Lamtumirë furgonë për pasagjerë, linjat nga njëri qark në tjetrin vetëm me autobusë
Asnjë furgon apo automjet 8+1 nuk do të lejohet të transportojë qytetarë nga njëri qark në tjetrin duke nisur nga 1 janari 2017. Në Ministrinë e Transporteve shpjegojnë se transporti i qytetarëve do të bëhet vetëm me autobusë.
“Mbi 330 linja janë organizuar në një mënyrë të tillë që të përballojnë të gjithë fluksin e udhëtimeve nga njëri qytet në qytetin tjetër. Do të ketë orare të shpeshta dhe të zgjeruara gjatë kohës për linjat kryesore”, shprehet Bujar Kotri, sektori i transportit rrugor.
Ndonëse shoqëritë e autobusëve do të licensohen nga Ministria e Transporteve, bashkitë duhet të përcaktojnë vendqëndrimin e autobusëve të cilët nuk duhet të kenë më pak se 19 sedilje për pasagjerët.
“Të gjithë autobusët e ketyre shoqërive do të kenë në dispozicion jo më pak se 19 vende. Licencat e shoqërive të transportit që do të operojnë do të jepen nga Ministria e Transportit. Cdo bashki do të ketë një shoqëri, e cila do të krijohet si bashkim i shoqërive ekzistuese që punojnë sot në këto linja”, shpjegon Kotri.
Automjetet 8+1, të cilat sot transportojnë qytetarë nga njëri qark në tjetrin në mënyrë të kundërligjshme, pasi edhe pse nuk kanë vend qëndrimi ata i mbledhin qytetarët duke u futur nëpër rrugica, mund të licensohen pranë bashkive, sipas Kotrit, për të ofruar shërbim taksi ose për të mundësuar transportin e qytetarëve nga njëri qytet në tjetrin apo nëpër njësi administrative brenda qarkut.
https://www.facebook.com/cercizloloci/