haya de la Torre – 5 vjet. Politikan i Perusë, që kërkoi azil në Ambasadën e Kolumbisë.

Manuel Noriega – 10 ditë. President i Panamasë, hyri në Ambasadën e Vatikanit, më 1989 pas pushtimit amerikan të këtij vendi. Amerikanët e bombarduan me muzikë rrok shumë të lartë njëzet e katër orë në ditë në shtatë ditë në javë deri sa pranoi të dalë.

Morgan Tsvangirai – Një javë. Udhëheqësi i opozitës së Zimbabvesë hyri në Ambasadën Holandeze në Harare, më 2008. Një vit më parë mori postin e Kryeministrit në një qeveri kompromisi.

Selitë diplomatike

Ambientet e një misioni diplomatik janë të padhunueshme. Agjentët e shtetit pritës nuk mund të hyjnë në to, me përjashtim të rastit kur thirren nga kreu i misionit.

Neni 22 i Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

https://www.facebook.com/cercizloloci/

Please follow and like us: