Iran, vendimi i gjykatës: dhuroji gruas 777 trëndafila ose divorcohu
Burri kishte thënë se do ti dhuronte gruas nga një lule çdo ditë. Harron premtimin, gruaja i drejtohet gjykatës
Një burrë në Iran duhet ti dhurojë bashkëshortes 777 trëndafila për të shmangur divorcin. Vendimi i çuditshëm është dhënë nga një gjykatë iraniane, që ka konsideruar si të ligjshme pritshmëritë e një gruaje të re, bashkëshorti i së cilës kishte premtuar në momentin e dasmës, se do ti dhuronte nga një lule çdo ditë. Gruaja, një 27-vjeçare nga Teheran, priste që bashkëshorti të mbante premtimin, por ai ka harruar shumë shpejt çfarë kishte thënë në momentin e kurorëzimit. Kështu gruaja ka vendosur ti drejtohet gjykatës dhe të kërkojë një dhuratë prej të paktën 777 trëndafilash. Bashkëshorti do të detyrohet nga gjykata të japë dhuratën, pasi në rast të kundërt gruaja mund të divorcohet dhe ai mund ti nënshtrohet disa formave dënimi, deri dhe në burgim. Sipas agjencisë së lajmeve Isna, në Iran blerja e 777 trëndafilave kushton nga 2.500 deri në 3 mijë dollarë.