Ministri-deputetes: Jam i magjepsur nga bukuria juaj, nuk iu kthej dot përgjigje
Një ministër në Sri Lanka ka përfunduar nën akuzë për seksizëm, pasi i tha një deputeteje, dikur Miss Bota (në vitin 1980) se ishte aq i magjepsur nga bukuria e saj sa nuk mund t’i kthente përgjigje pyetjes së saj të bërë gjatë seancës në parlament.
Rosy Senanayake, ish-Miss Sri Lanka dhe Miss Bota, e cila prej 20 vjetësh është e angazhuar në politikën vendase dhe ndërkombëtare, iu drejtua me një pyetje në parlament ministrit të transporteve, Kumara Welgama në lidhje me gjendjen e transportit në vend.
Por në vend që t’i përgjigjej pyetjes në fjalë, ministri i tha deputetes se ishte i shokuar nga bukuria e saj dhe se do t’i shprehte ndjenjat e tij për të jashtë parlamentit.
“Jam shumë i lumtur që një zonjë e bukur si ju më drejton një pyetje. Ju jeni një grua shumë e hijshme dhe unë nuk kam fjalë të përshkruaj ndjenjat e mia. Jam i shokuar dhe jam i magjepsur nga pamja juaj. Kur më flisni, unë shoh vetëm fytyrën tuaj të bukur dhe jo një deputete”, është shprehur ministri në parlament.
Rosy Senanayake, 54 vjeçe, është përfshirë në politikë prej 20 vjetësh dhe ka shërbyer edhe si ambasadore e Kombeve të Bashkuara për vendin e saj. Vetë politikania është shprehur se ndjehet e fyer nga përgjigjja e ministrit dhe ka theksuar se edhe pse ajo mund të përmendet ende si një ish-mbretëreshë bukurie, aftësitë e saj në politikë janë provuar në kaq shumë vite angazhim.