Albspirit

Media/News/Publishing

Kombëtarja, rekord kërkesash për bileta në “Loro Boriçi”

BiletaInteresim i jashtëzakonshëm për të qenë pranë Kombëtares. Me Kombëtaren që këtë të mërkurë mat forcat në miqësoren me Marokun, ndërsa mbeten edhe diçka më pak se një javë nga përballja e parë e kualifikueseve të “Botërorit Rusi 2018” me Maqedoninë në “Loro Boriçi”, interesimi i tifozëve për t’u pajisur me një biletë për  të dyja ndeshjet është vërtet i madh. Për ndeshjen e 5 shtatorit me Maqedoninë burime zyrtare pranë FSHF bëjnë të ditur se janë shitur mbi 11 mijë bileta, shifër kjo e destinuar të ndryshojë nga momenti në moment me kërkesat që vërshojnë nga të gjitha anët, si në biletaritë fizike, ashtu dhe nëpërmjet shitjeve on line në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Një numër i konsiderueshëm i këtyre biletave janë shitur për shqiptarë të diasporës, apo nga Kosova e Maqedonia me stadiumin “Loro Boriçi” që është duke shkuar drejt shitjes së gjithë kapacitetit ditë para startit të ndeshjes. Po ashtu një interesim i madh dhe kërkesë në rritje po konstatohet edhe për miqësoren e kësaj të mërkure me Marokun. Biletat vijojnë të shiten ndërkohë me ritme të shpejta si në pikat zyrtare të shitjes në Tiranë, Shkodër e Prishtinë,  një tjetër faktor ky që ka ndikuar në rritjen e interesimit ashtu dhe në biletarinë on line në faqen zyrtare të FSHF.

Interesant është fakti se në pikat e shitjes janë duke u shitur njëkohësisht si biletat për miqësoren me Marokun ashtu edhe ato për përballjen me Maqedoninë. Përtej dëshirës për të qenë pranë kombëtares pas entuziazmit të madh që krijuan kuqezinjtë të cilët marrin skenën për herë të parë pas pjesëmarrjes emocionuese në Euro 2016, padyshim që në këtë interesim të jashtëzakonshëm ndikon edhe fakti se ndeshja luhet në impiantin e ri më modern në vend, një stadium model i cili do të hapë dyert për herë të parë pikërisht në miqësoren me Marokun.

Kërshëria për të parë nga afër stadiumin e ri të ndërtuar sipas standarteve bashkëkohore duke shijuar njëkohësisht edhe komoditetin maksimal të tij është padyshim një ndër faktorët kryesorë që biletat për sfidat me Marokun dhe Maqedonië janë duke “avulluar” me ritme të shpejta. Veç të tjerash Federata Shqiptare e Futbollit për ndeshjen me Marokun ka vendosur të ngrejë në brendësi të Loro Boricit disa pika shitjeje ku tifozët do të kenë mundësinë të blejnë me çmime vërtet promocionale fanella të kombëtares apo objekte të tjera të ekipit kombëtar. Një arsye më shumë për të mos munguar!

Please follow and like us: