Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi pagat në sistemin e drejtësisë

Arben Demo

Me të drejtë ka një interesim mbi të quajturën Reformë në Drejtësi, të cilën sipas zyrtarëve mbështetës të saj e kërkojnë 91 përqind e shqiptarëve. Shqiptarët prej vitesh kërkojnë DREJTËSI, madje jo 91 përqind, por më shumë se 97-98 përqind e tyre (po ju lëmë 2-3 % atyre që fitojnë nga Padrejtësia).

Sepse në këto vite kjo strukturë, bashkë me ata që i përzgjedhin, i emërojnë dhe i katapultojnë, ua kanë nxirë jetën shqiptarëve. Ata janë në themel të çdo prapësie e të varfërisë në rritje.

Tek Reforma zë një vend dhe rritja e pagës së “punonjësve” të këtij sistemi, që sipas autorëve vendas anglishtfolës dhe të huajve (që thuhet se janë ekspertë, por që në vendet e tyre nuk ndërtojnë këtë sistem), kjo rritje “do të luftojë korrupsionin e tejskajshëm në drejtësi”.

Shtrohen pyetjet:

-Sa për shkak të rrogës së vogël (të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve e noterëve), gjyqet i fitojnë ata që paguajnë?!

-Në Shqipëri ka dhe shumë nëpunës të tjerë, më tepër se sa sistemi i drejtësisë, të cilët mund të përvetësojnë vlera monetare e favore shumë herë më të mëdha se ryshfeti që marrin gjyqtarët e korruptuar (në tenderë për investime e blerje shumëmilionëshe Euro). A ju duhet rritur disa herë paga dhe atyre?

-A duan 91 përqind e shqiptarëve që gjykatësve të sotëm e të nesërm t’u rriten rrogat dhe pensionet në këto nivele sa 5-10 rroga mësuesish apo mjekësh e sa 2-3 vjet pension të një qytetari pensionist?

Mjaftojnë këto pyetje dhe shembulli i keq i Bankës së Shqipërisë që të kuptojmë se kjo “zgjidhje” nuk qëndron. Shqiptarëve po ju thuhet: Këtyre hajdutëve po ju japim para që të mos vjedhin” (!)

Kjo është absurde, e pamoralshme e po aq fyese për të ndershmit dhe të jeni të sigurt që nuk do japi rezultat. Ata duhet të dënohen jo të daroviten.

Pse shteti nuk i ndëshkon ata?

Ankimet për ta kanë qenë të pafundme, por askush nuk u vu përpara përgjegjësisë. Nuk u bë publike pasuria e tyre, veçse, kur nevojitej për spastrim të ndonjërit për arsye politike. Nuk u evidentuan shpenzimet dhe të ardhurat e ligjshme të familjes, prandaj dhe u bë masiv shkallë shkallë e pa fre fenomeni i korrupsionit, duke mos llogaritur këtu dëmin që mund t’u bëhet qytetarëve dhe shtetit nga vendime të padrejta e të pabazuara e të vetëdijshëm për përfitim të tyre.

Çuditërisht tashti na thonë që do ta bëjnë verifikimin e pasurisë e për këtë përdoret fjala çudibërëse si ”sezam hapu” (e përrallave për fëmijë) “vetting”, që sot e tutje do bëjë kërdinë. Më keq akoma, ka dhe mundësi që kush keqbërës tërhiqet, do të amnistohet?!, sipas parimit njëra dorë lan tjetrën.

Shqiptarët kërkuan Drejtësi për vete e për shtetin, si dhe vënien përpara përgjegjësisë e ndëshkim sipas Ligjit për hajdutët e të korruptuarit. Si gjithë të tjerët.

Tani u thuhet se kush tërhiqet vetë amnistohet e t’i gëzojë miliardat, kush qëndron, do gëzojë paga e pensione jashtë çdo logjike të ekonomisë shqiptare.

Në gjithë botën demokratike ka sisteme të shkallëzuara pagash për administratën publike, sipas postit, detyrave e përgjegjësive, kualifikimit (përvoja, meritat, rezultatet), vjetërsisë në punë, vështirësive e rrezikshmërisë për jetën e shëndetin etj.

Kush njeh këtë fushë, e kupton menjëherë se ligji i hartuar për sistemin e drejtësisë është mafioz (Presidenti italian Skalfaro thoshte: “kush bën ligje për vete është mafioz”), sepse në asnjë vend gjyqtarët nuk bëjnë ligje, por i zbatojnë ato jo duke i interpretuar, ata nuk merren me politikë e askush që futet në politikë prej tyre apo harton ligje (këtë Reformë) nuk mund të kthehet kurrë në sistemin e drejtësisë. Kjo “reformë” krijon shtet brenda shtetit: vetemërohen, vetëkontrollohen e për çudi “vetgjykohen”. Nuk na u tha asnjëherë si i kanë këto rregulla vendet e tjera (sidomos vendet nga janë ekspertët e huaj): SHBA, Gjermani, Francë, Itali e ndonjë tjetër, konsideruar dhe vendi ynë, që ne populli të gjykojmë e mos shpresojmë më kot.

Që të mos më akuzoni se “po rrah ujë në havan” e se po hedh bojë mbi letër shkrimi si ma do qejfi (apo interesi) po jap të dhëna nga sistemi i pagave në administratën amerikane sipas: Executive Order 13635, Adjustement of Certain Rates of Pay, dt. 27 dhjetor 2012, të Presidentit B. Obama. Sipas tij ka disa nënsisteme (nënndarje, tabela), por po paraqes disa prej tyre:

Tabela 8: Zv. Presidenti dhe anëtarët e Kongresit

Zëvendëspresidenti 231.900 $

Senatorët 174.900 $

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve 174.900 $

Presidenti protempore i Senatit 194.400 $

Spikeri i Dhomës së Përfaqësuesve 224.600 $

Liderët e Shumicës dhe Pakicës 194.400 $

Tabela 5 Ekzekutivi

Niveli I (Sekretarët e Departamenteve) 200.000 $

Niveli II (Nd. Sekretarët) 174.000 $

Niveli III (Nënsekretarët) 166100 $

Niveli IV (Asistent i Nënsekretarit) 156.400 $

Niveli V 146.500 $

Tabela 4 Agjensitë e ndryshme

min. 120.151 $ max.180.600 $

Tabela 7

Pagat e Gjykatësve

Kryetari i Gjykatës Supreme 223.500 $

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme 213.700 $

Gjyqtarët e rretheve (circuit) 184.500 $

Gjyqtarët e distrikteve 174.000 $

Gjyqtarët në Gjykata Administrative 104.000-156.000 $

Pra shembujt janë mjaftë të qartë. Kështu Kryetari i Gjykatës së Lartë Amerikane, njëherazi dhe Kushtetuese, merr pak më pak se Zëvendëspresidenti. Mjafton ta quajmë në nivelin e Kryeministrit Zëvendëspresidentin amerikan dhe duke e krahasuar pagën e tij vjetore bruto me pagën e kategorive të tjera të nxirren koeficientet përkatës të ndryshimit në pagë, do të marrim të dhëna orientuese dhe për vendin tonë. Dhe atje ka struktura e kontrolle për krime fiskale e kundër korrupsionit (dhe Shërbim inteligjence të veçantë – Secret Service) me ligje të rrepta e administratë të ndershme (që i zbaton) dhe me rrogat si më lartë, pa kërkuar dallim nga të tjerët “për të mbrojtur hajninë dhe makutërinë e tyre”.

Për ilustrim, në tabelën 5, në nivelin e I hyjnë vetëm 21 persona, e përsëris vetëm 21persona: 16 Sekretarët e Departamenteve (ai i Drejtësisë nga varet FBI që është dhe Prokurori i Përgjithshëm), si dhe Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Komisioneri për Administrimin e Sigurimeve Shoqërore, Drejtori i Zyrës për Kontrollin e Drogës, Drejtori i Rezerves Federale, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare.

Është me interes të shënojmë këtu një marrëzi shqiptare të krijimit të shteteve brenda Shtetit apo paralel, duke u fshehur prapa termit pavarësi (që disa e kuptojnë edhe nga Ligji), ku disa i caktojnë rrogat vetë si p.sh. Guvernatori i Bankës së Shtetit, ai i OSHE e të tjerë, e pastaj habitemi për rezultatet negative, luksin, organika të fryra për të privilegjuarit, shpërdorimet, të cilat së bashkë hapin rrugën për vjedhje kolosale. Ndërkohë që Guvernatori duhet të ketë rrogën e Ministrit dhe nga ajo rezultojnë të vartësve. Drejtorët e Kompanive shtetërore sa të Zv.Ministrit.

Kudo në botën demokratike nëpunësit nuk mund të marrin më shumë se dy rroga mujore nga zyra e poste të tjera shtetërore, për ta ka si pagë vjetërsie ashtu dhe për vështirësi pune 10 e 20 përqind shtesa dhe vetëm për rastet e rrezikshmërisë për jetën (këtu mund të futen dhe kategori të kufizuara gjyqtarësh) kjo mund të jetë më e madhe. Përgjithësisht punonjësit e tjerë ndahen në dy grupe të mëdha – në ShBA: oficerë dhe shërbyes; në Gjermani të betuar e punonjës, d.m.th me status e të zakonshëm. Ka edhe klasifikime të veçanta për akademikët e kështu me radhë sipas traditës të çdo vendi të veçantë si p.sh. ushtarakët, gjyqtarët etj.

Ndërtimi i një shkallëzimi nga presidenti te punonjësi më i ulët, me koeficientët përkatës sipas modeleve të dy vendeve të mësipërme do të ishte më e mira.

***

Që të mund të funksionojë ky shtet i ri i 21Prillit e 22 Korrikut mendoj se për demokratizimin e tij dhe për shmangien e arbitraritetit njërës nga degët e tij – Drejtësia, e cila me këto ndryshime kushtetuese të nxituara në anglisht varet nga vetja e vet e që askush nga jashtë saj nuk e kontrollon në kundërshtim me parimin bazë të konstitucionalizmit modern, nevojiten që me mendje të kthjellët të përmirësohet kjo Kushtetutë:

T’i kthehet Presidentit roli i Arbitrit mbi palët, i Unitetit të Kombit dhe i Garantit për të drejtat tona. Ai të zgjidhet vetëm nga Kuvendi i ri pas zgjedhjeve të 2017 me një formulë që siguron konsensus të gjerë të palëve dhe për 7 vite, nga Deputetët dhe po aq përfaqësues të Këshilltarëve të Qeverisjeve Vendore, në përputhje me % e votave që kane partitë e përfaqësuara në to. Në se e duam nga Populli ti rriten kompetencat e së pari e drejta e shpërndarjes së Kuvendit, së dyti, Presidenti të ketë të drejtën e paraqitjes së Projekt Ligjeve, së treti, të jetë Kryetar i KLD, si dhe të tjera sipas modeleve perëndimore që t’i sigurojnë rolin që pretendohet se ka. Nuk kemi nevojë për një President kukull apo vegël të shumicës, përndryshe më mirë sistemi amerikan ( nga që nga anët tona koteci ka vetëm një gjel).

T’i jepet popullit sovran e drejta për Referendum Kushtetues, ndryshe mos të mburremi se jemi shtet demokratik.

Të kthehemi në sistemin zgjedhor 1992-2001 dhe me dy raunde, mbase me 120 deputetë.

Prokurori i Përgjithshëm si Akuzator i Shtetit të zgjidhet me 71 vota dhe pa mandat në kohë të caktuar. Në këtë mënyrë Qeveria nuk do mbrohet si sot kur nuk lufton krimin e sidomos korrupsionin. Më mirë akoma të ishte Ministër i Drejtësisë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sistemi i Drejtësisë “u reformua”, por që ditët e para dolën probleme për zbatimin e saj. Populli kërkonte Drejtësi, as e lexoi e as e njeh. Të korruptuarit duhej të ishin larguar menjëherë, tashti sa më parë aq më mirë.

Por popullit duhej t’i tregohej me hollësira si janë të organizuara këto organe në vendet që përmendëm më sipër. Vetëm atëhere do të kuptojmë mjaft gjëra që këtu janë shkelur dhe i zgjatën jetën krimit dhe do t’ia zgjasin akoma. https://www.facebook.com/cercizloloci/

 

Please follow and like us: